Opinione

NJË QEVERI E DËSHTUAR, QË NË ZANAFILLËN E VET!

sulejman abazi

Sulejman ABAZI

Sigurisht, më mirë me qeveri, se sa pa të. Kjo që u bë dje në Parlamentin e Kosovës, ishte një zgjidhje e nevojëshme, por jo zgjidhje e domosdoshme me interesa të qëndrueshme.
Gjithçka që ndodhi dje në Parlamentin e Kosovës, është shumë e kuptueshme, diskriminuese dhe nuk do shumë komente. Kosova ka kohë që po rrëshqet si një “frut i pjekur” në duart e Serbisë. Në Kosovë po bëhet eksperimenti më i padëgjuar në shekullin e fundit, si një thikë me dy presa, që ende nuk dihet se kë do të gjakosë më tej. Ky pushtet pa kockë e pa bosht duhet të largohet bashkë me protagonistët e tij.
Kosova meriton të shpëtohet nga “shtegu i sertë” i pengmarrjes.
Dhe me sa duket radha i ka ardhur popullit, përballë klaneve “të forta” që mbajnë peng Kosovën. Militantizmat në vlerësimin e situatës nuk vlejnë, përkundrazi, ato e rëndojnë më shumë situatën. Në rastin konkret ka ndodhur një lajthitje ligjore në Kosovë, ku vet ligji refuzon në mënyrë statike vullnetin e shumicës zgjedhore. Vakumi ligjor në këtë çështje delikate është i pranishëm. Në rezultatin zgjedhor nuk duhet të llogaritet si parti më e madhe “koalicioni parazgjedhor”, por në koalicionet pazgjedhore, duke u mbështetur në partitë më të mëdha që fitojnë shumicën e eleketoratit shqiptar. Në këtë situatë të kundërshtuar, a ju shkon ndërmend politikanëve dhe analistëve se, ku mbetet populli që këtë hera i besoi 28 për qind të votive grupimit të VV-së?
Të mos arësyetojmë mbi bindjet vetjake partiake, por mbi respektimin e vullnetit të popullit, ndryshe në këto analiza do të bëhen gabime esenciale, mbi kuptimin dhe vlerësimin e votës në demokraci. Edhe pse ligji ia privoi të drejtën Albin Kurtit për të marrë drejtimin qeverisës, kjo e ka një haraç. Qeverisja Haradinaj nuk besojmë se do të kapë fundin e këtij viti. Janë kushtet dhe kontradiksioni i brendshëm mbi çështjet delikate që ajo duhet të zgjidhë, që na çojë në këtë përfundim.
Atëherë, a do ta kishim këtë situatë qesharake prej 3 muajsh, nëse do të vepronte koalicioni paszgjedhor me mbështetjen e partisë më të madhe elektorale?
Sigurisht që jo.
Atëherë kush e çoi situatën në këtë diskriminim total nga pala serbe dhe pse?
Kujt i ka ineteresuar kjo situatë e pagarantuar, pa u marrë me emra të veçantë të Ramushit, Albinit apo dikujt tjetër?
Shumëkush ka rezerva për këtë zgjidhje të krizës politike në Kosovë. Vet përmbajtja e qeverisë është qesharake, me 23 ministri, 5 zvëndëskryeministra dhe me 46 zëvendesministra.
Shumëkush e kuptoi se zgjidhja e krizës politike u kushtëzua dhe u realizua nga Lista Serbe. Kjo është për të ardhur keq. Kjo tregon se edhe pas 19 vitesh, faktori politik shqiptar në Kosovë është i pastabilizuar, i pakonsoliduar në qëndrimin e tij kombëtar. Me katër ministri, Lista Serbe do të diktojë në shumë aspekte të vendimarrjes, ndryshe qeveria e Kosovës është e rrëzuar. Veprimi i Haradinajt në këtë aspekt shfaqet me kufizime të theksuara në horizontin e tij politik, përderisa pranoi të qeveris me rrugëzgjidhje të kushtëzuara, prej atyre me të cilët ai është gjakosur rëndë në kohën e luftës.
Shumica qeverisëse në Kosovë sot nuk është e garantuar. Haradinaj është vënë para faktit që, “bekimi” i qeverisë së tij erdhi nga Beogradi. Kjo nuk mund të mohoet. Interesat e ministrive të Listës Serbe do të jenë në sinkron me politikat vertikale në Beograd. Një nga kushtet më të rënda është miratimi në Parlament i Asosacionit të komunave serbe në Kosovë dhe i vijës së Demarkacionit.
Çfarë qëndrimi do të mbajë Haradinaj për këto çështje esenciale të mbetura pezull, të cilat ai më parë i ka kundërshtuar?
A nuk u shkaktuar kriza politike në Kosovë me rrëzimin e qeverisë Mustafa për këto probleme?
Vallë, me një deputet më shumë do të mbahet kjo qeveri në këmbë, kush e beson këtë?
Kush garanton se deputetet të tjerë në rrugë e sipër, kur të vijë momenti i vendimit për këto çështje delikate, nuk do të dalë kundër propozimeve të qeverisë?
Kush e garanton numrin 62 në rastin më të pafavorshëm për kryeministrin Haradinaj?
Më siguri që do të ketë deputetë që do të pendohen rrugës për votimin e djeshëm në Parlament. Atëherë, kjo është një qeveri që ka marrë misionin e saj mbi një fushë “të minuar”, një qeverisje e programuar afatshkurtër për të mos qëndruar gjatë në drejtimin e shtetit. Kjo qeveri është një krijesë e Hashim Thaçit. Loja “franceze” e arrestimit të Haradinajt në këtë veprim e nxori kokën.
Ramush Haradinaj u zgjodh kryeministër për t’u larguar përfundimisht nga politika në një të ardhme shumë të afërt.
Si ka mundësi Thaçi t’i besojë Haradinajt detyrën e Kryeministrit, kur AAK-ja ka vetëm 7 deputet në parlament?
Si ka mundësi që kjo qeveri të miratohet me 60 vota dhe të quhet legjitime?
Pse e bëri këtë manovër të djallëzuar Kadri Veseli mbi Ramushin publikisht në Kuvendin e Kosovës?
Po kështu, nuk u gjet zgjidhja as me emerimin e Kadri Veselit në krye të Parlamentit. Zgjedhja atë e inkriminon më thellë. Koha do vërtetojë falsitetin e një politike të dështuar dhe kapjen e institucioneve të Kosovës nga njerëz që kanë abuzuar rëndë me votën e popullit.
Nga situata e djeshme në Parlamentin e Kosovës, është kuptuar që, opozita reale ndihet e konsoliduar shumë më tepër se san ë qeverisjen e mëparëshme. Kriza politike u shkaktuar nga kundërvënia ndaj kërkesave të padrejta të bisedimeve me Serbinë nën kujdesin e BE-së.
Dy fjalë për Ramush Haradinaj:
I ndëruar komandant, po ju bëj me dije se, legjitimiteti i pushtetit u vu përballë intrigës dhe intrigantëve. Në Kosovën tonë të dashur po shfaqet tinëz “putinizmi” në politikë. Ju keni vetëm 7 deputetë. Hashimi ka shumicën, të cilën e kontrollon dhe e dikton.
Fuqia reale në Kosovë është Hashim Thaçi, me dorë të gjatë. Në këtë vorbull 3 mujore, Ju nuk arritët të kuptonit lojën opozitare të Vetëvendosjes dhe preferuat të ndistancoheshit prej partisë më të madhe në Kosovë, duke menduar se në lojën e saj politike opozitare në Parlament, do ta kishe të lehtë me të.
Nuk duhet të harroni i nderuar komandant, se e tërë vija e sjelljes politike të partive dhe partiçkave që e sollën situatën deri këtu, buron dhe vjen nga Presidenca. Kjo dëshmon hapur se Ju i nderuar, u kthyet pa dashje në një vegël e përdorur, e luftës politike për pushtet të Thaçit, Veselit dhe klani të tyre. Lëvizjet e gabuara që ndërmorët do tu çojnë në kthetrat e pabesisë së tyre politike.
Ju i nderuar Ramush Haradinaj, e dini fort mirë se sot po qëndroni në politikë, falë gjakut të vëllezërve dhe familjes tuaj të nderuar, qoftë në traditën historike të saj, por veçanërisht të kontributit në luftën çlirimtare të UÇK-së. Edhe ju vet e dini se, nuk mund të shkelni kurrë mbi këtë gjak dhe amanetin e dëshmorëve. Por kjo nuk mund tëe vazhdojë përjetë. Për hir të së vërtetës, është mirëpritur nga mjaft dashamirë zgjedhjen juaj si Kryeministër, por fatkeqësisht ju keni bërë një hap fals dhe të gabuar.
Me bindje e them se, Ju do të korrni përgjegjësitë e këtij hapi të gabuar në politikë. Me dhimbje po t’i shkruaj këto rreshta i dashur komandant. “Fola dhe shpirtin tim shpëtova”.
Sulejman ABAZI [NESHAJ] Nga klubi “Bashkimi”, sot në orën 14. 00, Tiranë.

To Top