Osmani: Brexit nuk do të ndikojë negativisht në zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor

Zëvendëskryetari i Qeverisë, përgjegjës për Çështje Europiane, Bujar Osmani, sot ishte mikpritës i delegacionit të përfaqësuesve të Dhomës së Lordëve/ Dhoma e Lartë e Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, i përbërë nga Baronesha Xhin Elizabet Kasins, Lordi Brus Xhozef Grokot dhe këshilltarët Roshani Palamakumbura dhe Kenet Morison, njofton Portalb.mk.

“Në takim u diskutuan perspektivat e Republikës së Maqedonisë në periudhën e ardhshme, mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar si dhe mundësitë për avancimin e saj. “Vizita juaj këtu dëshmon se, ndonëse, Brexit është në proces, vendi juaj vazhdon të mbështesë rëndësinë e politikës së zgjerimit për sigurinë, stabilitetin, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Europë,”- theksoi Zëvendëskryeministri Osmani në fillim të takimit.

Mbështetja e aspiratave euro-atlantike të Maqedonisë nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar është evidente. Dëshmi për këtë është firmosja e paradokohshme e Deklaratës së përbashkët për partneritet dhe bashkëpunim mes dy vendeve, ndërkaq Londra vitin e ardhshëm do të jetë organizator i Samitit për Ballkanin Perëndimor: “Britania e Madhe gjithmonë ka qenë njëri ndër donatorët më të fuqishëm të Maqedonisë që paraqet një faktor të rëndësishëm për zhvillimin tone,”- theksoi Osmani, duke shprehur shpresën se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar për zbatimin e reformave në vend do të vazhdojë.

Lidhur me Brexit-in, në takim u diskutuan edhe marrëdhëniet dypalëshe të cilat duhet rregulluar në përputhje me gjendjen e re. U trajtuan tema që lidhen me marrëdhëniet dypalëshe tregtare, mbrojtjen e investitorëve që vijnë nga Mbretëria e Bashkuar, si dhe statusi dhe mbrojtja e qytetarëve të Maqedonisë të cilët jetojnë dhe punojnë në Mbretërinë e Bashkuar. Si veçanërisht e rëndësishme për Republikën e Maqedonisë u shqyrtua çështja e kontributit në buxhetin e BE-së, nga ana e Britanisë gjë që ka ndikim të fuqishëm edhe ne fondet IPA të cilat gjithashtu janë kanë rëndësi të veçantë për Republikën e Maqedonisë. Zëvendëskryeministri Osmani theksoi se është i hapur për diskutim për gjitha këto çështje, të cilat mund të dalin nga procesi i Brexit-it dhe shprehu shpresën se kjo nuk do të ketë ndikim negativ si për marrëdhëniet e ndërsjella, ashtu edhe për integrimin e gjithë rajonit në Bashkimin Europian”, thuhet në kumtesë.

Loading...