Opozita insiston për amnistinë, pushteti kundërshton (VIDEO)

Kryeministri Zoran Zaev mbrëmë prerazi hodhi poshtë kërkesën e VMRO DPMNE-së për faljen e personave që ndiqAen për ngjarjet e 27 prillit. Qëndrimi nuk u përmend në pjesën e fjalimit për bisedimet e mbrëmshme, por si pjesë e pyetjes së gazetarëve.

Amnisti, direkte, indirekte, e anashkaluar, nuk kam të drejtë as unë, e as Mickoski, e as askush tjetër në shtetin në të cilin luftojmë për reformën më të rëndësishme në gjyqësor, sundimin e së drejtës dhe që ligji të vlejnë në mënyrë të njëjtë për të gjithë. Kjo është e paparamendueshme. Dhe për gjëra të këtilla, normalisht se nuk mund të bisedojmë. Nuk kemi të drejtë, nuk kemi kurrfarë mandati – deklaroi Zoran Zaev .

Amnistia „indirekte dhe e anashkaluar“ që e përmendi Zaevi deri tani nuk ishte e njohur si objekt i bisedimeve në opinion. Një pjesë e mediave, duke iu referuar burimeve jozyrtare, tashmë publikuan se bëhet fjalë për kërkesë të VMRO-DPMNE-së për ndryshime në Kodin Penal. Sipas „Dojçe veles“ ndryshimet potenciale do të rezultonin me vjetërsimin më të shpejtë të veprave penale nga aktakuzat e PSP-së kundër një pjese të madhe të ish-funksionarëve të partisë. Në këtë mënyrë do të ishin amnistuar në mënyrë të tërthortë.

Burim i mirë informuar nga VMRO-DPMNE-ja për Alsat M konfirmoi se pjesë e bisedimeve me pushtetin janë edhe ndryshimet e Kodit penal dhe se të njëjtat janë dakorduar në kontekst të ndryshimeve të ligjit për financimin e partive politike. Më konkretisht bëhet fjalë për nenin 165-a i cili e rregullon përgjegjësinë për keqpërdorimin e mjeteve për financimin e fushatës politike. Neni i dytë për të cilin kërkohet ndryshim është neni 353 që ka të bëjë me keqpërdorimin e detyrës dhe autorizimeve zyrtare. Burimi jonë pohon se VMRO-DPMNE-ja nuk ka kërkuar uljen e dënimit për përgjegjësinë e individëve për kryerjen e veprave penale sipas këtyre dy neneve. Ajo ka kërkuar që dispozitat ndëshkuese të futen në ligjin për financimin e partive politike dhe më e rëndësishmja, të fshihen pjesët e ligjit që gjenerojnë dënime edhe për vetë partinë politike. Qëllimi, sipas opozitës, është që dënimi për individë që kanë bërë keqpërdorime të mos shkaktojë edhe mbylljen e partisë.

Alsat M kërkoi qëndrim zyrtarë nga VMRO-DPMNE për atë nëse partia edhe më tej do të kërkojë amnisti për 27 prillin por edhe amnisti “indirekte” për të cilën fliste kryeministri. Deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje.

Loading...