Më poshtë mund të gjeni një listë të veprave dhe autorëve të veçantë, që secilin lexues do ta bëjë shpirtërisht më të pasur…

1.“Për kë bien kambanat” – Ernest Hemingway

Është roman i botuar në vitin 1940. Libri tregon historinë e Robert Jordanit, një specialist shpërthimesh amerikan në Brigadat Ndërkombëtare, i vendosur në një njësi guerilësh republikanë gjatë Luftës Civile në Spanjë (1939 – 1939 ). Ai eksploron një numër temash të tilla, si vdekja, dashuria, dhe fanatizmi.

2.“Zoti i mizave” – William Golding

Vepra flet për një grup djemsh të mirë britanikë, që kanë ngecur në një ishull të pabanuar, të cilët përpiqen të vetëqeverisen, por me rezultate shkatërrimtare. Në libër Golding trajton temat shumë të debatueshme të natyrës njerëzore dhe mirëqenies individuale, përkundrejt të mirës së përbashkët.

3.“Ana Karenina” – Leon Tolstoi

Është një roman i botuar në seri nga viti 1875 deri në 1877. Duke rrëfyer historinë e aristokrates nga Shën Petërsburgu, Ana Karenina, libri eksploron në mënyrë mjeshtërore një sërë temash, nëpër pothuaj njëmijë faqet e tij. Një sondazh i vitit 2007 me 125 shkrimtarë bashkëkohorë, e shpalli Ana Kareninën “librin më të bukur që është shkruar ndonjëherë”.

4.“Princi i vogël” – Antoine de Saint-Exupery

I shkruar nga aristokrati, shkrimtari, poeti dhe aviatori francez Antoine de Saint-Exupery, “Princi i vogël” është një novelë shumë popullore e vitit 1943 dhe libri i katërt më i përkthyer në botë. Libri përshkruan me shumë dhembshuri vetminë, miqësinë, dashurinë, dhe humbjen, të përjetuara nga një princ i vogël që ka rënë në Tokë.

5.“Manifesti komunist” – Karl Marx dhe Friedrich Engels

Një pamflet politik i vitit 1848 nga filozofët gjermanë Marx dhe Engels, “Manifesti komunist” pranohet sot si një prej dorëshkrimeve politikë më me ndikim. Ai paraqet një qasje analitike unike ndaj luftës së klasave, problemeve të kapitalizmit, dhe natyrës së shoqërisë e politikës.

6.“Mbi origjinën e specieve” – Charles Darwin

I botuar në 1859, “Mbi origjinën e specieve” është vepër letërsie shkencore që konsiderohet edhe themeli i biologjisë evolucionare. I shkruar për lexues jospecialistë, ai paraqet një trupë provash se diversiteti i jetës ka ardhur nga linja e zakonshme e trashëgimisë përmes një modeli të degëzuar të evolucionit.

7.“Zgjedhja e Sofisë” – William Styron

“Zgjedhja e Sofisë” është një roman i vitit 1979 që përqendrohet në vendimin tragjik që Sofia, një katolike polake e mbijetuar e kampeve të përqendrimit në Gjermani, u detyrua të bëjë pas futjes bashkë me dy fëmijët në kamp. Sofisë iu desh të zgjedhë se cili prej fëmijëve do të jetonte dhe cili do të vdiste.

8.“Në rrugë” – Jack Kerouac

Libri përcaktues i brezave të kundërkulturës së pasluftës, “Në rrugë”, është roman i vitit 1957 i bazuar në udhëtimet e autorit dhe miqve të tij nëpër Amerikë. Libri flet për jetën e lirë, xhazin, poezinë dhe drogat. Ai është zgjedhur nga revista TIME si një prej 100 romaneve më të mirë në gjuhën angleze, nga viti 1923 deri në 2005.

9.“Të vrasësh zogun përqeshës” – Harper Lee

Romani fitues i Çmimit Pulitzer është shndërruar në një klasik të letërsisë moderne amerikane. Me linjën e tregimit dhe personazhet që janë bazuar kryesisht në vëzhgimet që vetë autorja i ka bërë familjes së saj dhe fqinjëve, romani është i njohur për ngrohtësinë dhe humorin, pavarësisht se trajton problemet serioze të përdhunimit dhe pabarazisë racore.

10.“1984” * George Orwell

“1984” është një roman distopik që i ka të vendosura ngjarjet në një botë të zymtë me luftë të përjetshme, me mbikëqyrje të kudondodhur nga ana e qeverisë dhe manipulim publik, ku individualizmi dhe mendimi i pavarur persekutohen dhe mendohen si “krime”.

11.“Konti i Monte Kristos” – Alexandre Dumas

I përfunduar në vitin 1844, “Konti i Monte Kristos” është roman aventurë që merret me tema të shpresës, drejtësisë, hakmarrjes, mëshirës dhe faljes. Ai përqendrohet tek një burrë i cili burgoset pa të drejtë, arratiset nga burgu, fiton një pasuri dhe më pas i hyn rrugës së hakmarrjes për ata që ishin përgjegjës për burgosjen e tij.

12.“Getsbi i madh” – F. Scott Fitzgerald

I konsideruar vepra më e madhe e Fitzgeraldit, “Getsbi…” eksploron temën e dekadencës, idealizmit, rezistencës ndaj ndryshimit, rebelimit social, dhe teprimeve, duke krijuar një portret të Epokës së Xhazit apo viteve njëzetë të shekullit të kaluar, që është përshkruar si një rrëfim paralajmërues për Ëndrrën Amerikane.

13.“Alkimisti” – Paolo Coelho

Alkimisti është një roman i autorit brazilian, i botuar fillimisht në vitin 1988. Një roman alegorik, ndjek një bari andaluzian në udhëtimin e tij në Egjipt, pasi ka parë një ëndërr sikur ka gjetur një thesar atje. Një bestseller ndërkombëtar, “Alkimisti” është një prej librave më popullor në histori.

14.“Të drejtat e njeriut” – Thomas Paine

Botuar në dy pjesë në mars 1791 dhe shkurt 1792, “Të drejtat e njeriut” është një prej librave më të rëndësishëm nga një aktivist politik anglo-amerikan, filozof, teoricien i politikës dhe revolucionar. Libri merret me Revolucionin Francez dhe të drejtat që i duhen dhënë të gjithë qenieve njerëzore.

15.“Një histori e shkurtër e kohës” – Stephen Hawking

Është një libër i shkencës popullore i vitit 1988, ku autori përpiqet të shpjegojë një sërë temash si kozmologjia, përfshirë Big Bengun, vrimat e zeza, si dhe konet e dritës për lexuesit jospecialistë. Libri u bë menjëherë i njohur dhe u përkthye në 35 gjuhë deri në vitin 2001.

16.“Në egërsinë e natyrës” – Jon Krakauer

I shkruar në vitin 1996, ky libër është një bestseller ndërkombëtar i botuar në 14 gjuhë. I përdorur gjerësisht në kurikulën e shkollave dhe kolegjeve, libri merret me temat se si të pranohesh në shoqëri dhe se si, ndonjëherë, të gjesh vetveten bie ndesh me të qënit një pjesëtar aktiv i shoqërisë.

17.“Thertorja Pesë” – Kurt Vonnegut

Është një roman satirik për Luftën e Dytë Botërore. I konsideruar gjysmë-autobiografik, romani bazohet pjesërisht në përvojën e vetë autorit në luftë. Përgjithësisht i pranuar si libri më me ndikim i Vonnegutit, përqëedrohet tek ushtari amerikan Billi Pilgrim.

18.“Liza në botën e çudirave” – Lewis Carroll

Është roman aventurash i shkruar nga matematikani anglez Charles Dodgson me pseudonimin Lewis Carroll. Libri luan mjeshtërisht me logjikën, duke i dhënë një popullaritet të madh si tek të rriturit, edhe tek fëmijët.

19.“Portreti i Dorian Greit” – Oscar Wilde

Është një roman gotik që merret me temat e esteticizmit, dyfishtësisë morale, dhe vetëllastimit. Në vitin 1890, kur u botua fillimisht, ai fyeu ndjeshmëritë morale të lexuesve dhe kritikëve, por sot konsiderohet një prej veprave më të spikatura të shekullit 19.

20.“Kumbari” – Mario Puzo

Është një roman i famshëm krimi, që trajton historinë e një familje mafioze në New York, e udhëhequr nga Don Vito Corleone, që u bë sinonim me mafien italiane. Romani mbulon vitet 1945-1955 dhe ofron gjithashtu historinë e të kaluarës së Korleones.

21.“Ferma e Kafshëve” – George Orwell

Një tjetër vepër e madhe e Orwellit. Një roman alegorik dhe distopik i botuar fillimisht në Angli në vitin 1945. Duke kritikuar në mënyrë alegorike komunizmin, libri u refuzua fillimisht nga një numër botuesish amerikanë, por sot konsiderohet një prej librave më me ndikim që është shkruajtur ndonjëherë.

22.“Asgjë e re nga fronti i Perëndimit” – Erich Maria Remarque

I shkruar nga një veteran gjerman i Luftës së Parë Botërore, vepra është roman lufte i botuar në vitin 1928 që përshkruan stresin ekstrem fizik dhe mendor të ushtarëve gjermanë gjatë luftës e pas kthimit në shtëpi.

23.“Njëqind vjet vetmi” – Gabriel García Márquez

I konsideruar vepra më e madhe e Marquezit, është roman i realizmit magjik botuar në vitin 1967, që rrëfen historinë e familjes Buendia. I përkthyer në 37 gjuhë dhe me më shumë se 30 milionë kopje, romani njihet si një prej veprave më të rëndësishme në letërsinë e gjuhës spanjolle.

Loading...