Është vetëm fillimi i sezonit, por Shkëndija luan menjëherë finale të rëndësishme për vazhdimësinë. Kalendari ka vendosur që kampionati të hapet me supersfidën ndërmjet Shkëndijës dhe Vardarit. Ndeshje për t’u fituar, për t’i treguar Vardarit se titulli do të jetë përsëri pronë e ekipit të drejtuar nga Qatip Osmani. Në duelin direkt për titullin, ku Shkëndija do të provojnë të konfirmojnë supermacinë e shfaqur gjatë gjithë edicionit të kaluar, ku e fituan titullin me 35 pikë diferencë nga rivalët e mëdhenj dhe 101 gola të shënuar. Fitorja prej javës së parë do t’i demoralizonte rivalët direkt dhe do të shërbente si një avantazh prej startit për kuqezinjtë.

“Është ndeshja e parë e kampionatit, derbi lojë. Sigurisht që Shkëndija luan për ta fituar Vardarin, pa marrë parasysh se ekipi në këtë periudhë ka një orar të ngushtë, prej ndeshjeve të shpeshta, megjithatë Shkëndija e gatshme e pret Vardarin”, deklaroi trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.
Derbi mes Shkëndijës dhe Vardarit do të luhet të shtunën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim prej orës 17:00, kurse do të drejtohet nga Aleksandar Stavrev nga Shkupi.

Loading...