Një rrëfim për Tetovën!

Në vitet e 70 e shekullit XX, zakonisht, ky qyteti ishte i pari. I pari në ish Jugosllavi për gjimnazin më cilësor, në një shtet me 25 milion banorë. I pari qytet që organizoj protesta për çështjen e flamurit jashtë Kosovës. I pari për gjëra të tjera, si për mjeshtrat e byrekut apo ëmbëlsirave më të mira në ish Jugosllavi. Sot, qyteti është përsëri i pari.

I pari në dy aspekte, të dhimbshme, që duken shumë të largëta me njëra tjetrën, po lidhen me një nyje të padukshme, që janë si variablat në funksionet lineare kur analizohen në statistikë, e ku njëra e përcakton ngritjen apo uljen e tjetrës.

Gjithsesi, jo drejtpërdrejt, jo si në funksionet e zakonshme, po si reflketim i një shoqërie e cila ka dështuar në një mënyrë të turpshme në dy gjëra aq themelore dhe jetësore.

E para lidhet me ajrin. Qyteti i Tetovës, krenar dhe stoik, lufton me qytet e Afrikës, Azisë edhe një qytet të Iranit, për primatin si qyteti më i ndotur në botë. Në Tetovë, nuk ka luftë civile, me grupe ekstremiste që ushtrojnë terror si në Afrikë dhe nuk ka safari, nuk ka zhvillim maramendës industrial dhe mbipopullim të hatashëm si në qytetet aziatike, nuk ka kulturë mijëvjecare persiane dhe nuk kemi Ajatollah si në Iran, por për ndotjen e ajrit, ne gjendemi në vendin më të lartë të podiumit.

Ndotja e ajrit në këtë masë, vjen si rezultat i punës së një fabrike ku zyrtarisht shkrihen dhe përpunohen metale, në një fshat në distance ajrore 15 km larg Tetovës. Jozyrtarisht, aty përpunohen edhe shkrihen edhe materie tjera, që prodhojnë toksine të ndryshme dhe që ndikojnë në ndotjen marramendëse të ajrit.

Sasia e cila lëshohet nga ky objekt është 30 ton pluhur, pluhur ku gjenden substanca dhe toksine të ndryshme që ndotin ajrin dhe shkaktojnë pasoja shëndetësore të ndryshme. Kompania në fjalë, që eshtë pronare e këtij objekti industrial, ka mijëra të punësuar, pra një pjesë e madhe e njerëzive që gravitojnë në këtë rajon punojnë dhe sigurojnë të ardhura nga puna në atë vend.

Gjithsesi, ata duhet të punojnë dikund sepse duhet të kenë një burim të ardhurash. Cila është zgjidhja? Zgjidhja, midis zgjedhjeve është që këtij objektit ti vendosen filtra. Filtra të cilat nga 30 tonë, do ta ulin në 800 kg sasinë e pluhurit në ditë, duke ulur disa dhjetra fish sasinë e pluhurit ndotës, por edhe duke mundësuar që fabrika të mos mbyllet duke shkaktuar trazira sociale.

Një shtet si Maqedonia, që ka strategji që të shpërndaj subvencione për bujqit, kompanitë që investojnë nga jashtë apo për aviokompani për fluturime të lira, e deri tek investime absurde si Rrota Panoramike në Shkup që kushton 18 milion euro, fasada të stilit barok në Shkup që kushtojnë miliona euro, apo për anij, “antike“ që nuk lundrojnë dhe nuk do lundrojnë dot kurre, e që gjithashtu kushtojnë miliona euro, sigurisht se ka mundësi që të ndihmoj me kredi të butë këtë kompani dhe të vendos filtrat, që qindra mijëra njerëz mos të helmohen e mijëra njerëz mos të humbin burimin e tyre të ekzistencës.

Suksesi i dytë planetar lidhet me një person, simbol i një situate tragjikomike, ku një mundës( pehlivan) që ka marr titujt e nevojshëm shkencor që të jetë rektor Univerziteti brenda një periudhe 2 vjeçarë, është rektor i një institucioni me 20 mije student, mijera profesor dhe qindra të punësuar.

Mundet të ketë edhe vende tjera të botës që kan si rektor një mundës (pehlivan) për rektor, por vështirë që të kenë rektor që i ka marrë të gjithë titujt shkencor për një periudhë 2 vjecare (vetëm nëse bëhet një klon i përbashkët i Ajnshtajnit, Njutnit dhe Tesllës).

Nuk është cështja e një njeriu, por e një sistemi të degraduar fuksionalisht, të nëpërkëmbur institucionalisht dhe të rrënuar moralisht e një, tempulli të dijes“, ku nuk vendos forca e argumentit nëpërmjet dijes, punimeve shkencore e simpoziumeve akademike, po argumenti i forcës i demostruar me bodyguards të armatosur, vetura të blinduara dhe studentë, profesorë e puntorë të frikësuar.

Këto dy vende të para vijnë si rezultat i një apatije të skajshme të një qyteti, ku të drejtat qytetare e kërkesat kombëtare ngelin në sirtaret e disa zyrtarëve të kompleksuar nga e kaluara e tyre, kur ishin disa muratorë, disa enverista të ngujuar në podrumet e Perëndimet e të tretët pritës në derën e cdo pushteti, komunist a demokratik qoftë ai.

Këto njerëz, të pafuqishëm nga impotenca politike e së tashmes dhe të hutuar nga e ardhmja kur mund të diskutohet fuqia e tyre marramendëse financiare, heshtin.

Heshtin publikisht, por prapa kuintave, stimulojnë këto procese, sepse një shoqëri e shtypur me qytetarë që nuk luftojnë për ajrin dhe për dijen, është shumë e lehtë të kapërdijnë çdo proces tjetër, që dëmton qytetarët dhe ndihmon pushtetarët.

Si përfundim, kur dikush në një intervistë tha se tetovarëve uji dhe ajri helm do ju bëhen sepse vendosën gabimisht politikisht dhe ideologjikisht, u cilësua si idhanak, i dëshpruar e i nevrikosur. Sot, fatkeqësisht, kjo profeci u përmbush.

U përmbush, jo sepse profecia ishte një parashikim i rënë nga qielli, por se ishte përfundim i një rruge të gabuar 15 vjecare, ku një qytet i dalluar u shëndrua në një qytet të plagosur dhe të harruar. Psiqikisht. Moralisht. Emocionalisht.

 

Loading...