Vjen momenti i El Clasicos së parë të sezonit 2018-2019, Barcelona-Real Madrid. Në orën 16:15, në “Camp Nou”, përplasin “brirët” dy gjigantët e futbollit spanjoll, këtë herë ndryshe nga përballjet e dekadës së fundit.

Një ditë do të ndodhte dhe ajo ditë ja ku erdhi. Duhet të kalonin plot 11 vite, për të parë të luhet një “klasike” pa Messin dhe Cristiano Ronaldon. Hera e fundit ishte në sezonin 2007-2008, ku trajnerë ishin Schuster te Reali dhe Rijkaard te Barcelona, ndërsa ndeshja u fitua nga madrilenët, me gol të Julio Baptistës.

Në atë kohë presidentë ishin Ramon Calderon te Reali i Madridit dhe Joan Laporta te Barcelona. Cristiano Ronaldo bënte histori me Mançesterin, ndërsa Messi u dëmtua dhe e humbi këtë ndeshje. Sot, portugezi është te Juventusi dhe argjentinasi sërish i dëmtuar. Në “Camp Nou” do të luhet një “El Clasico” e pazakontë, pa dy “yjet” që kanë shkëlqyer në vitet e fundit, ndaj dilema më e madhe e sportdashësve, lidhet me ata që do t’i zëvendësojnë në katërkëndëshin e blertë.

Lopetegui pritet t’i besojë Iskos, vendin e lënë bosh nga Cristiano Ronaldo te Reali i Madridit. Edhe pse tekniku madrilen nuk ka qenë i qëndrueshëm me formacionet e tij, 11-shja e tij ideale përbëhet nga Kasemiro-Kros-Modriç në mesfushë, çka do të thotë se Isko do të jetë më i avancuar, me Balen dhe Benzemanë, ndonëse nuk përjashtohet si mundësi Asensio.

Trajneri i Barcelonës, Valverde, përzgjodhi Rafinhën, për të zëvendësuar Messin, në Champions përballë Interit, por në konferencë për shtyp la të kuptohet se mund të ndryshojë, pasi tha se El Clasico ka një tjetër muzikë. Zëvendësuesi ideal duket Dembele, por francezi as që doli nga stoli në ndeshjen e Champions-it, ndërsa trajneri Valverde pëlqen më shumë të ketë një mesfushë të fortë në ndeshjet delikate. Një tjetër opsion është Sergi Roberto i avancuar në të djathtë.

Loading...