Opinione

NON PASARAN

sermet sulejmani

Sermet Sulejmani

Dikur, moti, në rininë time të hershme pata lexuar një roman të jashtëzakonshëm të arbëreshit argjentinas Ernesto Sabato, që më pat lënë një ndikim të rëndësishëm shpirtëror dhe intelektual, që nga vitet ’90-ta. Libri, ‘’Mbi heronjët dhe varrezat’’ qysh në krye të herës më kishte lënë mbresë të thellë jo vetëm për narracionin e tij të ëmbël e romantik, por edhe për analogjinë e ngjarjeve me ato tonat e që shtjellonte romani në fjalë. Sabato përmes personazhes kryesore të romanit, Alehandrës, kësaj vajze rebele dhe të bukur, arriti të pikturojë me autencititet revulucionin argjentinas me anë një rrëfimi, sa real, po kaq edhe sureal. Në këtë libër shpaloset mjeshtërisht zhgënjimi i luftëtarëve të lirisë pas mbarimit të revolucionit në Argjentinë ku sfida e këtyre ”egjujve” postrevulucionarë qe mbijetesa nëpër rrugët e atdheut. Për ironi të fatit ata shumë shpejt u tradhëtuan nga udhëheqësit,dhe ish shokët e tyre që ishin kthyer në varrmirës të idealëve për të cilën kishin luftuar. Këta maskarenj, njëri ndër ta, shoku i tyre Molinari, që deri dje qe bashkëluftëtari i tyre dhe pasi mbaroi revolucioni, kishte harruar idealet e shokëve të tyre të rënë për lirinë e Argjentinës. Alehandra, kjo vajzë idealiste, bashkë me disa shokë të tij nuk u pajtuan deri në vdekje me tradhëtinë që u ishte bërë luftës, andaj u bënë pishtarë të një revolte tjetër, kësaj rradhe kundër shokëve të vet që u korruptuan njësoj si ata të mëparshmit, biles këta ishin treguar edhe më të egër, duke i ndjekur dhe vrarë pikërisht nëpër rrugët e Buenos Ajresit, vetëm e vetëm pse nuk po pranonin të jetonin ndryshe nga populli i tyre fukara. Ajo qe rebeluar ngase s’bënte ‘’pazar’’ me një soj maskarenjësh që donin t’ua vrisnin të vetmën gjë që u kishte mbetur – shpirtin dhe idealin e tyre. Prandaj ajo zgjodhi një rrugë tjetër, – rrugën e protestës! Shumë shpejt ajo u bë simboli e rrezistencës në Amerikën Latine për idealin e humbur e të gjithë shokëve të luftës për lirinë e lënë në gjysëm rruge. E mora titullin e këtij romani, jo për të krahasuar Alehandrën me ndonjë heroinë të veçantë të pasluftës së 2001-shit, po për të evidentuar një sërë rrethanash dhe ngjarjesh, mbase identike me këto tonën, veçanërisht me idealin e luftës së 2001-shit, e cila që në fillimin e saj u devijua edhe përkundër idealit të shumë martirëve të asaj lufte. Nuk e di mirë se në cilin shtet të Europës është bërë një luftë çlirimtare e njëkohësisht për ta mbrojtur sovranitetin e saj!? Lëre këtë, po a s’është hipokrizi dhe tradhëti të burgosësh dhe të vrasësh kaq shumë ushtarë që e deshtën lirinë më shumë se jetën e tyre dhe s’u pajtuan kurrë me nënshtrimin që po ua bënin disa ish komandantë të dhjamosur pas lufte?!… Po si ka mundësi që këta udhëheqës të mos e çajnë kokën për ”mashtrimin e madh” që iu bë në atë luftë ”për ta çliruar” atdheun nga zgjedha e armikut dhe akoma vazhdojnë të gënjejnë në kurriz të heronjëve të vërtetë të asaj lufte? Po sikur të ngjalleshin të paktën një ditë dëshmorët e luftës e t’ju shohin në se si e keni katandisur këtë popull dhe ç’ka mbetur nga ideali i tyre? Hëm! Jam i sigurtë se do kërkonin sa më shpejtë të ktheheshin në shtëpinë e tyre të amshimit se s’do të besonin se me ç’maskarenj kanë pas lidhur besa-besë?!! Nuk e marr vesh sesi nuk ju vjen turp të flasin akoma Platforma dhe Marrëveshje për avansimin e gjuhës shqipe? Epo këtu, si duket diçka nuk shkon!… O një popull i tërë është çmendur, o këta politikanë janë superintelegjent! Nuk është e mundur të qëndrojë në ”majë të kalit” një udhëheqës gagaç e ju të mos e keni marrë vesh akoma se s’ka aspak faj ai pse ju e votoni!… Një gjë është e sigurtë, kjo vlen për çdo udhëheqës politik: Me të njejtën metodë që keni ardhur në pushtet, me të njejtën – do të përmbyseni! Një ditë do të shfaqet një Alehandër edhe tek ne. Për këtë gjë, jam i sigurtë!… Hë, se për pak harrova: Në fund të romanit, Molinarin e gjejnë të vetëvarur në një tra tualeti përplot jashtëqitjeje… Non pasaran!..

To Top