NulandNë një intervistë ekskluzive për ALSAT, Nuland hedh më shumë dritë mbi krizën, por edhe mbi skenarët e zgjidhjes. Ajo qartëson se marrëveshja e 2 qershorit është e mirë, dhe se liderët duhet patjetër të gjejnë një zgjidhje, ndërkohë që nuk e përjashton edhe mundësinë se në rast nevoje, mund të sjellë edhe ndërhyrje amerikane të nivelit të lartë. Lidhur me rastet në hetim, ajo theksoi se hetimi i tyre, dhe kthimi i besimit të qytetarëve tek institucionet, është pikërisht pjesë e zgjidhjes së krizës.

Në vazhdim sjellim intervistën e plotë…

Alsat-M: Zonja Nuland, faleminderit për intervistën. Dëgjuam deklaratën tuaj dhënë pas takimit me kryeministrin në Qeveri. Unë do të vazhdoj më tej me pyetjet, a u diskutua ndonjë propozim konkret në tavolinë?

Nuland: Siç e dini, negociatat zyrtare për të zgjidhur krizën politike po lehtësohen nga Komisioneri i BE-së Han, me mbështetjen tonë.. kështu që ne do të presim deri kur ai të vijë nesër për përpjekje konkrete për të mbyllur zyrtarisht zbrazëtirat. Unë isha sot këtu, për të sqaruar se sa e rëndësishme është për SHBA-në që partitë të punojnë së bashku dhe ta zgjidhin krizën politike në mënyrë që t’i rikthehemi punës së rëndësishme që kemi bërë së bashku për më shumë se 20 vjet; duke mbështetur trajektoren demokratike të Maqedonisë, duke mbështetur përpjekjet tuaja për të vendosur sundimin e ligjit, të vendosim rritjen ekonomike këtu, dhe më së shumti për të përmbyllur përparimin tuaj në trajektoren euro-atlantike për në BE dhe NATO. Kështu që, ne iu futëm në detaje disave prej çështjeve të hapura, por ishte në frymën e përpjekjeve për të përgatitur rrugën e bisedimeve të mbara për nesër.

Alsat-M: Do të përpiqem me pyetje edhe më konkrete. Një nga pyetjet e hapura që përmendni dhe sikurse thuhet në Marrëveshjen e 2 qershorit, është përbërja e Qeverisë që do të realizojë zgjedhjet e ardhshme. A biseduat në detaje për këtë?

Nuland: Ne biseduam një sërë opsionesh, me të gjithë liderët kryesorë partiakë, me kryeministrin, zotin Zaev, me zotin Ahmeti, dhe tani me zotin Thaçi.

Alsat-M: A keni mendim personal, qëndrim personal për këtë çështje?

Nuland: Ne do të mbështesim çdo gjë që do të gëzojë konsensus dhe që do të jetë në kornizën e asaj që është arritur tashmë… pjesa më e madhe e punës është bërë tashmë, siç e dini më 2 qershor, kështu që ne prekëm disa çështje, dhe thjesht u përpoqëm që të ndihmojmë partitë këtu që të dëgjojnë njëra-tjetrën, në prag të negociatave zyrtare që komisioneri Han do të realizojë.

Alsat-M: Ka kritika që shkojnë së pari në adresë të Brukselit por edhe të SHBA-ve, se fokusi juaj është në zgjidhjen e shpejtë të krizës dhe jo në përmbajtjen, problemet kryesore me të cilat përballet vendi. Nga perspektiva juaj, çfarë është më e rëndësishme, mbajtja e zgjedhjeve vitin e ardhshëm apo sigurimi i kushteve që këto zgjedhje të jenë korrekte dhe demokratike?

Nuland: Padyshim, askush nuk dëshiron ndonjë proces zgjedhor nëse zgjedhjet nuk do të jenë të lira dhe korrekte… Mendoj se i gjithë ky kapitull ka nxjerrë në pah nevojën për një ambient mediatik më të lirë, për zgjidhjen e problemeve me votimet që identifikoi OSBE-ja, për të ndihmuar sundimin e ligjit në mënyrë që të gjithë të kenë besim në të… kështu që këto janë çështjet që po shikohen gjithashtu në kontekstin e marrëveshjes së 2 qershorit. Ka të bëjë me faktin e të pasurit jo thjesht zgjedhje të reja, por ato më të pastrat, më të fortat dhe më demokratiket që Maqedonia synon.

Alsat-M: Kritikat janë se mes stabilitetit dhe demokracisë, në Maqedoni zgjidhni stabilitetin, përpara lirisë dhe demokracisë.

Nuland: Ne nuk mendojmë se do të ketë stabilitet në qoftë se nuk ka liri, demokraci, korrektësi dhe rritje ekonomike. Ne mendojmë se të gjitha këto gjëra shkojnë krahë për krahë, e sidomos në një vend si ky me sfida të multi-etnicitetit që keni në Maqedoni. Ju duhet të keni një sistem, që njerëzit t’i besojnë…

Alsat-M: E dini se ka padi kundër liderit të opozitës që tashmë janë në Gjykatë dhe duhet të fillojnë të gjykohen. Por ka edhe raste për të cilat Prokuroria hesht – ato që u zbardhën nga bisedat e përgjuara – e që kanë të bëjnë me krim të mundshëm, korrupsion, vjedhje e manipulim zgjedhjesh nga përfaqësues të lartë të pushtetit. Sa i rëndësishëm është për ju hetimi i këtyre padive në mënyrë përkatëse?

Nuland: Nuk do të futem në raste të veçanta.. mendoj se nuk do të ishte me vend, por siç e thash, vendosja e besimit në sistemi ligjor për të gjithë qytetarët e Maqedonisë, pavarësisht përkatësisë së tyre politike, është plotësisht thelbësore. Kjo është një arsye e kësaj krize… se njerëzit nuk ka besim tek sistemi… Kështu që, pjesa e zgjidhjes duhet të përfshijë zgjidhjen e rasteve gjyqësore paralelisht me ecurinë e hetimit të plotë të pretendimeve që dalin nga skandali.

Alsat-M: Ka mendime dhe analiza në opinion se zgjidhja e krizës politike në Maqedoni nuk është e mundur pa përfshirjen e diplomacisë amerikanë në nivel më të lartë. A po e shqyrtoni një mundësi të tillë?

Nuland: Siç e dini, ne po punojmë në mënyrë të ngushtë me BE-në, dhe kjo është mënyra se si të veprojmë më mirë në kontekstin ballkanik, ku SHBA-ja dhe vendet partnere kryesore evropiane kemi punuar të gjithë bashkërisht për të ndihmuar vende që kanë probleme, vështirësi, sfida… këtë kemi bërë me vite, qoftë në Bosnjë, në Kosovën, me marrëveshjen e Ohrit. Kur ne jemi bashkë dhe mbështesim BE-në, atëherë ne përpiqemi të dëgjojmë nevojat e të gjitha palëve, dhe ky është momenti kur ne ofrojmë më së shumti mbështetje…

Alsat-M: Pra, për ta përmbyllur këtë intervistë… nëse ju kuptova mirë, thatë që njëherë duhet të sigurohen kushte për zgjedhje korrekte dhe demokratike, e pastaj të mbahen zgjedhjet. Ashtu?

Nuland: Kjo është arsyeja.. në këtë rast, ambasadori ynë këtu Xhes Bejli është duke punuar në mënyrë të ngushtë me komisionerin Han.. unë jam gjithashtu duke punuar me komisionarin Han.. folëm para se të vija këtu.. do të flasim sërish… nëse do të na duhet ndërhyrje amerikane e nivelit të lartë në mbështetje të këtij procesi, padyshim që do e sjellim… ashtu sikurse edhe komisioneri Han.. jam më se e sigurt për këtë… Ajo çfarë duam vërtet, është që qytetarët e Maqedonisë të përveshin mëngët dhe të mbyllin këto zbrazëtira të fundit, në mënyrë që vendi t’i kthehen punës për kursin

Alsat-M: Ju faleminderit për këtë intervistë për Alsat M!

Loading...