Një vit më parë, pikërisht më 5 qershor, kishte vërshuar lumi në fshatin Poroj. Vërshimet ishin përsëritur dy vite pas përmbytjeve katastrofale të vitit 2015. Përveç pastrimit dhe urës që u ndërtua nga ana e Armatës së Maqedonisë, në terren nuk është punuar asgjë, shkruan gazeta KOHA. Sot e kësaj dite, çdoherë kur ka reshje atmosferike, rreziku për përmbytje ekziston, por edhe një vit pas premtimeve – nuk është bërë asgjë. Situata është e njëjtë, shtrati i lumit ka mbetur i papastruar, ndërsa ishte premtuar se në vitin 2018 do të fillohet me rregullimin.

“Një vit pas vërshimeve, situata shihet se çfarë ndryshimi ka, edhe ajo hera e dytë çka erdh ngeli këtu dhe tash jemi në këtë gjendje. Edhe pse morëm shumë premtime, si nga pushteti lokal dhe nga ai qendror, gjatë vizitës që na bëri Zaevi atë kohë, ai premtoi se 2018-ta do të jetë vit i punës… Vit ky në të cilin do të ndërmerren të gjitha masat për pastrimin e shtratit të lumit brenda fshatit dhe punët tjera lartë me digat që do të duhej të ndërtoheshin që të parandalohen vërshimet tjera siç kishim në 2015 dhe 2017. Tani jemi të frikësuar se nëse ndodh që të përsëriten vërshimet, do të jetë shumë më rrezik se shtrati i lumit si brenda fshatit po ashtu edhe poshtë është i mbushur i gjithë”, tha për KOHA, Sulejman Ramadani, kryetar i Bashkësisë Lokale të fshatit Poroj.

Banorët janë të indinjuar me Qeverinë, komunën, me partitë shqiptare të cilët nuk bënë asgjë për të realizuar premtimet që i dhanë publikisht.

Është pastruar atëherë pak, nuk mund të themi se aspak nuk është pastruar, por është pastruar në disa pjesë dhe për momentin është pastruar fusha poshtë dhe këtu mbi urë dhe na thanë se do të pastrohet komplet ashtu si duhet të jetë. Ajo që është më me rëndësi – rregullimi i digave të prishura që janë lartë, si dhe ndërtimi i digave të reja si në bjeshkë, në fshatin Xhermë dhe më poshtë, nuk duken askundi . Të paktën ne nuk jemi të informuar për asnjë lloj pune që kanë ndërmarrë qeveria apo komuna. Duket që nuk ka asgjë, edhe pse ne shpresuam shumë nga kjo qeveri se do të arrihet do të bëhet diçka, megjithatë po shihet se partitë tona duan vetëm që të jenë pjesë e qeverisë – dhe jo pjesë e popullatës”, shprehet Ramadani.

Tani, banorët si alternativë kanë vetëm protestat. “Tanimë i kemi humbur të gjitha shpresat dhe nuk e di se çfarë do të bëjmë. Një pjesë e banorëve mendojnë se duhet të protestohet njëjtë sikurse vitin e kaluar kur bllokuam rrugën. Një pjesë e banorëve edhe tani janë të mendimit që sërish duhet të dilet në protesta”, theksoi ai.

Përndryshe, edhe ura në rrugën kryesore Tetovë-Jazhincë është e dëmtuar dhe nuk është e sigurt, kurse dhe përkundër premtimeve asgjë, nuk është bërë në këtë drejtim. Ura ishte tejet e dëmtuar dhe fillimisht ishte rekomanduar për më shumë kujdes, kurse sot e kësaj dite aty qarkullojnë me mijëra automjete brenda ditës. (koha.mk)

Loading...