Trajneri i kuqezinjve, Qatip Osmani vlerëson se Shkëndija meritoi fitoren kundër Shkupit pasditen e të dielës në Çair. Kuqezinjtë arkivuan fitoren e dytë radhazi pas katër javëve në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa stafi teknik vlerëson reagimin e ekipit pas lodhjes dhe eliminimit nga Europa.

“Për ne ishte me shumë rëndësi ta fitonim këtë ndeshje, sepse ndihej lodhja nga ndeshjet europiane. Megjithatë, mendoj se kjo ishte fitore e merituar. Pas ndeshjes me Rosenborgun në play off të UEFA Europa League kishim brengë nëse do të shkojnë gjërat si duhet. Loja e sotme tregoi se ekipi ka lënë pas atë që ndodhi në Europë dhe tani jemi përqendruar në kampionatin e Maqedonisë.”

Më tej Qatip Osmani komentoi 100 golat e Besart Ibraimit në ndeshjet zyrtare me Shkëndijën.

“Më gëzon që Besarti shkon në shifrën e 100 golave dhe mendoj se nuk do të ndalet këtu. Bëhet fjalë për futbollist shumë cilësor.”

Trajneri Osmani ka ftuar skuadrën të mendojë për takimin e Kupës së Maqedonisë të mërkurën kundër Kozhufit si dhe uroi katër lojtarët kuqezi për grumbullimet në përfaqësuese (Bejtullai dhe Musliu me Maqedoninë dhe Shefiti e Zejnullai me Shqipërinë U-21).

Loading...