NJË XHIRO MES-PËRMES LIQENIT TRESKA, ASKUSH S’E DI SE ÇFARË DO TË NDODHË ME 7 MILIONË DENARËT

Si është dukur Liqeni artificial i Treskës vite më parë, e si duket sot? Aty ku dikur njerëzit freskoheshin, sot vetëm mund të bëjnë xhiro. Në seancën e Qytetit të Shkupit e mbajtur në janar të këtij viti, u miratua vendimi për ndarjen e 7 milionë denarëve për revitalizimin e kësaj qendre rekreative. Ndërkaq, këshilltarët e opozitës e kritikuan vendimin e Shilegovit për ndarjen e parave për projekt që veç më ekziston një studim. Në të kaluarën Liqeni Treska ishte premtim kryesor i pothuajse të gjithë kryetarëve, që deri më tani asnjë nuk e ka përmbushur.

“Administrata e re e Qytetit të Shkupit, dhe unë si kryetar do ta vëmë në funksion të plotë me kapacitet të plotë këtë objekt kapital”, tha Petre Shilegov, Kandidat për Kryetar të Qytetit të Shkupit (02.10.2017).

Paraardhësi i Petre Shilegov, Koce Trajanovski, qysh në vitin 2009 pati deklaruar se për vitin 2010 janë paraparë 30 milionë denarë për rikonstruimin e liqenit, duke potencuar se ky do të jetë një ndër projektet më prioritare të Qytetit të Shkupit. Por, premtimi nuk u realizua. Në vitin 2016, këshilltarët e Qytetit të Shkupit votuan vendimin për ç’lajmërim nga evidenca e kontabilitetit të objektit të QRS Treska. Me këtë edhe zyrtarisht u konfirmua vendimi i Qeverisë i vitit 2013 për kalimin e pronësisë së Treskës komunës së Sarajit.

Edhe pse tani ka premtime të reja për revitalizimin e kësaj qendre rekreative, qytetarët kanë dyshimet e tyre se a do të ndodhë në të vërtetë një gjë e tillë.

“Kanë kaluar mjaf vite që kur është lënë pas dore. Shumë kanë premtuar, por deri tani askush nuk ka ndërmarrë asgjë. Ndoshta duhet dikush ta ndërmarrë qytetin, por si duket nuk ka mundësi. Ndoshta dikush nga sektori privat duhet ta marrë në dorë, dhe ta rregullojë këtë gjendje. Ka shumë mundësi, të bëhet një akuapark. Ka shumë mundësi.”

“Nëse do të bëhej një gjë e tillë do të ishte shumë mirë, por duke marrë parasysh vitet deri më tani që nuk është ndërmarrë asgjë, nuk jam shumë optimist, dua të jem por… Për shkak se nuk bëhet fjalë, për një apo dy vjet, por për vite të tëra”, u shprehën disa qytetarë.

Projekti është paraparë të mbarohet për tre vite, ndërsa kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov tha se projekti nuk mund të zbatohet në kohëzgjatje më të shkurtër për shkak të borxheve që ka Qyteti nga udhëheqësia e kaluar. Nga Qyteti i Shkupit nuk dinë as datën se kur do të fillojnë punimet.

“Revitalizimi do të bëhet në bashkëpunim mes Qytetit të Shkupit dhe Komunës së Sarajit, dhe Qyteti ka paraparë të investojë 7 milionë denarë në tre vitet e ardhshme. Ende nuk kemi datë konkrete për fillimin e punimeve”, nga Qyteti i Shkupit.

Tv 21 kontaktoi edhe kryetarin e Komunës së Sarajit Blerim Bexheti për të pyetur se deri ku është projekti për revitalizimin e kësaj zone, por ai nuk u përgjigj.

Qytetarët thonë se ndjejnë nostalgji për kohën e bukur të kaluar në Liqenin Treska, ndërsa qendrën e vizitojnë vetëm për tu ç’mallur pasi që tani nuk ka mbetur më asgjë aty. Ky liqen ka një sipërfaqe prej 136.000 м2, ndërkaq është ndërtuar në vitin 1978. Në hapjen solemne të këtij vendi turistik mori pjesë edhe presidenti i ish-Jugosllavisë Josip Broz Tito.

Loading...