“Nuk do të ishte mirë me pasë prapavijë politike. Nuk e përjashtoj një gjë të tillë, por nuk do të ishte mirë. Është detyrë e dy qeverive tona që të punojmë në drejtim të sigurimit të kushteve për qytetarët për një jetë më të mirë, që nënkupton edhe krijimin e kushteve për lëvizje sa më të lirë të banorëve të dy vendeve. E di interesimin e madh, posaçërisht të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për lidhjen me Kumanovën dhe ndërtimin e rrugës”, thotë në intervistën për “Lajm”, Lutfi Zharku, ministër për infrastrukturë në qeverinë e Kosovës

Intervistoi: ISEN SALIU

Te ministri për ifrastrukturë në Qeverinë e Kosovës Lutfi Zharku, vërehet qartë entuziazmi pas Samitit të Vjenës. Në një intervistë për “Lajm” ai shpreh besimin e plotë se ndërtimi i infrastrukturës së rajonit pas këtij samiti do të marrë një hov të ri, që do të ketë impakt pozitiv jo vetëm në lëminë e transportit por edhe në shumë lëmi tjera. Ai veçon si tërëndësishme realizimin sa më të shpejtë të projekteve infrastrukturore që lidhin Kosovën dhe Maqedonisë, duke vlerësuar se realizimi i atyre projekteve ka peshë për tërë rajonin. Në këtë drejtim premton angazhim maksimal për ndërtim të autostradës Prishtinë-Han i Elezit në afatin e paraparë deri më 1 janar të vitit 2018 dhe njëkohësisht është optimist se deri në këtë afat edhe Maqedonia do të ndërtojë rrugën Shkup-Bllacë.

“Samiti i Vjenës ishte vazhdimësi e samitit të Berlinit, ku u shpreh një përkushtim i KE-së, BE-së dhe vendeve anëtare të BE-së për një mbështetje të vendeve të Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në zhvillimin e infrastrukturës, që është bazë për një zhvillim e mëtutjeshëm ekonomik. Siç e dini, në rrjetin bazë që është definuar në takimin e kryeministrave të Ballkanit Perëndimor të mbajtur në muajin prill në Bruksel, merr pjesë me dy autostrada: me Rrugën e Kombit, respektivisht autostradën “Ibrahim Rugova” që është prej Morine deri në Merdarë dhe në anën tjetër me autostradën Prishtinë – Han i Elezit që lidhet me Shkup. Merr pjesë poashtu me hekurudhën veri-jug, që na lidh me Serbinë në Veri dhe Maqedoninë në Jug dhe me aeroportin e Prishtinës”, thotë ministri Zharku.

Lajm: Edhe më herët janë mbajtur samite dhe konferenca donatorësh, por shumë prej mjeteve të premtuara dhe projekteve nuk janë realizuar. A mund të përsëritet e njëjta gjë edhe pas samitit të Vjenës?

Zharku: Besoj te përkushtimi i KE-së në aspektin infrastrukturor. Shuma prej një miliardë eurove që është ndarë për infrastrukturën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ka një afat të caktuar të realizimit dhe si të themi ato duhet të harxhohen deri në vitin 2020. Por duhet të jemi të sinqertë, paraprakisht duhet të kemi zotim dhe përkushtim të sinqertë të vendeve të rajonit për ndërtimin e atyre projekteve, e tek pastaj duhet të presim ndihmë nga BE-ja. kështu që nëse po flasim për pjesën tonë të autostradës Besi-Merdarë, qeveria jonë duhet të zotohet dhe të gjejë mjete së paku për mbulim të 80 për qind të mjeteve për ndërtimin e kësaj rruge, që BE të na ndihmojë me 20 për qind për kompletimin e autostradës. E njëjta gjë vlen edhe për vendet tjera të rajonit. Në qoftë se vendet nuk zotohen, ose nuk gjejnë mjete, qoftë publike, qoftë nga institucionet financiare për ngritjen e nivelit të infrastrukturës me standarde evropiane, ato mjete nuk do të mund të shfrytëzohen. Prandaj u takon vendeve të rajonit që të bëjnë hapin e parë, që më pas të vijë ndihma nga BE. Kosova është e përgatitur për të vazhduar me ndërtimin e autostradës edhe për të marrë kredi për ndërtimin e hekurudhës që e përmenda, prandaj pres që të kemi përgjigje pozitive edhe nga Bashkimi Evropian.

Duke marrë parasysh se një pjesë e madhe e autostradës “Ibrahim Rugova” është ndërtuar, neve na mbetet për të kërkuar mbështetje për vazhdimin e pjesës së mbetur prej Prishtine deri në Podujevë, më saktësisht prej Besie deri në Merdarë. Bëhet fjalë për një segment prej 22-23 kilometrave për të cilin besojmë se do të kemi përkrahje prej Komisionit Evropian, në kuadër të fondeve të paraanëtarësimit. Në anën tjetër në Londër është nënshkruar marrëveshjen me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për financim të rikonstruimit të hekurudhës që është pjesë e rrethit bazë. Ky rikonstruim i hekurudhës do të kushtojë 180 deri 200 milionë euro. Pesëdhjetë për qind e këtyre mjeteve do të jenë grante nga Komisioni Evropian, kurse 50 për qind do të sigurohen përmes institucioneve të ndryshme financiare.

Ne besojmë se përpos hekurudhës duhet të punohet edh enë çështjen e lidhshmërisë më të madhe të rrjetit energjetik,  si dhe ndihma tjera në aspektin politik për zbutje të armiqësive.

Lajm: Sa jeni i kënaqur me bashkëpunimin që keni me Maqedoninë?

Zharku: Besoj së pari se kemi një bashkëpunim të mirë ekonomik. Ju e dini se Maqedonia, së paku nga vendet e rajonit, herë është në vendin e parë e herë në vendin e dytë sa i përket shkëmbimit tregtar me Kosovën. Në aspektin infrastrukturor edhe me ministrin paraprak të transportit edhe me atë aktual, kemi biseduar që Maqedonia të kryejë pjesën e vetë të autostradës prej Shkupit deri në Hanin e Elezit. Kemi marrë premtime se edhe ata do ta marrin seriozisht përfundimin e këtij aksi rrugor, sepse nuk do të ishte mirë nëse deri në janar ne e kemi autostradën deri në Han të Elezit, kurse pala maqedonase nuk do të punonte asgjë. Kemi premtime të fuqishme se edhe pala e Maqedonisë është duke punuar. Fillimisht do të shkojnë me një tender për koncesion dhe në rast se nuk ka sukses shpallja për koncesion të asaj pjese prej 15-16 kilometrave, atëherë do të shkohet me mjete publike.

Sidoqoftë është në interesin e të dy shteteve, në rastin konkret Kosovës dhe Maqedonisë që të kryhet edhe ajo pjesë e autostradës.

Përpos kësaj është edhe një marrëveshje për bashkëpunim në sferën e transportit e cila është e gatshme që nga viti 2013, por ka mbetur e pazgjidhur vetëm çështja e liberalizimit të transportit. Pala maqedonase e shtyn idenë se duhet të kemi liberalizim të plotë në sferën e transportit, kurse pala kosovare deri tani nuk kemi qenë në pozitë për të afruar një liberalizim të plotë. Jemi në shqyrtim të kësaj mundësie dhe besoj se shpejti do të gjejmë një zgjidhje edhe për nënshkrim të marrëveshjes për bashkëpunim në sferën e transportit.

Lajm: Si po zhvillohen punimet për ndërtimin e autostradës nga Prishtina deri në Blalcë?

Zharku: Kontrata është lidhur në korrik të vitit të kaluar. Është një kontratë në vlerë prej 600 milionë dollarëve për ndërtimin e aksit në gjatësi prej 60 kilometrave, që në fakt është shkurtim i rrugës Prishtinë-Elez Han për 10 kilometra, sepse tani kjo rrugë është e gjatë 70 kilometra. Punimet po zhvillohen me kapacitet të plotë edhe përkundër kufizimeve buxhetore që i kemi. Sipas kontratës, puna duhet të kryhet për 42 muaj, që i vjen se në janar të vitit 2018 ne do të mund të lëvizim deri në Han të Elezit nëpër autostradë. Thellë besojmë se punët do të kryhen me kohë. Ndoshta nuk mund të premtojmë plotësisht një gjë të tillë për shkak të kufizimeve buxhetore që mund t’i kemi, por do të bëjmë çmos që autostradën ta ndërtojmë në afatin e paraparë. Shpejtësia mesatare

A mendoni se pala maqedonase po zvarrit projektet infrastrukturore që lidhin Maqedoninë dhe Kosovën dhe a ka vend për të dyshuar se në këtë zvarritje ka prapavijë politike?

Zharku: Nuk do të ishte mirë me pasë prapavijë politike. Nuk e përjashtoj një gjë të tillë, por nuk do të ishte mirë. Është detyrë e dy qeverive tona që të punojmë në drejtim të sigurimit të kushteve për qytetarët për një jetë më të mirë, që nënkupton edhe krijimin e kushteve për lëvizje sa më të lirë të banorëve të dy vendeve. E di interesimin e madh, posaçërisht të kryetarit të komunës së Gjilanit Lutfi Haziri për lidhjen me Kumanovën dhe ndërtimin e rrugës. Ne si qeveri e Kosovës natyrisht do të investojmë dhe do të bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme që ta ndërtojmë këtë rrugë. Besoj se nga pala maqedonase do të hasim në mirëkuptim, përkundër problemeve aktuale politike që i përmendëm.

Si do ta zhvillohet bashkëpunimi mes dy vendeve pas ndërtimit të autostradës?

Zharku: Unë do të bëj vetëm krahasime konkrete, respektivisht për rezultatet pas ndërtimit të autostradës “Ibrahim Rugova”. Me ndërtimin vetëm nga ana shqiptare të autostradës, nga viti 2009 deri në vitin 2014 kemi rritje të shkëmbimit tregtar me Shqipërinë mbi 200 për qind. Ne ende nuk jemi të kënaqur nga niveli i shkëmbimit, sepse mendojmë se ende ekziston hapësirë për rritjen e tij, mirëpo është fakt i pamohueshëm se pas ndërtimit të Rrugës së Kombit eksporti kosovar në Shqipëri është dyfishuar, kurse është rritur edhe eksporti i Shqipërisë në Kosovë.

Mos të flasim për turizmin, kemi pasë një lulëzim të turizmit pas ndërtimit të autostradës.

Besoj se edhe ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup, do të ketë impakt pozitiv për dy vendet, qoftë në aspekt të rritjes së shkëmbimeve tregtare, qoftë në rritjen e vizitave të ndërsjella të qytetarëve të dy vendeve, por edhe në aspektin e krijimit të një vije transitore për eksportin ndërkombëtar. Ne jemi shumë të interesuar që me përfundimin e ndërtimit të autostradës në Kosovë, të vazhdohet edhe në pjesën e Serbisë, por edhe në pjesën e Maqedonisë që të krijohet një dalje e të gjitha shteteve të Evropës Juglindore me detin Adriatik, detin Egje dhe Jon.

Loading...