“Një dreq i madh…”

“Një dreq i madh, o këtu” , pat thënë njeriu të cilit i mbet pushteti në dorë, kur tashmë kishte filluar të sillet rrota e madhe e gjeopolitikës, e cila këtë zonë e bënë pikërisht të përshtatshme për konflikte shekullore, që nuk zgjidhen. Përse nuk zgjidhen, do të thoni jua? Nuk ka fuqi, fuqi Evropa, Amerika? Nuk kanë fuqi oligarkët serb, apo kosovarë të lëvizin rrotën e ngjarjeve drejt zgjidhjes?

FADIL LEPAJA
Keni ndenjur mbrëmë gjatë, me përfaqësuesit tuaj? Në televizor, de, se ata i takoni live veç në fushata! Keni mësuar sërish matematikën elementare, se si me i ba me çdo kusht 80 vota pro? Keni ndarë njërën anë patriotët, e në tjetrën tradhtarët? E keni kuptuar se sa shtrenjtë mund të kushtojë një votë, e përfaqësuesit tuaj? E vizituat emergjencën ? A ju thanë se nuk mund të nisin autoambulancën sepse ju keni ngrënë thonjtë e duarve dhe këmbëve duke parë seancën e parlamentit? Të gjithë ishim të preokupuar, por dikush ka shprehi më të këqija. Ata që nuk ishin të preokupuar me numrat, mbrëmë, nuk janë patriot, sepse refuzojnë të jenë pjesë e stresit kolektiv, që e prodhon media jonë politike, pastaj edhe kjo temë ka interes publik. Gjithqysh duhet me e gjet ndonjë temë që i streson, edhe ata, se nuk është mirë dikush të jetë i stresuar e dikush jo. Kjo e rrënon (gjeo)politikën e stresit, edhe krejt rrëfimin e bënë të pabesueshëm, e rrjedhimisht, kriza mundet edhe të zgjidhet. E kjo e rrënon biznesin e (para)politikës tonë, që e ka emrin krizë. Politika jonë jeton nga kriza. Ju kujtohet, kush para lufte e kishte thënë: “Këtu është një dreq i madh…”? Shumicës tashmë nuk i kujtohet fare kjo thënie, ose kujtojnë se është ndonjë thënie popullore. Kështu e ke kur jeton në një nyje (gjeo)politike, dhe në një konflikt permanent, por e ke privilegjin ta kesh popullatën më të re në rajon, e më gjerë. Fëmijët rriten shpejt, dhe kanë dëshirën e papërmbajtur që gjithçka të e fillojnë nga fillimi, sepse besojnë se ata para tyre s’kanë ditur më shumë. Industria e prodhimit të politikanëve të rinj ndjek këtë logjikë. Ata duken të rinj, flasin ndryshe, por janë produkt vendorë, i shkolluar në shkolla prestigjioze, për të përfunduar në bankat e parlamentit duke hangër thonjtë, ose njëri tjetrit. Janë prodhuar për nevojat e oligarkisë. Edhe ata janë Kosovë. Edhe ata janë pjesë e makinerisë (para)politike që premton se gjithçka do të zgjasë. Janë disa që shajnë, e disa tjerë që dinë të debatojnë, të mbrohen. Sot në këtë medium, nesër në tjetrin. Nëse është harxhuar një medium, hape tjetrin, sepse (para)politika duhet të sigurojë arena, ku gladiatorët modern, japin shpirt për të mbrojtur biznesin e krizës. Shumica e popullsisë e lindur pas lufte është e rritur me idenë se ai që na e solli lirinë, ai duhet të na e sjell edhe pak buk, dhe së paku një telefon të mençur, për me bë foto çasti, kuptohet për profilin e vet . Ne nuk jemi popull kërkues. Mjafton me n a vu në gjumë me përralla, e regjisorët e rinj në shërbim të kauzës së krizës, vazhdimisht rrëfejnë prej fillimi. Fillojnë një serial të ri, me aktorë tjerë, i cili vlerësohet për nga kohëzgjatja. Ajo që zgjatë ka vlerë. E regjisorët kurrë nuk mund të jenë aq kreativ sa qytetarët nëpër rrjete sociale. Andej marrin ide. Prandaj masa duhet të ketë pak buk dhe një telefon të mençur. Kështu, jeta rrjedh, korridoreve të administratës ndërkombëtare e vendore, që politikën e kanë biznes, dhe problemet shansë. “Dreqi” nuk po lejon që nyja gordiane të zgjidhet. Ju, me të drejtë, do të thoni, se nuk duhet me e hapë ditën duke e përmendur qoftëlargun. Kur e përmend ai rritet e fuqizohet. Forca i shëndrrohet në fuqi. Fuqia shëndërrohet në bllokadë. Kush ka fuqi me bllokue në Kosovë, ai është forcë edhe fuqi. Kreu i shtetit , këtë e ka specializim të ngushtë. Ideja se përmes problemeve që nuk zgjidhen kurrë, faktorizohesh në këtë pjesë të Ballkanit, nuk është pa gjë. Shumica e bëjnë pa vetëdije, por ka edhe që e dinë se çfarë po bëjnë. Në historinë tonë të shekullit të kaluar është mbajtur mend nga populli thënia e famshme e ish kryetarit të komitetit krahinor të Kosovës. “Një dreq i madh, o këtu” , pat thënë njeriu të cilit i mbet pushteti në dorë, kur tashmë kishte filluar të sillet rrota e madhe e gjeopolitikës, e cila këtë zonë e bënë pikërisht të përshtatshme për konflikte shekullore, që nuk zgjidhen. Përse nuk zgjidhen, do të thoni jua? Nuk ka fuqi, fuqi Evropa, Amerika? Nuk kanë fuqi oligarkët serb, apo kosovarë të lëvizin rrotën e ngjarjeve drejt zgjidhjes? Vërtetë të jenë këto rrugë qorre, pa dalje? Jo, problemi është se, problemi i qytetarëve, është biznes për oligarkët. Lufta por edhe paqja janë biznes, global, ashtu qysh është biznes edhe rrënimi i shtëpive, sikurse që është edhe ndërtimi i tyre. Problemi në Ballkan është sikur ai i kalasë së Shkodrës. Punojnë dy palë mjeshtër. Çka punohet ditën me diell, rrënohet natën (pa) hënë! Populli shikon në televizor, portale dhe rrjete sociale dhe e dinë se kur del filan deputeti në foltore, ka filluar faza e zhagitjes. Ai është breshka. Ai flet gjatë e nuk thotë asgjë. Pastaj del ajo, dhe e nis sherrin. Pa e kuptuar hiç, se nuk janë votat, na zë mesi i natës. Disa flejnë bashkë me kryeministrin, ose ndonjë deputet të lodhur, i cili kotet në karrigen e cila e obligon të jetë gjithnjë syçelë. Mos e bëni të madhe! Edhe deputetët shpirt kanë. As populli nuk do të niset nesër, për ne Evropë? E kemi parë, se kur oligarkët duan që populli të shkojë në Evropë, bëjnë gati autobusët. Pastaj, kush e ka dashtë, vërtetë Evropën, rrugën e ka ditur, dhe tashmë është i (zh)vendosur nëpër kontejnere. Prej tyre, me siguri do të dali ndonjë këngëtar(e) me famë botërore, e cila pastaj do të vij të këndoj për vendin që aq shumë e do, edhe pse nuk i ofroi asgjë. Edhe suksesin e tyre, politika jonë do e shes si sukses të vetin. E pse jo? Një dreq i madh, o hy në këtë mes. U bënë 80, apo jo? Unë, po flej, se antikorrupsioni dhe prokurorët, janë zgjuar. Ata do numërojnë votat….!

Loading...