Osmani-Aselborn: Zgjidhjen do ta gjejmë duke parë drejt së ardhmes

Ministri i Punëve të Jashtme të Luksemburgut, Zhan Aselborn në Shkup qëndron në një prej periudhave me sfidat më të mëdha, më të rëndësishme dhe më komplekse të Republikës së Maqedonisë, që është referendumi i ardhshëm më 30 shtator dhe implementimi i Marrëveshjes së Prespës që ishte një prej barrierave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE dhe në NATO, theksoi sot nënkryeministri për Çështje Evropiane Bujar Osmani pas takimit me shefin e diplomacisë të Luksemburgut.

“Maqedonia tani më dy vjet po kalon një periudhë të fuqishme të tranzicionit, ku përmes mbështetjes së sinqertë të miqve tanë ndërkombëtar, krijojmë kushte për progres në integrimet evropiane dhe euroatlantike. Gjatë gjithë kësaj periudhe, vendi po ballafaqohet me sfida të numërta, e me siguri një prej sfidave më kryesore dhe më komplekse është sfida e implementimit të Marrëveshjes së Prespës, me të cilën mbyllet një kontest afatgjatë mes dy fqinjëve Maqedonisë dhe Greqisë, i cili paraqiste pengesë të patejkalueshme në progresin e proceseve integruese”, theksoi Osmani në deklaratën e tij pas takimit.

Në këtë kontekst ai potencoi se prania dhe mbështetja e partnerëve tanë ndërkombëtarë paraqet akt të miqësisë dhe inkurajimi, mbështetje që është e mirëseardhur në veçanti në këto momente të vendimeve të rëndësishme.

Osmani theksoi se “krahas aktiviteteve rreth referendumit, Qeveria, e posaçërisht unë si Negociator kryesor, por në përgjithësi edhe Sekretariati për Çështje Evropiane, si trup bartës i përgatitjeve për negociata, në mënyrë aktive po punojmë në procesin reformues, në përgatitjet për skriningun që pason, por edhe në përgjithësi, rreth përgatitjeve të përgjithshme të vendit për negociata”.

Sipas shefit të ministrit të jashtëm të Luksemburgut, referendumi ka të bëjë me të ardhmen e vendit. Hyrja e Maqedonisë në BE ishte bllokur, shtoi ai, dhe vetëm në vitin 2018 vendi gjeti një mënyrë për të zgjidhur kontestin shumëvjeçar për emrin, dhe tani dera e NATO-s dhe BE është e hapur.

“Nuk bëhet fjalë për emrin, por mendoj se kjo ka të bëjë me qëndrimin e BE ndaj këtij rajoni. Tani dera është e hapur për në NATO, në BE dhe është e qartë se të dyja palët duhet t’i respektojnë kushtet, por unë mendoj se ju mund ta bëni këtë dhe do të jemi të lumtur t’ju ndihmojmë. Ne jemi tani në një pikë kritike. Më 30 shtator, vijon referendumi, dhe nëse mund të them si qytetar evropian, ky është një referendum për të ardhmen ose për të kaluarën. Dhe unë mendoj se vendet e tjera në rajon shpresojnë për një rezultat pozitiv”, tha Aselborn.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Ministri i Jashtëm i Luksemburgut tha se pritja e gjatë e Maqedonisë për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian nuk është një gabim politik i Brukselit.

“Nuk është vetëm një gabim politik i Brukselit, kjo nuk mund të thuhet, mendoj se pjesërisht, kjo është për shkak të faktit që ne presim, dhe ndonjëherë presim pa ndërhyrë. Tani mendoj se ne duhet të ndërhyjmë kur bëhet fjalë për vendin tuaj, sepse ekziston një zgjidhje për situatën që është bllokuar”, tha Aselborn.

Si shtet, populli juaj, Qeveria juaj, Parlamenti juaj, thotë Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, duhet të vendosë, por vendimi është i juaji.

“Nëse mendojmë shumë për të kaluarën, nuk do të arrijmë një zgjidhje. Ne do të gjejmë zgjidhjen duke kërkuar në të ardhmen dhe pa pëlqimin e popullit nuk mund të arrijnë një zgjidhje, prandaj kjo sfidë më 30 shtator është kaq e rëndësishme dhe siç thashë ai është përzgjedhja e të ardhmes për vendin tuaj”, tha ai.

Aselborn shtoi se elektorati në Maqedoni e di përgjegjësinë e tij dhe në të njëjtën kohë mendoj se nuk duhet të ketë ndërhyrje nga Brukseli apo Luksemburgu.

Loading...