RAMADAN RAMADANI

Një personalitet i lartë i partisë qeveritare shqiptare në Maqedoni; i BDI-së, para disa muajve në një pranim solemn me rastin e një date kombëtare të një shteti mik në bisedë e sipër më thumbonte që t’i përgjigjem se pse vallë këto partitë dhe iniciativat e reja nuk bashkohen?! Ta them të drejtën atëbotë u ndjeva i komplimentuar se pse zgjodhi që nga unë të dëshironte të mësojë këtë gjë pasi përveç dozës së sarkazmës dhe thumbimit në pyetjen e tij qartë shihej edhe kureshtja që mos kështu edhe do dinte shkakun e gjithë asaj që ndodhi apo do ndodhte në lidhje me këtë çështje.

Pasi vet nuk isha në pozitë të flas për asnjërën nga këto iniciativat e reja opozitare e as minimumin e respektit ndaj pyetësit që së paku ti sqarojë të vërtetën që e mendoja në atë moment zgjodha t’i përgjigjem shkurt se mua nga gjithë ato versione që kam analizuar më i besueshmi më duket ai se ato në fakt ato janë marr vesh mes vete, por aktrojnë të ndarë dhe të përçarë vetëm për të shtyrë që ju të BDI të bashkoheni në një me PDSH-në para zgjedhjeve e me atë t’i jepni vrull ende më shumë bashkimit, rritjes dhe fitores së tyre të madhe ndër shqiptarë?!

Për së fundmi herë të kthehem në këtë ndodhi vetëm për të sqaruar se kjo ishte herët; ende para se me dalë afera e Telekomit nga gjykata e Nju Jorkut, partia Uniteti dhe kur PDSH vetëm teksa kishte bërë vetëm ofertën e parë publike për bashkim e bashkëpunim ndaj BDI-së. Këto ofrime dhe oferta serioze nga vet lideri i PDSH-së mandej edhe u përsëritën disa herë. Ato mbetën të papërgjigjura për të kulmuar me ofertën e fundit që u përgjigj nga BDI se këto të folurat për bashkim me ta janë tendenca qëllimkëqija?! Tejet ofenduese si përgjigje, sikur ndaj dikujt që propozon seriozisht e këto i thonë: po haj rrimë kështu; në lidhje për aventurë, ilegale dhe kështu tinëz?! E publikisht e mohojmë atë lidhje?! Çfarë poshtërimi publik ndaj ofertës dhe seriozitetit!

Nëse do mbesim te shembujt e lidhjeve të dashurisë me diçka nga këto do mund të sqarojmë edhe problemin e iniciativave politike të reja dhe të vjetra opozitare ndër shqiptarët e Maqedonisë. Sipas meje problemi më i madh i tyri është shpresa e madhe që ata kanë zgjuar në elektoratin shqiptarë, i cili me padurim pret bashkimin ose bashkëpunimin e tyre për të përmbysur mjegullën, paqartësinë, status quonë dhe qolellëkun ndaj regjimit të kushërinjve, gjëra këto të vetme që artikulojnë tërë viteve të fundit BDI dhe PDSH.

Kjo shpresë dhe pritje në elektoratin shqiptar sqarohet me atë se për momentin interesi kombëtar ndër shqiptarët e këtushëm është që të përmbysin edhe me vota zyrtare pretendimin se këto dyja, vet ose bashkë, përfaqësojnë shqiptarët. Pretendimin brenda dhe jashtë vendit.

Por, kjo pritje paraqet rrezik për organizimet opozitare pasi fajtorët e dëshmuar për mosbashkëpunim, nëse do dalin të tillë, do jenë deri në diskualifim të dënuar nga votuesit. Njashtu rrezik paraqet edhe ikja e votës shqiptare, sidomos në tre njësitë e përziera zgjedhore në favor direkt për opozitën maqedonase. Kjo pasi ka një sasi votash aktive shqiptare në Maqedoni dhe të cilët nëse nuk binden se ju efektizohet vota e tyre për opozitë ndaj regjimit nëse do e jepnin për opozitën shqiptare ajo do shkoje në konton e opozitës maqedonase, pasi aty e ka të garantuar efektin e vet ndëshkues ndaj zullumit aktual.

Tani pasi në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos u miratua edhe pjesa e reformave zgjedhore që si pasojë solli mbetjen e ndarjes së Maqedonisë në gjashtë njësi zgjedhore duhet konstatuar se votuesit do kenë edhe më tej problem të përfaqësojnë vullnetin politik në përgjithësi në vend. Kjo pasi me një njësi zgjedhore sigurisht se rezultati zgjedhor do ishte më i përfaqësueshëm për vullnetin politik të përgjithshëm në vend. Kjo sidomos vlen për votuesit shqiptarë në Maqedoni që edhe këtë herë në vend se një do mund të japin gjashtë fire në votat e tyre të dhëna për opsionin e preferuar politik.

Ashtu duke u kombinuar momenti i jashtëzakonshëm i këtyre zgjedhjeve që doli nga kriza politike më e madhe në historinë e këtij vendi me domosdoshmërinë e përmirësimit të përfaqësimit politik shqiptar partitë opozitare shqiptare do ishte mirë të shqyrtonin dhe miratonin modelin e propozuar dhe me shifra të dëshmuar nga disa ekspertë, që të dalin në zgjedhje veç e veç në njësinë numër gjashtë. Kurse të bashkuara në tre apo katër njësitë tjera zgjedhore. Kështu  do artikulohej dhe efektuizohej shumë nga firoja e mundshme e votave në ato njësi, do shtohej bindja ndaj votuesve të opozitës për artikulim të votës së tyre, por edhe do mënjanohej disproporcionaliteti mes këtyre pesë garuesve PPD, RDK, LR-PDSH, Besa dhe Uniteti. Disproporcionalitet ka në atë se disa prej këtyre organizimeve kanë marrë pjesë në zgjedhje më herët kurse disa janë për herë të parë dhe disa prej të rejave janë formuar më herët e disa më vonë dhe me të drejtë ata nuk janë të barabarta dhe kanë nevojë të maten drejtë. Diku dhe disi. E kjo tani mund bëhet tek njësia numër gjashtë, aty ku nuk ka rrezik të firës së votës.

 

Loading...