Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Zgjim Hyseni ka dhënë dorëheqje nga pozita e tij në Lëvizjen Vetëvendosje.

Me anë të një letre njoftuese, Zgjimi ka publikuar dorëheqjen e tij duke treguar edhe arsyet.

Indeksonline ka kontakuar Hysenin që ka njoftuar me këtë letër largimin e tij:

“Nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e anëtarit të Kryesisë së Lëvizjes!

Në gjendjen që është krijuar, unë nuk mund ta vazhdoj më punën në Kryesinë e Lëvizjes VETËVENDOSJE! Jam përpjekur që mospajtimet e mia t’i shprehi përmes diskutimeve në forumet e Lëvizjes, përfshirë Kryesinë, por kam parë veçse vesh të shurdhër. Pas një fushate sistematike të shpifjeje, linçimeve e etiketimeve, dhe pas një mungese të pabesueshme vullneti që këto probleme të adresohen drejt, e vetmja rrugë kundërshtimi më duket dorëheqja.

Nuk mund ta duroj ketë barrë në ndërgjegjen time. Personalisht, nuk më ka thënë kush gjë, por as që e bëj këtë thjesht se po më dhimbset dikush. Çfarë më brengos shumë është fenomeni, por sidomos precedenti që po vendosim. Thjesht nuk e kapërdij dot, sepse e di që po e bëra këtë shumë gjëra tjera shkojnë vaj pastaj.

Kemi thënë sa herë se jo çdo mjet arsyeton qëllimet, disa mjete e metoda madje mund t’i ndryshojnë ato. Me rrugën që kemi marrë kam frikë se nuk po shkojmë drejt realizimit të qëllimeve për të cilat përpiqemi tash 12 vjet.Shëndet, Zgjimi“.

Loading...