Ramadan Osmani, student në Akademinë e Arteve- drejtimi klarinet, pranë UT-së, ka reaguar kundër deklaratave të institucionit “Filharmonia e Maqedonisë”, sipas të cilëve Filharmonia është e hapur për të gjithë pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, raporton Portalb.

“Në audicionin e shpalluar nga ana e institucionit shtetëror ”Makedonska Filharmonija”, që të gjithë studentet instrumentistë të universiteteve shtetërore të katedrës së muzikës të fitojnë të drejtën të konkurrojnë për të luajtur një natë me këtë formacion, unë student i akademisë së arteve pranë Fakultetit të Arteve UT, drejtimi instrumental/klasa prof.mr Arben Asllanaj, u paraqita në këtë audicion. – Vepra që përzgjodha unë ishte Ë.Lutoslaëski – 5 Dance Preludes, ku me datë 05.05.2016 u paraqita në audicion para komisionit të ‘’Makedonska Filharmoija’’. – Institucioni nuk e pa të arsyeshme të jap raport gjithëpërfshirës kritik nga ana e komisionit as gojarisht në prezence dhe as me shkrim drejt shefit të katedrës, se cilat ishin arsyet e diskualifikimit tim si kandidat, kur dihet botërisht se audicionet e tilla organizohen me të vetmin qëllim që në rrugëtimin e formimit dhe zhvillimit profesional që ne kalojmë, të kemi kritika prej të cilave do të dimë dobësitë dhe të metat që duhet përmirësuar. – Si përfundim nga fjalët jo protokolare që komisioni ka dhënë thuhet se vepra të cilën kam përzgjedhur nuk ka qenë adekuate dhe e përshtatshme për interpretim me orkestrin e ‘’Makedonska Filharmonija’’ edhe pse interpretimi im si kandidat ka qenë mëse solid dhe pa konkurrencë në po të njëjtën kategori. – Sa i takon aspektit të mungesës së cilësisë, kemi aq njohuri dhe ngritje në këtë drejtim sa tu japim leksione atyre, se nuk kanë arritur majat dhe na janë bërë të paarritshëm, këtë e them me bindjen dhe besimin si bazë e profesorëve që kemi, që kanë dëshmuar veten në çdo lëmi. – Potencoj se kjo çështje nuk është luftë vetëm e jona si shoqëri e kombësisë shqiptare në Maqedoni, problemet i gjeni edhe përbrenda maqedonasve ku gjysma e katedrës së muzikës pranë universitetit ‘’Kiril i Metodij’’ si dhe shkollës së mesme të muzikës ‘’Ilija Nikolovski – Lui’’ e bojkotojnë këtë manifestim, ngase bëhen padrejtësi të mëdha. – Çështja e vetme ku mund të na tangojë ne si shoqëri shqiptare në Maqedoni është ajo se përderisa këta nuk e shohin të arsyeshme si institucion shtetëror që është i formuar dhe financohet edhe nga taksapaguesit shqiptar, të ndërroje emrin të cilin e potencova jo rastësisht shumë herë, që reflekton si pronësi e maqedonasve dhe demanton deklaratën e këtij institucioni që kërkon cilësi, ‘’Makedonska Filharmonija’’ në ‘’ Filharmonija na Makedonija’’ , atëherë kot mundohemi të shprehim revoltën tonë, kur politika është ajo që zgjidh këto çështje duke respektuar ligjin dhe të drejtën e përfaqësimit të shqiptarëve në çdo institucion, e lëre më një natë të vetme të luajmë me këtë orkestër. – Edhe pse moderne dhe e sofistikuar nga jashtë godina e re e ”Makedonska Filharmonisë”, personat të cilët punojnë aty dhe udhëheqin këtë institucion në brendësi japin reflektimin se i përket periudhës ”Barok” dhe monoetnik”, thuhet në reagimin e studentit Osmani.

Pavarësisht pretendimeve të profesorëve dhe studentëve të Universitetit të Tetovës se Filarmonia e Maqedonisë anashkalon shqiptarët, për numrin “një” të këtij institucioni Maja Çanakeviq, Filarmonia është e hapur për të gjithë profesionistët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike.

Sipas Çanakeviq arsye e vetme që pengon pranimin e ndonjë studenti është mospërmbushja e kritereve gjatë audicioneve. “Për një orkestër sikurse yni apo cilido qoftë në botë, aspak nuk është me rëndësi se të punësuarit, cilit komunitet etnik i takojnë, por rëndësi ka se sa ata i plotësojnë kriteret për cilësi”, deklaroi për televizionin Alsat-M Maja Çanakeviq, drejtore e Filarmonisë së Maqedonisë.

Shqiptari i parë dhe i vetëm i cili ka qenë i angazhuar më herët në këtë fi‬larmoni, është profesori Blerim Grubi, i cili hedh dyshime se mospranimi i shqiptarëve bëhet pikërisht për shkaqe diskriminimi dhe jo për mungesë të cilësisë.

“Duhet të bëhet çmos që të formohet një politikë kadrovike sidomos në Filarmoninë e Maqedonisë që të futen edhe instrumentistët tanë që do diplomojnë. Ka disa momente që komisioni bën edhe hile, ku thotë se më mirë ta zgjedh timin të keqin se të zgjedh të huajin të mirin pra ky është pak një problem që është ajo xhelozia por sërish mendoj se ne duhet të gjejmë një modus”, tha Blerim Grubi, Profesor i fakultetit të muzikës në UT. Grubi më tej thotë se, nëse edhe në vitet në vijim anashkalohet Fakulteti i Muzikës në UT, Ministria e kulturës do të duhej të planifikoj një buxhet për Tetovën, me qëllim që të themelohet një orkestër i vogël e pastaj pse jo edhe fi‬larmonia.

Loading...