Vetëm 7-vjeçare kishte qenë Vlora Regjepaj (me siguri Vlora Rexhepaj, sepse mediat kosovare nuk e dallojnë fort “gj”-në dhe “xh”-në) kur familja e saj dhe ajo bashkë me ta ishte nisur si refugjate për në Suedi.

Kishte shkuar atje qysh në klasën e dytë të shkollës fillore. Vlora, tashmë 30-vjeçare, shumë shpejt e kishte gjetur veten në shoqërinë skandinave. Me të arritur në Suedi ajo ka arritur që ta vazhdojë menjëherë shkollimin, duke u bërë në fund juriste e diplomuar.

Tashmë ajo llogaritet si një avokate me perspektivë, madje konsiderohet të jetë avokatja e vetme shqiptare në Suedi. Deri para se t’i niste studimet, ajo kishte jetuar së bashku me familjen e saj, ndërsa tashmë jeton aty ku edhe punon, në Malmo të Suedisë.

“Shkollën fillore dhe të mesme e kam mbaruar në një qytet të vogël të quajtur Klippan, vend në të cilin tashmë jetojnë prindërit e mi, ndërsa kam përfunduar Fakultetin Juridik në Universitetin e Lundit”, tregon Vlora në një bisedë për “Zërin”.

Pas përfundimit me sukses të Universitetit dhe provimeve tjera të nevojshme, në 2012 ajo ishte regjistruar në Odën e Avokatëve të Suedisë, me ç’rast edhe është licencuar.

Tashmë punon në zyrën e avokatëve “Advokaterna Nyblom & Sarvik AB”, zyrë në të cilën tregon se është edhe aksionare.

“Unë punoj kryesisht me raste kriminale, familjare dhe çështje të azilit. Normalisht ndonjëherë e bëj edhe ndonjë punë tjetër që nuk është në lëmenjtë e përmendura, por janë më të rralla”, ka thënë ajo.

Image

Mes klientëve të tjerë ajo ka edhe shumë bashkëkombës të saj shqiptarë që në periudha të ndryshme kanë arritur në Suedi. “Kam shumë klientë shqiptarë dhe atë kryesisht njerëz që më kërkojnë vetë, por edhe raste kur më kërkon gjykata apo Enti i Migracionit. Ka ndodhur që gjykata më ka caktuar si avokate në ndonjë rast vetëm pse e njoh gjuhën shqipe”, thotë ajo duke shtuar se më së shumti raste të komunitetit shqiptar ka raste familjare. Ndonëse tek rastet e shqiptarëve më shumë ka raste me probleme familjare, ajo thotë të jetë marrë edhe me raste të migracionit dhe atë që nga 2008-a kur edhe kishte diplomuar në Fakultetin Juridik. Puna me refugjatë i është shtuar tashmë kur Evropa viteve të fundit është përfshirë me një valë të madhe të refugjatëve nga Kosova. “Sa u përket kosovarëve, është rritur numri i tyre dhe unë e vërej këtë ngase vijnë tek unë për ndihmë”, thotë Vlora.

Por ajo ua bënë të qartë bashkëkombësve të saj edhe përmes bisedës në “Zëri” se nuk është e lehtë marrja e azilit.

“Tashmë është vështirë, ngase shteti i Kosovës konsiderohet si një vend i sigurt dhe me institucione të rregullta dhe atë që organet shtetërore konsiderohen se kanë mundësi që t’i mbrojnë qytetarët e vet”, thotë Vlora. Janë raste shumë të rralla kur kosovarët, sipas saj, tashmë mund të përfitojnë nga azili.

“Vetëm në raste kur ndonjë person që ka nevojë për shërim, i cili nuk ofrohet nga shteti prej nga vjen, atëherë ka gjasa për vendim pozitiv nga shteti suedez”, bën të ditur ajo duke shtuar se “sa i përket jetës së vështirë ekonomike dhe sociale që shumë kosovarë ballafaqohen me të, fatkeqësisht këto nuk janë fakte që atyre iu jep të drejtë të strehohen apo të banojnë në Suedi apo diku tjetër”.

Ndonëse e ka një punë shumë të mirë në Malmo, Vlora thotë se të gjithë shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës e kanë ëndërr që të kthehen në Kosovë dhe një të tillë thotë që e ka edhe vetë ajo.

“Por të jem realiste. Kjo ende është e vështirë për t’u realizuar”, thotë ajo.

Ndonëse tash për tash e konsideron si hap të vështirë, Vlora thotë se një gjë e tillë edhe mund të ndodhë.

“Ndoshta me zhvillimin e Kosovës dëshira do të rritet, por megjithatë tash për tash jam e lumtur që e kam fatin t’ju ndihmoj shqiptarëve edhe jashtë vendit”, përfundoi ajo. /Zëri/

 

Loading...