Organizata Humanitare “Kalliri i Mirësisë”edhe këtë vit organizoi aktivitetet humanitare me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Realizimi i projektit për vitin 2018, sipas kryetarit të kësaj organizate, Rifat Sherifit, parasheh që të ndajë ndihma për 4 mijë familje nevojtare.

“Sot jemi duke shpërndarë pakot e mishit të Kurban Bajramit për jetimët, kurse dje kemi bërë shpërndarjen për skamnorët e qytetit të Shkupit. Pa dyshim, ekipet tona sot janë duke bërë shpërndarjen e mishit të Kurban Bajramit edhe në Tetovë, Kërçovë, Kumanovë, në Maqedoninë lindore në 3-4 qytete dhe sipas planeve tona vetëm sot do të shpërndahen mbi 1 mijë e 500 pako me mish të kurbanit për skamnorë, nevojtarë, persona me nevoja të veçanta. Ne po ashtu sot do të bashkëpunojmë me disa shoqata të cilat përkujdesen për fëmijë me autizëm, shoqata që përkujdesen me hendikep dhe ne atyre në bashkëpunim me ato shoqata do t’u dërgojmë në selitë e tyre pako me mish të Kurbanit’’,- tha kryetari i Shoqatës Humanitare “Kalliri i Mirësisë”, Rifat Sherifi.

Aktiviteti i Organizatës Humanitare ”Kalliri i Mirësisë” do të vazhdojë edhe nesër, ndërsa në komorat ku bëhet ruajtja e mishit, pjesa e mbetur do të ruhet për skamnorët dhe jetimët, thotë Sherifi, i cili falënderoi donatorët nga vendi, diaspora dhe partnerët të cilët kanë ndihmuar në realizimin e këtij projekti humanitar, përfshi shoqatën IHAHA nga Turqia, e cila ka donuar një sasi të kurbaneve për jetimët dhe skamnorët në Maqedoni.

Loading...