Poll: Estrada shqiptare
Cila është këngëtarja më e bukur ?
Hyrje | Opinion | A e shqetëson Maqedoninë largimi i shqiptarëve pas liberalizimit të vizave?

A e shqetëson Maqedoninë largimi i shqiptarëve pas liberalizimit të vizave?

Madhesia e germave: Decrease font Enlarge font
image

Izeir MUSTAFAI

Thonë se historia përsëritet,por jo si e vërtetë,por si farsë!Kjo dukuri e largimit të shqiptarëve nga trojet tona, e veçanërisht nga Kumanova me rrethinë këtyre ditëve, po mbush lajmet e mjeteve elektronike të informimit dhe faqet e gazetave. Shqiptarët po i numërojnë ata që po largohen, kurse politikanët dhe qeveritarët e tyre japin deklarata. Dhe dikush do të pyesë për mua:Vallë,ç’iu desh këtij të merret me këtë dukuri? Kujt do t’ia vrasin veshin, apo ndërgjegjen këto pak rreshta të këtij shkrimi?

Por nuk mund të hesht e të mos shqetësohem ,sepse po largohen shqiptarët e zonës së konfliktit të vitit 2001, të cilët i përjetuan ngjarjet e tmerrshme të atij viti dhe na trimëruan me qëndresën e vendosur kombëtare.

Dua t’i bëj një vështrim të përgjithshëm historik këtij fenomeni të përsëritur të shqiptarëve, duke mos marrë në konsideratë data historike dhe fakte të njohura.

Sipas bindjes sime, ndoshta të gabuar, mund të shënohen tri etapa të gjata të shpërnguljes së shqiptarëve nga trojet e tyre në historinë tonë më të re,të cilat bartin karakteristika nga më të ndryshmet dhe mund të analizohen nga aspekte të ndryshme, varësisht prej kohës, rrethanave politike, sociale e shoqërore. Historianët tanë e kanë analizuar nga aspekti historik e shkencor fenomenin e shpërnguljeve të shqiptarëve nga trojet e tyre dhe kanë nxjerrë përfundime të sakta. Edhe studiues të fushave tjera të studimeve janë marrë me shpërnguljet,siç janë demografët,folkloristët,ekonomistët,shkrimtarët,analistët e ndryshëm,etj.

Etapa,apo periudha e parë, ka të bëjë me shekullin XIX,kur shqiptarët largoheshin nga trojet e tyre si rezultat i rrethanave politike e shoqërore të sundimit të përzgjatur të Perandorisë Osmane. Në ato vite shqiptarët shpërnguleshin kryesisht në drejtim të kryeqendrës së perandorisë,ose në periferi të saj,kurse një pjesë e mirë migronin drejt Egjiptit,Rumanisë e në ndonjë vend tjetër. Kjo shpërngulje zgjati gjer në vitin 1912, kur u shpall pavarësia e shtetit të cunguar që u quajt Shqipëri. Kjo etapë përfshin edhe shpërnguljet me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre nga Toplice, Prokuple, Nish,Vranjë e të tjera,që për pasojë kanë edhe tkurrjen e territoreve në të cilat shqiptarët kanë jetuar prej mijëra vitesh.

Etapa e dytë sipas mendimit tim ka të bëjë me shpërnguljen e shqiptarëve jasht trojeve të Shqipërisë politike dhe që si shkaktar ka dhunën e ushtruar mbi shqiptarët dhe rrethanat e reja politike e sociale që u krijuan me ndërrimin e sundimeve të të huajve,gjë e cila ndodh edhe sot.Sipas mendimit tim kjo etapë shtrihet nga viti 1912 e gjer në kohën e rënies së Informbyrosë nga fundi i viteve gjashtëdhjetë në ish Jugosllavi. Karakterizohet me shpërngulje masive me dhunë të popullsisë myslimane çame dhe me shpërnguljet e shqiptarëve të Kosovës sipas projekteve famëkëqija të Çubrilloviqit dhe Andriqit dhe që u pasuan me ato në kohën e Informbyrosë.

Etapa e ,tretë mendoj se është ajo e viteve shtatëdhjetë e këndej të cilën e konsideroj si shpërngulje me karakter politik e ekonomik,e cila vazhdon edhe sot e kësaj dite.

Mund të bëhen edhe ndarje të tjera e më të sakta,por qëllimi im nuk është të sjell argumente lidhur me këtë dukuri të shqiptarëve në trojet e veta etnike. Kjo ndarje edhe mund të jetë e gabuar dhe unë do ta mirëpres çdo vërejtje që do të më bëhet nga reagimet që do të mund të nxiten nga ky shkrim.

Meqë theksova që në fillim se do të bëj vetëm një vështrim përgjithësues,dua t’i theksoj vetëm dy karakteristika esenciale,të cilat mund të argumentohen nga studiuesit tanë. Etapa e parë karakterizohet me shpërngulje masive si rezultat i robërisë shekullore dhe me ngushtimin e hapësirës territoriale të Toplices, Prokuples,etj,kurse etapa e dytë dhe e tretë karakterizohet me shpërnguljet me dhunë si rezultat i projekteve të sunduesve të rinj mbi trojet shqiptare,e cila po ashtu rezulton me tkurrje të territoreve shqiptare të Çamërisë etj. Pra etapa e dytë ka të bëjë kryesisht me territoret jashtë kufijve të sotëm të Shqipërisë.Dy etapat e para kanë të përbashkët faktin që edhe përkundër shpërnguljes masive shqiptarët e kanë ruajtur prezencën e tyre në mënyrë të ekuilibruar si rezultat i natalitetit apo riproduktimt të popullatës sipas traditës. Këta ndryshe mund të quhen edhe si faktorë të jashtëm.

Analizimi i kësaj dukurie mund të shoqërohet edhe me një varg argumentesh të tjera,por qëllimi im nuk është aty.

Për mua etapa e tretë është periodë me shpërngulje të karakterit ekonomik apo politik,ose politik e ekonomik,e cila në këto rrethana të reja ekonomike dhe politike më moderne, shoqërohet me një fenomen të ri që është rënia e natalitetit edhe te shqiptarët. Në rrethana më të volitshme politike po ndodh zbrazje e vendbanimeve tona dhe boshatisje të shkollave,dukuri e cila mund të sjellë tkurrjen e territoreve të përhershme shqiptare.

Tani kur liberalizimi i vizave nxori në shesh shpërnguljen e heshtur e të mëhershme të shqiptarëve në R e Maqedonisë,zbulohet edhe indiferenca e faktorit politik shqiptar ndaj këtij fenomeni. Likova, kjo vatër e rezistencës së paepur shqiptare,e zbardhi këtë indiferencë të politikës shqiptare.

Në kuadër të veprimtarisë së saj humanitare SHHB ,,Nëna Tereze”,edhe pas konfliktit të vitit 2001, ashtu sikurse edhe më parë, vazhdoi me dërgimin e ndihmave në rajonin e Likovës dhe të vendbanimeve të Malësisë së mbi Shkupit. Në njërin kontingjent të ndihmave mora pjesë edhe unë personalisht. Kontingjenti i ndihmave humanitare përmbante artikuj ushqimorë dhe veshmbathje dhe u dedikohej vetëm familjeve të dëshmorëve..Ishte një përjetim që nuk do ta harroj kurrë!I denjë për një kryevepër do të thoshte ndonjë shkrimtar!Si mund ta harroj unë shtëpinë ku ndodhi drama fatale e familjes Zymberi?Si mund t’i harroj ato bashkëshorte të dëshmorëve me kalamajtë e tyre jetimë?Si mund ta harroj babin ,i cili qëndronte dinjitoz, edhe pse kishe humbur djalin dhe nusen e tij luftëtarë dhe fëmijën e tyre të palindur? Si mund ta harroj nivelin më të ulët të standardit jetësor dhe varfërinë e kësaj zone?Si mund t’i harroj ata kalamaj të lindur para e pas konfliktit?Si mund t’i harroj ata prindër që qëndronin krenarë me veprën e madhe kombëtare të bijve të tyre?Si mund ta harroj atë korrierin e ri,i cili si era bartte ujin për luftëtarët e që ra dëshmor i granatimeve?

Po shoqata ,,Nënë Tereza”nuk e ndërpreu veprimtarinë humanitare në këto anë. Një varg kontingjentesh me ndihma humanitare u dërguan edhe në vitet e mëpasme për banorët e pjesës më malore e më të varfër të zonës. Por duhet thënë se kjo ndihmë kurrë nuk u ka mjaftuar atyre. Zona ka nevojë për zhvillim ekonomik që të mund të përballohet papunësia dhe varfëria. Atëherë ç’bënë politikanët e qeveritarët tanë?Përgjigjen e dini vet!

Pas konfliktit Kumanova me rrethinë i bartën pasojat e konfliktit pa asnjë iniciativë për përmirësimin e gjendjes. Në aspektin social nuk pati zgjidhje. Asnjëherë nuk u zgjodhën plotësisht problemet në arsim. Nuk u realizua asnjë projekt ekonomik. Dhe më e keqja është se pas konfliktit ndodhën një varg vrasjesh,burgimesh e përndjekjesh. Kujtoni Manastirin ku ka mbetur një grusht shqiptarësh të pambrojtur,që nuk paraqesin asnjë problem për atë komunë,e që u nënshtrohen presioneve të vazhdueshme drejt përjashtimit të tërësishëm fizik nga ai rajon. Shqiptarët e Manastirit,edhe pse është e garantuar me ligj,nuk guxojnë ta hapin gojën për shkollë të mesme.

Po ç’mund të bëjnë qeveritarët tanë ndaj këtij eksodi,përveçse t’i kërcënojnë ata e t’i pengojnë agjencitë e udhëtimit!?

Mbase e kam gabim por mendoj se edhe kjo eufori do ta ketë epilogun e vet. Të tilla largime biblike populli ynë ka përjetuar shumë herë. Shpresoj në frenimin e kësaj euforie me rënien graduale të saj. Shqiptarët i kanë tejkaluar të tjerat e do ta kalojnë edhe këtë. Efektet pozitive të liberalizimit të vizave do të ndjehen më vonë dhe më mirë. Tani ëndrra e atyre të rinjve, që e kanë imagjinuar perëndimin ,do të bëhet realitet në kuptimin e vërtetë dhe real të fjalës. Shpresoj se rinia jonë do të bindet se megjithatë puna në dhe të huaj është shumë e rëndë dhe se lumturia e vërtetë mund të ndërtohet në vendlindje. Së paku këtë përshtypje e kemi pasur ne në kohën e rinisë edhe kur i kemi shkelur ato vende të perëndimit. Mbase nuk është analoge me liberalizimin e vizave në vendet e UE,por marrja e vizës dhjetëvjeçare nga SHBA nuk ka rezultuar me mbetjen e atyre personave në shtetin amerikan,përveç ndonjë përjashtimi. Siç më tha një mik i imi nga Dibra,personat që shkojnë në SHBA përmes rrugëve kontrabanduese ,janë të detyruar të punojnë me vite deri në shlyerjen e huas për udhëtim e hyrje në shtetin amerikan dhe për përfitimin e vendqëndrimit në atë shtet, kështu që atij edhe po të dojë nuk i mundësohet kthimi në vendin e tij. Koha do të dëshmojë se a do të ndodhë më e mira apo më e keqja.

Dhe në fund kërkoj falje për perceptimet e mia të gabuara,por së paku le të zgjohet kërshëria e lexuesve. Çdo analizë tjetër fare do të ishte e mirëpritur.

Subscribe to comments feed Komente (4 publikuar):

taqi në 16/07/2010 15:03:50
avatar
Me mujt maqedoni tan shqiptaret i kish shti ne grope te gelqeres qe sa i shqetson largimi i shqiptareve maqedonasit qe ikin shqiptaret nga trojet e tyre!
Thumbs Up Thumbs Down
0
Kumanova në 30/06/2010 09:46:25
avatar
gegeri, po maqedonasit punojn, se kan shtetin ne dor, pse ti su bere burr me luftua dhe me shperngul nga maqedonia maqedonasit, mos fol fjal boshe se asnje nuk shkon prej qefi vetem nga zori...
Thumbs Up Thumbs Down
0
Selsebil në 04/06/2010 13:40:33
avatar
A e shqetëson Maqedoninë largimi i shqiptarëve pas liberalizimit të vizave? Pse ,ne shqiptaret a nuk e dijme pergjigjen ë?Jo qe e shqeteson por e KENAQ!Dhe mos ia hudhni fajin maqedonasve por shqiptareve kolltukaxhinje!Vleresoj mundin e autorit per kete teme te hidhur por e ka gabim kur pret qe ne qe jemi "OUT" te fitojme para e te kthehemi !Pse?Sepse cdo tentim per tu kthyer ne vendlindje has ne veshtiresi te ndryshme pikerisht nga ata qe hane popullin e ngrate shqiptar...Cka ofrojne partite shqiptare ne maqedoni per ata qe deshirojne te kthehen ne vendlindjet e veta?Nuk them te sigurojne vende pune ,troje per ndertim apo ndonje benefit tjeter te ngjajshem por vetem te mos pengojne kthimin e tyre!Zotni Izeir Mustafa pyetni gurbetcaret,nese nuk e dini,se pse heqin te zinjte e ullirit per te nxjerre vetem nje dokument , leje ndertimi etj...Pra gjerat elementare per t'ia nisur prej fillimi!Dhe qysh do te braktisim vendin e "Huaj"kur ketu (SHBA)cdo gje funksionon si duhet-kemi pune,nenshtetesi amerikane,cdo dokument qe te nevojitet merret aty per aty pa kurfare pengese,standard me nje fjale, etj,etj...dhe perseri ne shqiptaret digjemi per vendlindjet tona dhe deshirojme qe ta lëmë kete standard e te kthehemi por se pse nuk e bejme kete ,tani per tani, ju me siguri e dini pergjigjen ,por leni njehere e pergjithmone akuzat ndaj maqedonasve -ata kane te drejte te na trajtojne ashtu sic na trajtojne -fajin kerkojeni te ata"shqiptare" qe i voton populli te hanë ne te njejten pjatë me po ata maqedonas qe kenaqen per gjendjen qe kane sot shqiptarët!Jane te shitur ata(brenda) e jemi te blerë ne(jashtë)...
Thumbs Up Thumbs Down
0
gegeri në 01/06/2010 09:50:50
avatar
SU han palla sllavo maqedoneve per shqiptaret bile me mujt krejt i shfarosin nga maqedonia.Kurse shqiptaret e kan marak me e hanger palesh dhe shkojne e emigrojne vetem per nje arsye ,jo te punojne por qe shteti ti man badihava!Pse nuk po emigrojne sllavomaqedonet !?,ata punojne token dhe bejn punen e duhaur!
Thumbs Up Thumbs Down
1
total: 4 | Treguar: 1 - 4

Publikoni komentin tuaj comment

Ju lutem shënoni kodin që shikoni në imazh:

  • email Email shokëve
  • print Printo
  • Plain text Vetem tekst