Hyrje | Opinion | Mjegullat e qytetit dhe “smogu”

Mjegullat e qytetit dhe “smogu”

image

Prof.Dr.FAUZI SKENDERI

 

Në qytete nuk është dashur të ketë mjegulla, pasi aty janë temperaturat më të larta dhe lagështia relative e ajrit aty është e vogël, por, përsëri, përmbi sipërfaqet e qyteteve të mëdha ka mjegulla, edhe atë bile mjaftë, të cilat si rëndomë paraqesin komponentën më të dëmshme për ajrin dhe klimën e qyteteve. Mjegulla pengon qarkullimin ascedent dhe descedent (vertikal) të ajrit nëpër qytete dhe largimin e përbërjeve të dëmshme nga atmosfera të cilat gjenden të kondenzuara në pikat e mjegullës së qytetit, të përbëra nga bashkëdyzimet e sulfurdioksidit, karbondioksidit dhe aerokriprave të tjera të ndryshme toksike.

 Mjegullat janë dukuri shumë të shpeshta në radhë të parë të qyteteve  bregdetare, por edhe të atyre të mëdha kontinentale, veçmas gjatë pjesës së ftohtë të vitit, por kur t’i shtohet edhe tymi dhe gazrat që gjenden në tym atëherë, në këto hapësira të mëdha urbane formohet një përzierje e mjegullës dhe tymit në fjalë e quajtur “Smog”(The smoke (ang.) – tym, dhe the fog (ang.) – mjegull), që ka ngjyrë të verdhë në të erët dhe që e vështirëson frymëmarrjen e njeriut, shkakton sëmundje të rënda të organeve të frymëmarrjes, ndonjëherë edhe me pasoja fatale për jetën e vetë njeriut.

Smogu për qytetet e mëdha të botës paraqet hendikep të madh. Më të goditura janë qytetet: Bremen, Hamburg, Nju Jork, Los Anxheles, Londër, Tiranë, Shkup, Tokio dhe shumë të tjerë. Pasojat e para morbide nga smogu janë ndier në dhjetor të vitit 1930 në Belgjikë, në luginën e lumit Mas, në gjatësi prej 25 km, kur pas tri ditëve, ka filluar ngordhja e shtazëve, vdekja e 40 njerëzve dhe zhvendosja e mijëra banorëve, në mesin e të cilëve mijëra njerëz mbetën të sëmurë nga ky helmim ajror i smogut.

Sipas analistëve të ndryshëm, në atë kohë është konstatuar se, helmimin e ka shkaktuar prezenca e madhe e anhidritit sulfurik, i cili është liruar nga djegia e thëngjillit të pasur me sulfur, të sjellë nga Liezhi. Formimin e smogut në këtë kohë e ka ndihmuar edhe inversioni termik i temperaturave mbi luginë, i cili e ka bërë pengimin e ngritjes lartë tymit helmues. Një katastrofë e ngjashme ka ndodhur edhe në qytetin Donore në tetor të vitit 1948, 50km larg Pitsburgut (SHBA), kur brenda 5 ditëve kanë vdekur 20 persona. Shenjat e para iu kanë ngjarë atyre të gripit, e jo helmimit. Prej 15 mijë banorëve sa kishte ky qytet, 50% prej tyre u gjetën të sëmurë, afro 1000 prej tyre të sëmurë rëndë. Një katastrofë  vdekjeprurëse e smogut që ka ndodhur në Londër në periudhën kohore prej 4 deri 9 dhjetor të vitit 1952, profesori Clyde Orr i Institutit Teknologjik të Shtetit Xhorxhia(SHBA) ja si e përshkruan:”Pas dite më 4. dhjetorë është paraqitur një mjegull, e cila nuk është dalluar nga mjegullat tjera të Anglisë. Në mëngjesin e 5. dhjetorit mjegulla është bërë aq e dendur saqë njeriu me vështirësi ka mundur t’i sheh këmbët e tija…Komunikacioni i ka ngjarë konvojeve- përpara dikush ka shkuar dhe ua ka treguar rrugën veturave. Kah fundi i ditës, kur ajri është ngopur me tym, i cili është ngritur lartë nga djegja e 70 tonelatave të thëngjillit nga miliona tymues të banesave dhe fabrikave, ngjyra e mjegullës nga e bardha është bërë e murmë, dhe pastaj e zezë; të gjithë kanë filluar të kolliten. Sinoptikët nuk kanë premtuar për ndryshimin e motit në ditët e ardhshme, pasi, erë nuk ka patur, ndërsa, temperatura përmbi mjegull ka qenë më e lartë, që ia ka shtuar kohëzgjatjen asaj. Shkurt thënë, gjendja në Londër ka qenë e ngjashme me atë të luginës Masa dhe qytetit Donori.

Ditën e tretë gjendja shëndetësore e njerëzve është bërë shumë e rëndë për jetë. Njerëzit e sëmurë nga bronkitisi dhe astma kanë filluar ta ndiejnë rrallimin e punës së zemrës, në mungesë të oksigjenit. Mjekët nuk kanë mundur që të ofrojnë ndihmë numrit sa më të madh të sëmurëve. U kishte mbetur vetëm ajo që të jepnin këshilla përmes telefonit. Në mëngjesin e 7 dhjetorit dukshmëria është zvogëluar deri në 28cm; në të vërtetë njeriu nuk ka mundur ta shohë edhe dorën e vetë të shtrirë përpara vetes. Njerëzit aq nuk kanë parë saqë kanë rënë në ujë dhe janë mbytur. Të tjerët që e kanë humbur rrugën, kanë vdekur ulur diku nga zënia e frymës.

Smogu diçka më 8 dhjetor është ngritur, dhe pastaj përsëri ka zbritur dhe përsëri është ngritur lartë dhe është shpërndarë… Vdekja mesatare javore në Londër në këtë rast, ka qenë 2.000 njerëz.

Pas një jave ky numër është rritur në 4.703 të vdekur, ndërsa javën që ka pasuar 3.138 persona të vdekur, që do të thotë se, dukshëm më shumë viktima ka patur, se sa në kolerën më të rëndë të ndodhur në Londër në vitin 1886. Sipas vlerësimeve të statisticientëve mjekësor, smogu ka shkaktuar vdekjen e mbi 4.000 njerëzve… E kanë pësuar më shumë pleqtë, fëmijët dhe të sëmurit nga sëmundjet kronike të organeve të frymëmarrjes, dhe të sëmurit nga zemra. Rreth 90% e të pësuarve kanë qenë më të vjetër se 45 vjet, dhe rreth 70% mbi 65 vjet…”

Sot vetëm automobilat e Los Anxhelosit djegin mbi 50 miliona tonelata benzinë (me mbi 5 milion automobila në lëvizje) nga i cili në ajër hidhen 100 milion m3 gazra të ndryshëm. Problemi i smogut ndjehet në mbi 10 qytete të SHBA. Për mbrojtje të ajrit është sjellë ligj “për mbrojtjen e ajrit të pastër“.

Ashtu që, në shumë shtete të botës ligje për kontrollimin e gazrave që lirojnë fabrikat, aplikohet teknologji filtruese e tymit të oxhaqeve, të automjeteve, pakësimi i numrit të automjeteve që si lëndë djegëse e përdorin naftën, ndalimi i veturave që nuk kanë katalizator (eko 1. dhe eko 2. etj. Por, problem nr.1 sot në botë në ndotjen e ajrit të qyteteve në radhë të parë e përbën komunikacioni, veçmas ai i vendeve  në zhvillim dhe të pa zhvilluar, ku përveç se veturat janë shumë në numër, por nuk janë teknikisht në rregull, pasi janë shumë të vjetra, dhe nuk janë në gjendje  ta bëjnë në rregull djegien e karburanteve e veçmas të naftës e cila edhe ashtu është shumë ndotëse në djegie.                    

 

Problemi i aerondotjes së qytetit të Shkupit

 

Shkupi si kryeqytet i vendit për shkak të funksioneve të mëdha, që i përmban në vete, qofshin ato: ekonomike, politike, arsimore, shkencore, industriale, tregtare apo edhe komunikative, kanë bërë që në te të grumbullohet një numër shumë i madh i popullsisë së Maqedonisë (mbi 25% e popullsisë së Maqedonisë jeton në Shkup) popullsi e cila kontribuon dukshëm në ndotjen e ajrit të këtij qyteti. Me përjashtim të Velesit, Shkupi është zona me aerondotje më të theksuar në vend. Disa pjesë të qytetit e kanë tejkaluar përqëndrimin e lejuar maksimal (KLM) të aerondotjes. Në ajrin e Shkupit gjenden shumë thërrmija mekanike toksike, të cilat me aterrimin e tyre në sipërfaqe shtresohen si aerosedimente.

Këto aerosedimente përbëhen nga fluraoide, kalciume, sulfate, hi, pluhur dhe materie tjera që vijnë nga djegiet e ndryshme në qytet. Sipas sasisë së aerondotësve të shprehura në mg/m²/ditë, intensiteti i ndotjes së ajrit mbi qytetin e Shkupit ndahet në disa shkallë:

  • Shkalla e I-rë deri 170mg/m² ditë si aerondotje e ulët,
  • Shkalla e II-të e aerondotjes së dalluar prej 170 - 330 mg/m² ditë,
  • Shkalla e III-të e aerondotjes së theksuar prej 330 - 500 mg/m² ditë dhe
  • Shkalla e VI-të e aerondotjes intensive mbi 500 mg/m2 ditë.

 

Burimet kryesore të aerondotjes:

  • tymtarët individualë,
  • ngrohtoret qendrore,
  • automjetet,
  • mjetet e transportit hekurudhor dhe ajror
  • objektet industriale dhe zejtare etj.

Si do që të jetë, ajri i qytetit të Shkupit më i ndotur dhe më i rrezikshëm është në pjesën e ftohtë të vitit, kur prezenca e tymit (ngrohtoret e qytetit, tymi i banesave, automjeteve) dhe e lagështisë relative të ajrit është më e madhe, me ç’rast ofrohen kushte të formimit të “minismogut”, por, pasojat për shëndetin e banorëve të këtij qyteti janë të mëdha, edhe pse nuk manifestohen drejtpërdrejtë. Hiç më mire nuk është gjendja edhe me qytetet tjera  të vendit, si, Tetova, Manastiri, Kërçova etj.

 

 

Ndikimi i ajrit të ndotur të qytetit në shëndetin e njeriut

 

Ajri i qyteteve të mëdha është i ndotur nga materie të ndryshme të dëmshme, të cilat janë shkaktarë kryesorë të sëmundjeve të ndryshme, e veçmas të organeve të frymëmarrjes.(shih tab.40.)

Shkaktarët më të shpeshtë të sëmundjes së organeve të frymëmarrjes janë thërrmijat e pluhurit, e veçmas më të rrezikshme janë ato të cilat kanë madhësi prej 5 mikronëve, pasi ato lehtë mund të hyjnë në mushkëri, derisa ato më të mëdha se 5 mikrona ndalen në organet e hundës dhe bronket e  mushkërive.

Ndotësit kryesorë të ajrit në qytetet e mëdha dhe sëmundjet që i shkaktojnë ato.

Nr

Ndotësit

Burimet kryesore të ndotjes

Sëmundjet

1.

Pluhuri i monoksidkarbonit

Djegia e naftës dhe thëngjillit

Bronkitisi

2.

Karbondioksidi

Kryesisht nga puna e autotransportit

Çrregullimet e frymëmarrjes

3.

Hidrokarburet

Rafineria e naftës dhe gazrat nga motorët

Kanceri i mushkërive

4.

Ozoni

Veprimi i ndërsjellë i rezatimit ultravjollcë  dhe produktet nga djegia e përmes katalizatorit

Bronkitisi dhe infektimi i organeve të frymëmarrjes

5.

Bashkëdyzimet e fluorit

Puna me  enë të emaluara, disa hekurana, fabrikat e plehrave kimike dhe përpunimi i boksitit

Infektimi i lëkurës; ndotja e kullotave

6.

Bashkëdyzimet ploiciklike organike

Djegia jo e plotë e hidrokarbureve

Sëmundjet kancerogjene

7.

Beriliumi

Fabrika e beriliumit

Kokërrzimi i mushkërive

8.

Maja e bukës, lëkura, qimet, puplat…

Bukëpjekësit, fabrikat e përpunimit të lëkurës, fijeve, puplave, mullinjtë, fabrikat e sapunit, duhanit etj.

Alergjia e lëkurës dhe kanaleve frymëmarrëse

 

Prezenca e pluhurit në hapësirën urbane nuk është njëlloj gjithkund, që do të thotë se, diku ka më shumë, e diku më pak, ose mesatarisht nëpër rrugët e një qyteti të madh në 1m3 është 3-5mg, derisa në vëllim të njëjtë në ambientet e Qendrave Tregtare kjo pjesëmarrje është 5-8mg, në hapësirat e kinemave bile edhe më shumë se 16 mg.

 

Tymi është i rrezikshëm pasi përmban materie kancerogjene, ndërsa me refuzimin e rrezeve  të dritës, ai ndikon në funksionin normal të organizmit të njeriut.

 

Garzat e krijuara nga djegia e lëndëve të lëngshme dhe të ngurta djegëse, dhe nga avullimi i prodhimeve kimike, nga të cilët, rrezikohen kanalet e frymëmarrjes, ndërsa, në përzierje me mjegullën “smogun” për jetën e njeriut mundë të jetë vdekjeprurës. Por, për këto dhe të tjera, më së miri do të mësojmë nga pasqyra tabelore 40.

 

Përpjekjet e njeriut në mbrojtje të ajrit nga aerondotja dhe zgjedhja e zonave për ndërtim

 

Përpos formave dhe metodave standarde të luftës për mbrojtje të ajrit nga ndotja, në përdorim janë futur edhe mënyrat e bartjes së gazrave dhe nga burimet deri në varrimin e tyre nëpër sisteme të kanaleve nëntokësore. Janë konstruktuar edhe makina që e bëjnë filtrimin e ajrit me kapacitete prej 600.000 l/h. Kjo luftë e re kundër ndotjes së ajrit, ka filluar të aplikohet së pari në SHBA, Francë, Austri, Gjermani, Japoni etj. Lufta më efikase është e ndërtimit të blloqeve të veçanta për banim dhe e zonave industriale, me ç’rast, mirë duhet studiuar kahja e lëvizjes, koha dhe fuqia e erërave.

Shumë efikase janë treguar angazhimet për zgjerimin e sipërfaqeve të gjelbëruara në zona të banuara. Pastaj duhet përkufizuar kufirin maksimal të zgjerimit të qytetit, gjë që qyteti të zgjerohet në pakufi.

Pasqyra për përqendrimin e lejuar maksimal të disa materieve të dëmshme në përbërje të atmosferës mbi qytete në temperatura të ajrit prej 0ºC dhe shtypje atmosferike prej 760 Hg përkatësisht 1013mb.

“Megjithatë, duhet pranuar një realitet të hidhur se, ndotësi kryesor i mjedisit jetësor në Tokë është vetë njeriu, dhe për të patur sukses ai në këtë plan, në radhë të parë duhet ta luftojë vetveten, nëse dëshiron të  që të mbijetojë”(F.S.)   

 

(Autori i këtij shkrimi është profesori rregullt në USHT)         

 

 

Subscribe to comments feed Komente (1 publikuar):

..w.. në 24/12/2013 10:45:56
avatar
...mund te kete edhe viktima nga ky smog i shum i rrezikshem...
Thumbs Up Thumbs Down
0
total: 1 | Treguar: 1 - 1

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh: