Nuk ndalet Turqia: Po ndërton edhe një pjesë të bukur si Antalia, por më afër Ballkanit

Dy vite pas grushtetit të dështuar, Turqia po shëron “plagët” që i përjetoi ekonomia e saj nga ky akt terrorist. Nuk ka dyshim se ndër sektorët më të goditur nga tentimit për grushtet ishte turizmi, si një ndër degët më të rëndësishme për industrinë turke. Dhe pikërisht në këtë degë tani po vendoset fokusi i investimeve. Rezultatet nuk mungojnë, Falë investimeve dhe angazhimeve të vazhdueshme, turistët janë rikthyer në Turqi dhe fluksi është barazuar me atë të para tentim-grushtetit, e vende vende është tejkaluar. Këtë e tregojnë edhe rezultatet zyrtare, sipas të cilave të ardhurat e Turqisë nga turizmi janë rritur për 30,1 për qind në tremujorin e dytë të vitit 2018, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2017, duke arritur në rreth 7,04 miliardë dollarë.
Prej këtyre, rreth 6.5 miliardë (84,7) për qind janë siguruar nga turistët e huaj, kurse rreth 1 miliardë (15,3 për qind) nga shtetasit turq që jetojnë jashtë Turqisë.
Ndërkohë, edhe numri i vizitorëve në tremujorin e dytë është rritur për 24,9 për qind në baza vjetore, duke shkuar në mbi rreth 11,1 milionë, prej të cilëve 89 për qind kanë qenë të huaj, kurse 11 për qind turq që jetojnë jashtë vendit.

Pikat kryesore turistike si kryeqyteti Stambolli, Antalya, Alanya, Bodrum, Kushadasi, Izmiri dhe pika tjera janë të njohura në të gjithë botën. Mirëpo Turqia posedon shumë qytete dhe rajone me bukuri të rralla, por për të cilat pak dihet jashtë vendit. Qëllimi i autoritete turke tani është që edhe këto vise të afirmohen para opinionit të jashtëm. Sukseset e veta Turqia dëshiron t’i ndajë me mbarë botën. Ky ishte edhe qëllimi i vizitës që u organizua për gazetarë dhe redaktorë të mediumeve të ndryshme nga shumë vende të botës në qytetin Kastamonu, në veri të vendit.

Besohet se qyteti, i njohur si Timonion gjatë periudhës romake është themeluar në shekullin e 18 para Krishtit. Një qendër e vazhdueshme e qytetërimit në të gjithë Greqinë e lashtë, romake dhe perandorinë bizantine, qyteti u takua me turqit gjatë periudhës së selxhukëve. Jandaridët dhe osmanët e kthyen rajonin në një pellg të kulturës turke duke shtuar cilësi të reja në këtë zonë të pasur dhe historike. Fakti se Kastamonu u zgjodh Kryeqyteti Kulturor i Botës Turke 2018 thekson trashëgiminë e saj të gjatë. Në ditët e sotme, me një popullsi prej 300 mijë banorësh Kastamonu është një nga qytetet e vogla të Turqisë. Qyteti i vjetër është i mbushur me shtëpi historike dhe elegante prej guri të shekullit të 19-të. Kastamonu është gjithashtu qytet i xhamive që fshehin tregime, sekrete dhe shifra.

“Gjatë epokës osmane qyteti ishte qeverisur nga Sulltani Cem, i biri i Sulltan Mehmedit II, për katër vjet duke u shndërruar në një nga qendrat e dijes. Ky rajon ka qenë atdheu turk për 900 vjet, qendër administrative e rajonit që shtrihej drejt ngushticave të Bosforit gjatë Perandorisë Osmane”, tha për Gazetën Lajm guvernatori i Kastamonut Yasar Karadeniz.
Karadeniz thekson se Kastamonu dhe qytezat përreth krenohen me rolin e rëndësishëm gjatë Luftës së Pavarësisë Turke, kur ky rajon u shndërrua në një qendër logjistike për transferimin e municioneve në betejë përmes Detit të Zi. Kastamonu ka një bregdet prej 170 kilometrash në Detin e Zi. Cide, Doganyurt, İnebolu, Abana, Bozkurti dhe Çatalzeytin janë gjashtë rrethet e vendosura në vijën bregdetare. Në Kastamonu ndodhet edhe një nga kanionet më të mëdha në botë njohur si kanioni Valla mbuluar me pyje të dendura të mbrojtura nga Fondacioni Botëror i Konservimit.
Kastamonu është një nga vendbanimet më të vjetra në Anadoll që shpërfaq bukuri historike, kulturore dhe natyrore. Deklaruar kryeqyteti kulturor i Botës Turke 2018 nga Organizata Ndërkombëtare e Kulturës Turke, Kastamonu në detin e Zi, është ndryshe nga Stambolli, Izmiri, Ankaraja, apo qytetet e tjera të mëdha turke. Edhe pse infrastruktura rrugore nuk mungon, të paktë janë vizitorët që e shkelin atë nga afër, por kjo e bën edhe më intriguese këtë zonë.
Gjërat pritet të ndryshojnë për të mirë falë investimeve që kanë filluar të realizohen, e që kapin shifra miliardëshe. Sepse këto rajone gravitojnë edhe në bregdet, me shumë qytete përreth Detit të Zi. Turqia po investon për zhvillim të veriut të vendit, që posedon bukuri të pafundme, por është më pak i zhvilluar se jugu, ku gjenden pikat e njohura turistike. Me një fjalë, Turqia po ndërton edhe një pjesë të bukur si Antalia, pjesë që është mjaft atraktive për Ballkanin, sepse gjendet më afër vendeve tona. Pjesë që së shpejti do të afrohet edhe me mbarë botën, sepse aty graviton Aeroporti i tretë ndërkombëtar i Stambollit që është në ndërtim. Në tetor pritet të realizohen fluturimet e para nga ky aeroport, që do të jetë në mesin e tre aeroporteve më të mëdha në botë, kurse ndërtimi i plotë pritet të përfundojë në vitin 2030. /i.s.

Loading...