Njësia speciale fillon aksion, ja në cilin qytet!

Administrata Tatimore, përkatësisht Departamenti i Hetimeve Tatimore (DHTI) dhe Inteligjencës, në orët e para të mëngjesit të sotëm, ka zhvilluar një aksion kontrolli/bastisjeje në Zubin Potok, në katër lokacione nën dyshimin se janë kryer veprimtari të kundërligjshme – transaksione fiktive.
ATKO njofton se aksioni është zhvilluar me sukses dhe pa ndonjë problem, ku në mbështetje të zyrtarëve të DHTI-së kanë qenë Policia e Kosovës, Njësia Speciale. Aksioni është zhvilluar me autorizim të prokurorit.
“Sipas informacioneve të para nga terreni, janë gjetur disa dëshmi se personat dhe subjektet e caktuara, janë marrë me veprimtari të kundërligjshme – lëshimin e faturave fiktive. Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar prova materiale, si: USB dhe dokumentacion tjetër që dëshmojnë shmangie tatimore, vlera e faturave fiktive të lëshuara dyshohet të jetë mbi 4 milion euro”, thuhet në komunikatëne ATK-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të parandaluar dhe luftuar ekonominë joformale.
“Kjo është bërë duke hartuar dhe zbatuar një sërë ligjesh shtetërore në përputhje me standardet ndërkombëtare, si dhe duke krijuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin dhe Luftimin e Ekonomisë joformale”, thuhet në komunikatë.
Si institucion i specializuar dhe me autorizime të veçanta ligjore për të parandaluar dhe luftuar ekonomin jo-formale dhe evazionin fiskal, Administrata Tatimore e Kosovës thotë se ka ndërmarrë dhe do të ndërmarrë veprime përkatëse ligjore në funksion të zbatimit të kësaj strategjie të Qeverisë.

Administrata Tatimore i fton të gjithë bizneset dhe qytetarët që ushtrojnë çfarëdo aktiviteti afarist, t`iu përmbahen kërkesave ligjore në fuqi, të deklarojnë dhe paguajnë me kohë tatimet sipas ligjeve në fuqi, në mënyrë që mos të jenë pjesë e masave ndëshkuese penale, të konfiskimit dhe sekuestrimit te pasurisë.

Loading...