Mungesa e orientimit profesional nëpër shkollat fillore, mungesa e konsultimeve mes pedagogëve, nxënësve prindërve dhe profesorëve, bën që nxënësit të regjistrohen në shkolla me drejtime të përgjithshme dhe të mos zgjedhin drejtimet profesionale që në të ardhmen ndoshta do i ofronte mundësi punësimi apo të paktën vet punësimi. Edhe pse iniciativat janë të shumta tendenca dhe rezultati vazhdon të jetë i njëjtë.

Gazetarja Laura Papraniku thotë se çështja e orientimit të nxënësve nëpër drejtimet e shkollave të mesme profesionale, sidomos atyre shkollave që janë më atraktive, të cilat ofrojnë më tepër mundësi punësimi, pas përfundimit të shkollës vazhdon të jetë një problem shumë i vjetër.

“Iniciativa herë pas here janë ndërmarrë, përmes profesorëve të lëndëve të caktuara për organizimin e shkollave profesionale, me qëllim të sensibilizimit të programeve të caktuara shkollore. Ti marrim si shembull drejtimet e shkollës elektroteknike apo drejtimin e makinerisë ose drejtimet e veterinarisë…. e të ngjashme të cilat sigurisht se përveç se nxënësin e avancojnë profesionalisht, ata njëkohësisht i pajisin nxënësit edhe me një zanat në llojin e caktuar”, tha Papraniku.

Papraniku shton se deri më tani asnjëherë nuk është arritur që kushtimisht thënë projekti për sensibilizimin e këtyre programeve të realizohet deri në fund me sukses.

“Ka pasur herë pas here lëvizje pozitive mirëpo me kalimin e kohës është kthyer tendenca e vjetër e orientimit të nxënësve vetëm nëpër gjimnaze dhe në shkollat e mesme të ekonomisë dhe mjekësisë”, pohoi Papraniku.

Papraniku potencon se mos funksionimi i sistemit është edhe një problem, sipas saj iniciativat nuk kanë munguar, të njëjtat janë nxitur nga Lidhja e Arsimtarëve (LA), dhe prej shkollave të caktuara. Ajo veçon se e gjithë kjo duhet të organizohet në formë të plotë dhe jo në mënyrë parciale.

“Me këtë çështje duhet të merren edhe sektorët e veçantë që posedon Ministria e Arsimit dhe Shkencës, do të veçoja sektorin për arsim të mesëm, dhe them se e gjithë nisma duhet të iniciohet në sektorin e lartë përmendur dhe e gjitha kjo të shkon në formë institucionale”, deklaroi Papraniku.

Ajo propozon që me afrimin e muajve mars, ose prill të bëhet një sensibilizim masiv duke përfshi këtu edhe përfaqësues të MASH, dhe përfaqësues të shkollave të mesme, kuptohet me bashkëpunim shumë të ngushtë me pedagog, psikolog dhe me prindër.

“Paramendoni, ne në Shkup ende kemi mungesë të paraleles së artit figurativ, ku tani më veç se ka disa drejtime interesante dhe atraktive ti themi drejtimi për dizajnim të mobilieve kur dihet se edhe puna e mobilierisë tani është një sipërmarrje apo biznes i mesëm apo qoftë edhe i vogël, i cili ofron perspektiv edhe punësimi dhe vetëpunësimi dhe thjesht, nxënësit pajisen me aftësi ose kompetenca të cilët do i hynin më vonë në përdorim të secilit që e bën një shkollë të tillë”, përfundoi Papraniku.

Nuhi Dardhishta, Kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptar, thotë se zakonisht në afatin e parë dhe të dytë, nxënësit gjithmonë shkojnë në drejtimet që janë më tërheqëse për ta sikurse Ekonomi, Mjekësi dhe Gjimnaz. Sipas ti shkolla e ekonomisë dhe mjekësisë janë profesionale, sepse nxënësit marrin një kahje pas përfundimit të njëjtave, duke përjashtuar gjimnazin.

“Unë personalisht e kritikoj vazhdimisht mungesën e orientimit profesional, këtë ua kam potencuar të gjithëve edhe nëpër shkollat tona. Ata, profesorët pedagogët, nuk e bëjnë orientimin e duhur profesional. Orientimin profesional duhet ta bëj, pedagogu ose psikologu i shkollës, por kur do e bëj të njëjtën duhet që prezent të jetë edhe nxënësi së bashku me prindin. Pra duhet një konsultim mes, pedagogut, kujdestarit, nxënësit dhe prindit, ku do të bisedohet për mundësitë që i ofrohen nxënësit varësisht suksesit që ka dhe duhet që të vazhdohet drejtim që në nxënësi në lëndë të ati drejtimi ishte i suksesshëm në shkollën fillore”, deklaroi Dardhishta për Lajm.

Për fund Dardhishta përsërit qëndrimin e lartë përmendur se orientimi që do të rezultoi më i suksesshëm është, konsulta e përbashkët e profesorit, pedagogut me prindin dhe vet nxënësin, që i njëjti të drejtohet në lëmin që është i suksesshëm. E që sipas Dardhishtës kjo vihet shumë pak në praktikë nëpër shkollat tona, e diku bile as nuk përfillet.

Loading...