Osmani: Dënojmë çdo ide për ndryshim kufijsh në rajon

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë , Bujar Osmani, i cili është edhe ministër për çështje evropiane, në intervistë me DW shqip, shprehet i vendosur kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan:

“Ne dënojmë çdo ide ose tentativë për ndryshim kufijsh që po shfaqet kohëve të fundit në opinion”, tha Osmani në Berlin, ku ndodhej së bashku me kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev. “Çdo ndryshim të kufijve kudo në rajon, do të ketë efektin domino duke shkaktuar tragjedira të papara në rajon.” Osmani tha se ky proces mund të parandalohet vetëm nëpërmjet integrimit të shpejtë të rajonit në NATO dhe BE.

Osmani u shpreh optimist se pas zgjidhjes së problemit të emrit me Greqinë, Maqedonia do të jetë vendi i parë në rajon që do të plotësojë kushtet për BE. Maqedonia “është më e vjetra në këtë proces”, tha Osmani. “Nga 2001 po bën harmonizimin e legjislaturës, po krijon institucione të cilat janë konform kërkesave të Bashkimit Europian dhe po europianizon shoqërinë.”

Në lidhje me ligjin e dygjuhësisë të miratuar nga kuvendi i Maqedonisë dhe të refuzuar nga presidenti, Osmani u shpreh gjithashtu optimist se, falë gabimeve formale të kërkesës së opozitës për ndryshimit të ligjit, ligji do të miratohet për herë të tretë në parlament dhe do të hyjë në fuqi. Osmani e pranoi se implementimi i ligjit, që e parasheh edhe shqipen si gjuhë zyrtare të Maqedonisë, do të jetë një sfidë më vete.

Loading...