Hyrje | Opinion | Doni të na njihni!

Doni të na njihni!

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Kim MEHMETI

Shqiptarët e Maqedonisë  janë si fëmija që ka prindër të ndarë e i cili fëmijë bën çmos që mos ta humbë as dashurinë  e nënës - Shqipërisë, as atë të babit - Kosovës. Por njëkohësisht duke u kujdesur të jetë i respektuar në  familjen multietnike shtetërore të Maqedonisë, ku ka bashkuar me të tjerët pronën e trashëguar nga prindërit e vet. Duke qenë i tillë, duke u përpëlitur mes dëshirës që prindërit të mos e harrojnë dhe duke u orvatur që bashkështetasit me të cilët bashkëjeton të mos e përbuzin, ashtu siç ndodh në këtë Ballkan me fëmijën e ndarë nga prindërit, shqiptarët e këtushëm shpesh vuajnë mallin për prindërit dhe duan ta dinë se ç‘mendon për ta mëmëdhe Shqipëria dhe atdhe Kosova. Dhe kuptohet, nuk ndjehen mirë kur Tirana e Prishtina dëgjojnë vetëm vajin e tyre, kur Shqipëria e Kosova interesohen për ta vetëm kur ndodh ndonjë Brodec ku vriten dhe burgosen shqiptarë të pafajshëm, apo kur botohet ndonjë Enciklopedi ku përbuzet çdo gjë shqiptare.  
Andaj, për shqiptarët e Maqedonisë mund të thuhet se ata janë një pjesë e popullit tonë, që bën çmos ta mbrojë vetveten në shtetin ku jeton, e ku jo rrallëherë përballet me urrejtjen e qendrave sllave, dhe njëkohësisht mundohet t‘ia dalë në krye me mendjemadhësinë e Prishtinës që mendon se shqiptarët e këtushëm janë një grup vajtuesish që nuk dinë t‘i dalin zot vetvetes dhe arrogancës së Tiranës, e cila mendon se matanë Qafë-Thanës jeton pjesa injorante e popullit shqiptar, ajo pjesë e kombit që nuk di të lexojë kalendarin e shekullit të ri.

Cili është portreti i vërtetë i shqiptarëve të Maqedonisë?  

Mbase ai portret është  i njëjtë me atë të shqiptarëve në hapësirat e tjera ku jeton populli ynë. Pra, edhe shqiptarët e këtushëm janë  nevrikë, njësoj si ata të Shqipërisë, e të cilët kur vozisin, njësoj i nevrikos edhe rruga monotone pa kthesa, si edhe ajo që ngjitet maleve e të bën të ndjehesh thuajse të sillesh rreth vetvetes. Shqiptarët e këtushëm, njësoj si ata të Shqipërisë, xhindosen kur ua shan liderin e adhuruar partiak, thuajse ua ke sharë mamanë. Por, kur bëhet fjalë për përcaktimet partiake, përpos liderin e tyre të dashur vendor, ata kanë edhe nga një të adhuruar në Tiranë e Prishtinë. Andaj, nëse u ka ftuar në drekë ndonjë shqiptar i këtushëm, para se të uleni të drekoni, informohuni mirë se cili është i preferuari i tij, Berisha apo Rama, Hashim Thaçi apo Ramush Hajredinaj, sepse mund të ndodhë ta paguani drekën vetë nëse do ofendoni liderin e dashur të tij në Tiranë apo Prishtinë. Pra, duhet të mbani llogari se shqiptari i këtushëm jeton në trininë e vet partiake dhe ka edhe partinë e vet të preferuar në dy shtetet shqiptare. Kështu që shqiptari i Maqedonisë, me të njëjtën zjarrmi përjeton zgjedhjet e këtushme dhe ato që mbahen në Prishtinë e Tiranë dhe shpeshherë, i mllefosur nga parregullsitë zgjedhore që ndodhin atje dhe këtu, ngushëllohet me atë se edhe këto parregullsi vetëm dëshmojnë sa jemi të njëjtë, se çdokund ku votojnë shqiptarët, vlen i njëjti rregull: nuk janë të rëndësishëm votuesit, por numëruesit e votave.  

Dhe shqiptarët e Maqedonisë mburren me këtë trini partiake që u ka rënë në hise ta jetojnë. Por mbi të gjitha ata mburren me trininë religjioze që ka populli i tyre. Andaj ata i ofendon rëndë kur debatues të ndryshëm nga Tiranë, shqiptarët e këtushëm i shohin si njerëz që edhe kokën e kanë në formë të minares së xhamive. I ofendon kjo, sepse ata e duan fenë myslimane që dominon te shqiptarët e këtushëm, por ata mburrshëm e bartin në qenien e vet edhe ylberin trengjyrësh të religjioneve që ka populli i tyre. Duke qenë të tillë, ata e dinë pse nuk u pëlqen shtëpia përkujtimore që qeveria e këtushme ia ndërtoi shenjtores Nënë Tereza, e të cilën shtëpi disa në Tiranë e marrin si shenjë nderimi të shtetit maqedonas ndaj shenjtores sonë.  

Ata pra e dinë  pse ky shtet nuk e rindërtoi shtëpinë e lindjes së Nënë Terezës mbi themelet ku ajo ka qenë, por e zhvendosi atje ku dikur ka qëndruar kisha katolike ku Gonxhja e re i ishte përkulur Zotit. Pra shqiptarët e këtushëm e dinë se shtëpia përkujtimore e shenjtores sonë u ndërtua aty ku ndodhet tani, vetëm që Shkupit t‘i shlyhen të gjitha shenjat e shqiptarisë, vetëm që përnjëherë të shlyhen tri shenja shqiptare të kryeqendrës së sotme të Maqedonisë, të humben gjurmët për prezencën e madhe të dikurshme të komunitetit katolik shqiptar, të cilët, në vitet ‘60 të shekullit të shkuar, u davaritën në Kroaci dhe atje humbën çdo gjë të vetën etnike. Njësoj siç humbën çdo gjë të vetën edhe qindra mijëra shqiptarë myslimanë që braktisën vendlindjen dhe u shpërngulën në Turqi, siç humbën gjuhën dhe përkatësinë etnike edhe ortodoksët shqiptarë nga Reka e Epërme në afërsi të Dibrës. Pra, shqiptarët e Maqedonisë u vunë në mbrojtje të shtëpisë së Nënë Terezës dhe kishës ku ajo ishte lutur, njësoj sa edhe të Burmali Xhamisë, sepse e dinë se trinia religjioze është begatia për të cilën të gjithë ia kanë zili.

Por dënesja e shqiptarëve të këtushëm për atë që u bë me shtëpinë  e Nënë Terezës dhe pronës së shqiptarëve të këtushëm, thuajse nuk u dëgjua në Tiranë e Prishtinë. Njësoj siç  nuk dëgjohet as zëri i tyre kur thonë se të këqijat që i ndodhin Shqipërisë dhe Kosovës ata i përjetojnë njësoj dhembshëm sa ato që u ndodhin këtu ku jetojnë. Mbase kjo dhembje vjen nga vetëdija se shtrirja e degëve varet nga forca e trungut kombëtar, se degët e trungut të lënduar shpejt veniten.
Shqiptarët e Maqedonisë e dinë se mëmëdheu ata nuk i njeh sa duhet. Andaj ndoshta do ishte mirë që televizionet e Tiranës të kishin nga një emision të llojit: "Njëqind leksione për fillestarët që nuk i njohin shqiptarët e Maqedonisë".  

Mbase kështu Tirana do e kuptonte pse shqiptarët hidhërohen kur në mediat e atjeshme dikush ata i quan maqedonas, mbase debatuesit e shumtë nëpër televizionet e mëmëdheut do e merrnin vesh se emërtimi "maqedonas" nuk përcakton përkatësinë shtetërore, por atë etnike, dhe se për këtë nuk janë fajtorë shqiptarët, por disa qarqe politike dhe shkencore maqedonase që besojnë se edhe qielli mbi Maqedoni, edhe toka mbi të cilën qëndron ky shtet, kanë përkatësinë e tyre etnike. Andaj shqiptarët e këtushëm hidhërohen kur disa opinionistë të Tiranës, e të cilët sa nuk i kërcejnë në gojë bashkëbiseduesit të ardhur nga Maqedonia, shesin kozmopolitizëm si të ishin në ndonjë treg perëndimor, e jo në këtë tregun ballkanas, ku çdonjëri do që brirët e dashit të t‘i shesë si të ishin qiri që të bën dritë.

Çka duan në të vërtetë shqiptarët e këtushëm t‘i tregojnë Tiranës arrogante? Mbase jo vetëm atë se qysh në mesditë ata e dinë se çka i ka thënë Rama Berishës në mëngjes, jo edhe atë se pa kaluar java e botimit ata e kanë në duar librin e cilitdo krijuesi në Tirana, por duan t‘ia përcjellin porosinë: mundohuni ta dëgjoni rrëfimin tonë se si dukemi, sepse kështu do e shihni më mirë se ç‘pamje ka portreti ynë grupor.  

Mbase ka ardhur koha kur shqiptarët e Maqedonisë do kenë gjithnjë e më shumë hapësirë që mëmëdheut t‘i rrëfejnë për vetveten. Dhe jo pse këtë ua mundësoi shteti ku jetojnë, apo pse u ndihmoi për këtë Tirana dhe Prishtina, por se lindi Tani i Topit, i cili investoi pasurinë e vet që shqiptarëve të këtushëm t‘u mundësojë vetë të rrëfejnë se kush janë. Dhe të dëshmojnë se jetojnë sipas bindjes se ai që nuk di të kujdeset për familjen e vet, nuk ka pse habitet kur e nënçmojnë të tjerët dhe s‘ka si të jetë i dobishëm për vendbanimin e përbashkët evropian dhe botëror. Pra, të dëshmojnë se e kanë kuptuar se duhet ta njohësh vetveten që të mund më lehtë të të njohin e t‘i njohësh të tjerët.  

Të dëshmojnë  se ata nuk janë ata që ngandonjëherë i mendon Tirana arrogante: nacionalromantikë të vonuar të shekullit të nëntëmbëdhjetë, por popull që jeton kalendarin e internetit, popull që e di se para se të bashkohesh me familjen evropiane, duhet të bashkosh familjen tënde të ngushtë kombëtare. Edhe atë jo duke prishur kufij shtetërorë, por duke i rrënuar muret mentale që na i vulosi ndasia disadekadëshe, muret që na pengojnë të shohim më qartë vetveten.

Subscribe to comments feed Komente (8 publikuar):

driton në 12/10/2009 20:51:17
avatar
pershendetje z.kim me vjen mir per gjitha qe keni then.po me e mir me ka ardhu nga disa komente te vllezerve nga shqipria.nana edhe bujar cani qe ishte nga elbasani po me te drejt kishte aj qe ne populli thjesht dojm kombin sa per politikanet kemi par me vite se si e kan shitur kombin na tregon histria i pershendes gjith shiqptaret ne gjith trojet tona
Thumbs Up Thumbs Down
0
Abdullai, SHBA në 12/10/2009 12:14:45
avatar
Jam shqiptar dhe intelektual nga Maqedonia, por jo maqedon me prejardhje shqiptare, sic pretendojne te na quajne maqedonasit dhe disa intelektuale nga Shqiperia gjoja patriote e kombetare.Shprehja e ketille do te thote asimilim. Maqedone me origjine shqptare do te thote shqiptare te asimiluar. Kete e synojne maqedonasit qe sa me shpejt te bejne asimilimin e shqiptareve.Mirpo edhe shqiptari i Shqiperise kur e perdor kete shprehje ai nuk ben kurgje tjeter vetem qe u ndihmon maqedonasve ta mbrijne qellimin e vet.Kjo ra ne sy teper debati qe u mbajt keto dite ne emisionin e tv klan te Tiranes ne mes dy perfaqesueseve shqiptare intelektuale nga Maqedonia (njeri me graden akademik dhe i dalluar ne fushen shkencore, kurse tjetri politikan, udheheqes partie ne opozite) dhe dy intelektualeve shqiptare "internacionaliste" nga Shqiperia.Ky debat, sipas mendimit tim, ndoshta jam ne gabim,nuk eshte kurgje tjeter vetem e verteton konstatimin e atdhetarit dhe kombetarit tone te denje e te raspektuar personalish prej meje, Zotit Kim Mehmeti per ate jo vetem qe ka shkruajtur tani por edhe me pare edhe qe do vazhdoje te shkruaj. Fatkeqesia e kombit tone eshte se intelektualet e denje shqiptare te
aqedonise qe lufotjone per ceshtjen kombetare nuk paskan perkrahjen e disa intelektualeve nga Tirana.Nga ky depat sjell kete perfundim: Perfaqesuesit intelektuale ose me mire te them "internacionaliste" nga Tirana, kane menduar se para vetes se tyre kane dy "maqedone me origjine shqiptare" nga Maqedonia, jo si intelektuale, por si analfabete dhe ishte dashur qe publikisht t'u mbajne nje leksiov se si duhet te luftojne per bashkejetese me maqedonasit, e jo per "Shqiperine e Madhe". Nese edhe intelektualet e tjere nga Shqiperia vazhdojne me leksione te ketilla, besoni se "Maqedonet me origjine shqiptare" (shqiptaret) edhe me tutje do te jene te diskriminuar ne kete shtet me kembe te thyera qe me zor po mbijeton. Jam banim te perkoheshem ne mergim. Me respekt te gjithe shqiptareve ku do qe gjenden.
Thumbs Up Thumbs Down
0
gocatirones në 11/10/2009 10:51:48
avatar
Tani i Topit ka qen Dibran dhe ne familjen e tij (ashtu sikurse ne timen) e kan njoft shume mire dramen e ndarjes se Dibres mes Shqiperise dhe Maqedonise.
Thumbs Up Thumbs Down
0
gocatirones në 11/10/2009 10:37:07
avatar
O KIm i madh je me te vertete. Shum artikull i bukur , ja vlen te shkruash keshtu gjerash sepse jane vertete shume interesante. Persa i perket temperamentit (karakterit)shqiptar ashtu eshte sic thua ti , qe njet jemi , amo ka pak dallime ne lidhje me formimin intelektual. Ky eshte i vetmi ndryshim qe kam dalllu mes shqiptareve dhe qe ka ardh si pasoje e regjimeve te ndyshem shtypese ne te cilen kane jetu.. Amo tani qe kufijt jane zbehur perzjerja mes nesh padyshim qe do i eliminoje pak nga pak dhe ato pak dallime qe kemi dhe do na homogjenizoj duke na konsoliduar si komb.
Thumbs Up Thumbs Down
0
bujar cani në 11/10/2009 08:42:59
avatar
I dashur miku i gjithe shqiptarve Kim Mehmeti.Te pershendes nga Elbasani nje nga trevat me te ndegjuara te trojeve shqiptare.Te adhuroj si njeri si gazetar publicist e patriot sepse je nje nga zerat e vecante te publicistikes shqiptare, je nga ato njerz qe te verteten e thua ashtu sic ta ndjen zemra pa ndroje i pavarur nga askush pa komplekse nga tirana prishtina e tetova analiza jote per njarjet e momentet historike qe po kalon kmbi shqiptar dhe trojet tona etnike eshte nje analize e sakte koncize sado e hithur qe mund te jete per politikanet tane por eshte e pelqyer per njerzit e thjeshte dhe patriot qe e duan shqiperine kosoven iliriden ashtu sic e don ti.TE uroj gjithe te mirat ne punen tuaj te nderuar te shkrimtarit gazetarit e publicistit dhe gjithmone pena jote te jete ne sherbim te atdheut.TUNG.
Thumbs Up Thumbs Down
0
Cana në 10/10/2009 09:27:54
avatar
Ju lumte Zoteri Mehmeti per kete elaborim. Kemi nevoje per me shume intelektual si ju. Me vjen shume keq qe udheheqesia e politikes shqiptare ne IRJM nuk punojne per interesat qe shkruani Ju por per interesat individuale ose partiake te tyre. Zoti ju mbrofte nga te keqiat.
Thumbs Up Thumbs Down
0
nana në 09/10/2009 15:23:56
avatar
I nderuariKim për shqiptarët e maqedonisë qdo rrespekt , ndersa Tirana kishte nevojë akoma për orët e historisë sa të pa informuar që janë, jam një amvise por historinë e di ma mirë se z.Lubonja dhe z.Velo, edhe unë propozoj emisione vetem per shqiptaret e maqedonisë që të njifemi më mirë .Juve ju lumtë se gjithher ju percjell me dëshiren ma të madhe sepse e di se thuani diqka të menqur.
Thumbs Up Thumbs Down
0
imerali në 09/10/2009 15:00:50
avatar
Me ben te mburrem zoteri Kim po me vjen shum keq qe te kemi vetem nje dhe na prezenton gjithkund ne trojet shqiptare e qe skemi nje multiplikacion te profilit tuaj.
Thumbs Up Thumbs Down
0
total: 8 | Treguar: 1 - 8

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst
Vlerëso tekstin
0