Ornela flet për dallimet mes shqiptarëve dhe gjermanëve

Vetëm nga Siria që vijnë më tepër azilkërkues në Gjermani, mandej në radhë janë shqiptarët. „rp-online.de“ ka thirrë në Shqipëri dhe ka pyetur një shqiptare shumë normale, për arsyet e kësaj dukurie: Udhërrëfyesja turistike 28-vjeçare shqiptare, Ornela Bickert nga kryeqyteti shqiptar, Tirana.

Për numrin e madh të shqiptarëve të cilët gjatë këtij viti, kishin vërshuar Gjermaninë, Ornela mendon se gjithçka kishte filluar nga Kosova, në vitin 2014. Atje kishin filluar thashethemet se në Gjermani ka punë dhe mund të fitohet azil. Ky lajm u përhapë shumë shpejt edhe në Shqipëri, përmes Shqipërisë Veriore. Por, ajo beson se numri i kosovarëve të cilët kërkojnë azil ka rënë dhe se do të bie dukshëm.

„Shumica e shqiptarëve kanë vërejtur se fqinjët e tyre kishin shkuar për në Gjermani dhe nuk ishin kthyer. Për këtë, edhe ata kishin vendosur të shkojnë. Por, në muajin shtator, shqiptarët e parë u kthyen për në Shqipëri. Shqyrtimi i kërkesave zgjati shumë kohë, deri në gjashtë muaj. Ministri ynë i brendshëm ka lidhur një marrëveshje me Gjermaninë, që shqyrtimi i kërkesave të zgjatë vetëm disa javë dhe shqiptarët të kthehen sa më shpejt. Përpos kësaj, Angela Merkel gjatë muajit korrik ishte në Shqipëri dhe konfirmoi qartë se për shqiptarët nuk ka gjsa për azil“, ka pohuar Ornela për „rp-online.de“, njofton „Shtegu.com“.

rp-online.de: Ardhja e shqiptarëve në Gjermani, a ka të bëjë me situatën ekonomike?

Ornela Bickert: E vërtetë. Në të shumtën e rasteve, atje vijnë personat që nuk kanë punë dhe që nuk kanë çfarë të humbasin. Një shqiptar i punësuar, do të mendohet dy herë nëse do të shkojë në Gjermani.

Sa e keqe është situata ekonomike në Shqipëri?

Ornela Bickert: Shqipëria i takon shteteve me të ardhura më të ulëta për person në Europë. Paga minimale është 160 euro në muaj, të ardhurat mesatare janë në mes të 350 deri 400 euro. I papunësuari merr ndihmë prej rreth 30-40 euro në muaj, me të cilat në Shqipëri nuk mund të jetohet.

 

Ju jetoni në Tiranë. Po që se krahasoni Tiranën me ndonjë qytet të madh gjerman – sa të mëdha janë dallimet?

Ornela Bickert: Tirana ka dy anë. Një Tiranë e cila është shumë bashkëkohore dhe do të mund të barazohej me qytetet e mëdha në BE, por një pjesë e saj është shumë e prapambetur.

Sa fitoni në muaj?

Ornela Bickert: Nuk kam të ardhura të qëndrueshme, pasi bëj punën e ciceronit, udhërrëfyese për turistë. Për këtë fitoj nga 50 euro në ditë, të cilat janë në rregull, por unë nuk kam punë çdo ditë. Gjatë dimrit për shembull nuk kam shumë punë, prandaj duhet të jetoj nga kursimet. Unë do të thoja se mesatarisht në muaj marr nga 500 euro. Dhe kjo është më mirë se sa punën që e bëja më parë.

Ku ishit të punësuar paraprakisht?

Ornela Bickert: Në një shitore për mirëmbajtjen e elektronikës. Atje punoja 48 orë në javë dhe kisha vetëm një ditë të lirë. Ishte një punë me të cilën vizitorët nevrikoseshin për gjëra të imta dhe kjo manifestohej edhe në jetën private, pasi çdo problem i vogël shndërrohej në problem të madh. Dhe, e gjithë kjo për vetëm 220 euro në muaj.

A mund të jetonit nga këto të holla?

Ornela Bickert: Natyrisht se jo, pasi vetëm qiraja më kushtonte 300 euro në muaj. Por, unë jetoja me bashkëshortin tim, i cili është gjerman. Së bashku ishim në gjendje ta paguanim qiranë. Burri im sërish jeton në Gjermani. Banesa ime aktuale kushton 160 euro, por është në periferi të Tiranës. Shumë gjëra në Shqipëri janë jashtzakonisht shtrenjtë.

Çka për shembull?

Ornela Bickert: Artikujt ushqimorë. Ata janë shtrenjtë pa marrë parasysh se në cilën shitore i blen. Artikujt e importuar ushqimorë, siç është parmesani italian, nuk mund t`i blej pothuajse asnjëherë.

Po që se vi në Shqipëri, ku do ta shihja varfërinë?

Ornela Bickert: Për këtë, ju duhet të udhëtoni nëpër vend. Shumica e fshatrave janë lënë në harresë nga politikanët. Shumica e rrugëve nuk janë të asfaltuara, rryma është me ndërprerje të shpeshta, shumë pak shkolla dhe ambulanca. Paramendoni, në bujqësi ende aktivizohen kuajt.

Ju jeni rritur në një qytezë të vogël. Si ishte ajo kohë?

Ornela Bickert: Shumë e vështirë. Ndonjëherë më duhej një orë për të shkuar në shkollë. Për këtë, shumica e shqiptarëve janë vendosur në Tiranë. Që nga viti 1990, numri i banorëve është rritur masovikisht.

Së shpejti do t`i bashkoheni bashkëshortit tuaj në Gjermani. Në çfarë sektori do të punoni atje?

Ornela Bickert: Për fat të keq, diploma ime nga gjeografia nuk vlen në Gjermani. Për këtë, do të doja të punoj në sektorin turistik, për shembull si udhërrëfyese turistike.

A nuk brengoseni se ndoshta mund të duhet të punoni si pastruese?

Ornela Bickert: Asnjëherë nuk do ta bëja një punë të tillë. Ndoshta do të më duhet të bëj ndonjë profesionalizim në mënyrë që t`i rriti gjasat e mia.

Çfarë do tu mungojë kur të vendoseni në Gjermani?

Ornela Bickert: Kur shqiptarët takohen me shokë në kafiteri, ata rrinë me orë të tëra së bashku. Vetëm pas një gjysmë ore, gjermanët nuk kanë më kohë të lirë.

 

Loading...