Çështja shqiptare në Maqedoni është çështje kombëtare, politike, historike dhe aktuale; është çështje e sovranitetit dhe shtetit, nga i cili aktualisht shqiptarët janë përjashtuar.

Partitë politike të shqiptarëve, mbi 15 prej tyre të lindura dhe shuara ndërkohë, si dhe partitë që aktualisht janë aktive në skenën politike, nuk kanë mandat si të vetme të vendosin për fatin e një populli, për aq më tepër kur e kaluara 27 vjeçare në këtë shtet nuk i ka sjellë asnjë avancim popullit shqiptar, nuk i ka siguruar progres shoqëror dhe ekonomik, përkundrazi ka instaluar vlera jodemokratike, johumane dhe mbrapshti, degradim dhe kaos, sidomos me korrupsionin, krimin e organizuar, promovimin e vlerave të dobëta dhe seleksionimin negativ të kuadrit përfaqësues, nepotizmin dhe degardimin moral, kështu duke mos lënë shpresa për një të ardhme më të mirë, të lumtur e të begatshme për qytetarët shqiptarë në këtë vend. Për këto arsye me dhjetëra mijë qytetarë shqiptarë dhe sidomos rinia e shkolluar e braktisin vendin përditë e më shumë, duke e dobësuar edhe më tepër faktorin shqiptar në Maqedoni, edhe ashtu të sjellë në pozitë të mjerueshme gjatë tri dekadave të fundit.

Propaganda sistematike përmes mediave në duart e pushtetit, kontrollimi i kapitalit, pasurisë dhe financave nga oligarkët vendës dhe grupet mafioze që e mbajnë të kapur këtë shtet për vite me radhë, nuk mund t’ua lejojnë komoditet qytetarëve shqiptarë në këtë shtet që edhe më tej të jenë indiferentë dhe të papërgjegjshëm përmballë këtyre zhvillimeve jonormale, sidomos sot kur shoqëria jonë dhe ky shtet po kalojnë nëpër një fazë të rëndësishme, për mbetjen në këtë gjendje apo për ndryshimin e saj.

Asnjë lëvizje progresive në botë nuk mbështetet vetëm në forcat politike, të cilat shpeshherë janë të interesuara vetëm për pushtet, kapjen e shtetit, shpërdorimin e pasurisë së tij dhe të kapitalit shoqëror, por në ballë të këtyre ndryshimeve duhet të vihen edhe faktorë të tjerë, sidomos shtresa intelektuale, e cila për shkak të padëgjueshmërisë nga të gjitha regjimet jodemokratike izolohet, heshtet me metoda të dhunshme, ose varfërohet e atrofohet në shkallë të mjerushme, që të mos jetë e aftë, zëdhënëse dhe përçuese e idealeve të larta njerëzore, shoqërore, qytetare dhe kombëtare, si mbrojtëse e lirisë, barazisë dhe progresit.

Klasa intelektuale duhet që përkundër klasës politike të shndërrohet në faktor të rëndësishëm, me përgjegjësi dhe përkushtim për mbrojtjen e interesave të qytetarëve, të shoqërisë dhe sidomos të interesave kombëtare. Por këtë mandat moral duhet ta sigurojë përmes zërit të saj, dhe sidomos me mbështetjen e nevojshme nga qytetarët, në emër të idelave më të larta për të cilat klasa politike nuk e ka dëshmuar se është e denjë dhe e interesuar t’i mbrojë.

Çfarëdo makine, sado moderne dhe e fuqishme të jetë ajo për kryerjen e funksioneve për të cilat është ndërtuar, doemos i duhet energji dhe mekanizma për ta vënë në lëvizje. Kjo energji është vullneti dhe mbështetja, energjia pozitive e popullit, e shumicës së qytetarëve, pa të cilën edhe makina më moderne mund të mbetet një rrangallë e papërdorshme dhe padobishme, siç kanë mbetur aktualisht shumica e partive politike të shqiptarëve në Maqedoni.

Loading...