“Pak fjalë të rralla në të folmen e Kumanovës”

Avni Dehari
Një numër fjalësh që janë pronë e mbarë e gjuhës sonë, në të folmen e Kumanovës janë zbehur e gati janë zhdukur plotësisht. Ato duke u zëvendësuar me fjalë të huaja, edhe pse dikur kanë pasur përdorim të gjerë, sot janë ngurosur e cunguar aq tepër, saqë përdoren vetëm si emër, si folje, si mbiemër, ndajfolje etj.
Për luftën e gjatë që ka bërë leksiku vetjak i kësaj ane me fjalët e huaja dëshmojnë shprehjet ndajfoljore «or’ e sahat», «n´hall e ndit» (për i ndytë), si dhe disa fjalë të tjera, ku krahas fjalës sonë përdoret edhe fjala e huaj, p.sh.: «fat» – «nafakë», «i shishëm» – «i lezetshëm» etj. Duke u penguar nga elementi i huaj këto fjalë nuk e ndoqën si duhet rrugën e zhvillimit të gjuhës sonë. Ato u shterpëzuan deri në atë shkallë sa s’kanë mund të japin fjalë me kuptime të reja, siç ndodh me fjalët e prejardhura, të përbëra dhe të përngjitura. Sado të dëmtuara qofshin ato fjalë nga barbarizmat, prapëseprapë dëshmojnë për pasurinë leksikore të kësaj treve.
Ja disa prej fjalëve të tilla që do të pasojnë me sqarime:
ARBANAÇK,~i m. Fjala «arbën» edhe në të folmen e kësaj ane është ruajtur si toponim. Një mal i fshatit Sllupçan, që kufizon me atë të fshatit Vaksincë, quhet Arbanaçk. Sigurisht ky vend më parë nga vendasit është quajtur Arbanë, kurse në administratën sllave Arbanashko (vend i arbanëve), që më vonë nën ndikimin e sllavishtes edhe shqiptarët e quajtën Arbanaçk. Për këtë dëshmon edhe emri i fshatit të malësisë së Kumanovës, Arbanashko Sello (Fshat i Shqiptarëve). Ky fshat gjendet në anën lindore të Kumanovës, në drejtim të Krivopallankës. Edhe pse quhet Arbanashko Sello, sot në të banojnë vetëm maqedonas.
ARVANIC/ë,~a f. Emër fshati në rrethin e Kumanovës (në pjesën maqedonase rreth Pçinjës). Më herët në këtë fshat ka pasur shqiptarë. Ka familje që kanë jetuar dhe i kanë pasur çifligjet e tyre në Arvanicë. Sot aty jetojnë vetëm maqedonas. Emri Arvanicë përafrohet me emrin arvanit, me të cilin grekët i emërtojnë shqiptarët.
AFR/OJ, kal.,~ova, ~u. Në të folmen e Kumanovës këtë fjalë e hasim vetëm si folje me këto forma: «afroj», «afritu», »afrite», «afrou» etj., ndërsa në vend të ndajfoljes «afër» dhe mbiemrit «i afërt», përdoren fjalët «ngat» dhe «i ngatë». Edhe fjalët «afërsi» e «afërsisht», që Çabej në «Studimet gjuhësore», pjesa e I, faqe 28, i çmon si neologjizma nuk figurojnë në këtë të folme. Përkundër saj antonimi i kësaj fjale «largoj», përdoret si folje, si emër, si mbiemër dhe si ndajfolje: «largoj», «largsi» (largësi), «i largtë» (i largët), «larg».
AM/ë,~a f. Në vend të këtij emri në këtë të folme përdoret fjala «nënë». Që krahas kësaj fjale është përdorur edhe fjala «amë», dëshmon shprehja «t’amën e s’amës», që përdoret vetëm në rast sharjeje.
ASHT,~i m. sh. eshtna,~at. Në të folmen e fshatrave të fushës në vend të fjalës «asht-i» përdoret fjala «koc». Në këtë rast fjalën «asht» e hasim vetëm në shprehjen, që tregon se një fëmijë shumë i ngjan babës a nënës: “Ia ka kputë kriet, i gan (i ngjet) me asht e me rrasht.» Në fshatrat e malësisë përdoret edhe fjala «asht-i» në njëjës dhe «eshtna-t» në shumës.
BAH/e,~ja f. sh. ~e, ~et. Në Fjalorin e shqipes së sotme kjo fjalë sqarohet me fjalën «hobe». Me fjalën «bahe» në këtë anë emërtohet një armë lufte shumë primitive, që thuret me penj e që shërben për ta hedhur gurin. Para disa vjetësh në fshatrat e Kumanovës ishte i gjallë riti i luftës me bahe. Ditën e Shën Gjergjit ose të ndonjë feste tjetër, zhvillohej luftë me bahe ndërmjet fshatit me fshat ose ndërmjet dy lagjeve të të njëjtit fshat.
BANC,~i m. sh. ~a, ~at edhe ~ët. Në Fjalorin sinonimik të gjuhës shqipe, këtë fjalë e hasim në formën «bucë» (plis dheu), ndërsa në punimin e Abdullah Zyberit «Disa fjalë të rralla me prapashtesat c (cë), s (ës, së) në rrethinat e Istogut e të Pejës», botuar në numrin e tretë të «Jehonës» së vitit 1978, «bas-i» (topth dheu, topth bore). Në të folmen e rrethinës së Kumanovës kjo fjalë ka vetëm kuptimin e plisit të dheut, p.sh.: «S’e paska pasë dorën ara me u livru, se kanë dalë plot banca». Krahas kësaj fjale në këtë të folme dëgjohet edhe fjala «top», «top dhevi» dhe «grutkë» (sllav. grutka – plis dheu).
BAH/e,~ja f. sh. ~e, ~et. Në Fjalorin e shqipes së sotme kjo fjalë sqarohet me fjalën «hobe». Me fjalën «bahe» në këtë anë emërtohet një armë lufte shumë primitive, që thuret me penj e që shërben për ta hedhur gurin. Para disa vjetësh në fshatrat e Kumanovës ishte i gjallë riti i luftës me bahe. Ditën e Shën Gjergjit ose të ndonjë feste tjetër, zhvillohej luftë me bahe ndërmjet fshatit me fshat ose ndërmjet dy lagjeve të të njëjtit fshat.
BUÇALL/ë,~a f. sh. ~a, at. Fjala «buçallë» në këtë formë përdoret në Sllupçan, ndërsa në Orizare, në Likovë, në Llopat etj. përdoret në trajtën «buçil-i». Me këtë fjalë emërtohet vendi i thellë në lumë ku shkojnë njerëzit për t’u larë, pra pellgu. Në të është ruajtur rrënja e fjalëve «buç-imë, «buç-on», që në raste të tjera nuk gjenden në të folmen e kësaj ane.
CRRAK,~i m. sh. ~ë, ~ët. Me këtë fjalë emërtohet dhëmbi i bravës me të cilën mbyllet dera. «E mshela derën me crrak». Fjala «crrak» është formuar nga imitimi i tingullit që lëshon ky mjet kur e mbyllim derën. Krahas kësaj fjale dëgjohet edhe fjala «freng», që ka përdorim shumë më të gjerë në këtë anë.
CULL,~i m. sh. ~ë, ~të. Fjala «cull», përdoret në vend të fjalës «fëmijë». Për fjalën «fëmijë» në disa mjedise të kësaj ane, me një shtrirje shumë të kufizuar, përdoret edhe fjala «thmijë».
ÇAPARIT, kal., ~a, ~ë. Kjo fjalë në të folmen e Kumanovës përdoret me kuptimin «përpush», «thërrmoj». P.sh.: «E kanë çaparitë pulat tokën/kashtën». «E kanë çaparitë bukën».
ÇARAVESH, kal., ~a, ~ë Kjo fjalë në këtë të folme përdoret si folje «çaravesh» dhe si mbiemër «i çaraveshëm» me kuptim degjeneroj, stërkeq, i degjeneruar, i stërkequr etj. «Çaravesh» thuhet kur stërkeqet mishi ose lëkura nga të plasariturit, p.sh.: «M’u patën krisë e m’u patën çaraveshë buzët pi dillit». «E kishin grrithë macat e ia kishin çaraveshë mishin». «I kishin ra dhamtë e ju kish çaraveshë goja».
FARASH,~i m. sh. ~a, ~at edhe ~ët. Kjo fjalë emërton fshesën që bëhet prej një bime, që në Fjalorin e shqipes së sotme njihet me emrin «melekuqe». Bima i ngjan kallamit të sheqerit dhe ka shumë fara, prej nga e ka marrë edhe emrin.
PRITK/ë,~a f. sh. a, ~at edhe ~ët. Me këtë fjalë në të folmen e Kumanovës emërtohet një dru i hollë e i gjatë nëpër të cilin lidhen lozët e fasules, që në Kumanovë i thonë «bathë». Nga kjo fjalë janë formuar edhe togfjalëshat «bathë pritke».
PAJj/ë,~a f. sh. a, ~at dhe ~ët. Kjo fjalë në të folmen e kësaj ane, përdoret vetëm në lojën e goglave. Fëmijët kur luajnë gogla vizatojnë në tokë një trekëndësh të vogël, që e quajnë «pajë», në të cilën i vënë goglat. «Ndreçe pajën se po ja nisim lojës». Fjala «pajë» në kuptimin e asaj që merr vajza nga prindërit nuk përdoret në këtë trevë. Në vend të saj e ndeshim fjalën e huaj «çez» («çejz»).
PËRSHKLLI/ij edhe pëshkll/ij kal., ~iva edhe ~ina, ~i. Me këtë fjalë në të folmen e kësaj ane kuptojmë veprimin kur nuk ia dalim të fshijmë me gomë diçka të shkruar, por vetëm e gërvishtim sa të mos lexohet ose kur e fëlliqim me ngjyrë. «Nuk e kishte fshi, po veç e kishte përshklli /pëshklli».
PENG/oj kal., ~ova, ~u. Në fshatrat malore, ku pasuria e gjuhës është rrezikuar më pak, thonë: «Pengoje kalin mos t’ike». Te popullsia e rrafshit këtë fjalë e hasim vetëm si ndajfolje mënyre në trajtën «peng», p.sh.: «Gjithë ditën meta peng», thonë folësit e kësaj ane, sidomos gratë, kur iu del ndonjë pengesë në punë.
RIN. Kjo fjalë në këtë të folme nuk e ka kuptimin «njom pak», «njom petkat», siç shpjegohet në Fjalorin e gjuhës shqipe, 1954. «Rin», thuhet për mishin e ri që del në ndonjë pjesë të trupit që është vrarë ose prerë. «Varra po rin». «M´ka ri dora mish». «A t’ka ri varra?», thuhet për dorën e vrarë ose për varrën që ka nisur të mbulohet me mish të ri.
RRFE, kal. Këtë fjalë në formën «rrfe» (për rrëfej) e hasim vetëm në shprehjen «be e rrfe». Me siguri kjo shprehje është ruajtur nga ajo kohë kur banorët e kësaj ane ishin të krishterë. «Ban be dhe rrfe», duhet t’u ketë thënë prifti, kur janë rrëfyer para tij, për t’i larë mëkatet. Sot kur pohojnë se dikush e ka thënë të vërtetën, thonë: «Bajke be e rrfe». Derisa fjala «be» është ruajtur, fjala «rrfej» pos shprehjes «be e rrfe», që dëgjohet më shumë te gratë, askund nuk përdoret.
RRM/ej kal.,~va, ~i. Këtë folje në disa mjedise të kësaj ane (si p.sh. në Likovë) e hasim me kuptimin «dëboj», «largoj». P.sh. thuhet: «Rrmeje çenin se pu m’ha».
LISË, ndajf. Kjo fjalë përdoret për të vënë në pah se këmisha, palltoja ose diç tjetër është bërë tepër me llum, p.sh.: «Lisë t’u paska ba kmisha pi llomit».
ORZA f. Kjo fjalë me karkater mitologjik (për orë mali) ruhet vetëm në shprehjen «orza xhallë nuk t’ze». P.sh.: «Ruju, se bane e pive helmin, orza xhallë nuk t’ze». Prapashtesën «zëa/zë», që i ngjitet fjalës «orë» e hasim në mjaft fjalë të së folmes së kësaj ane.
NËRSKAMC/ë,~a f. sh. ~a, ~at edhe ~ët. Kjo fjalë që në këtë të folme emërton veprimin e të vënit të këmbës për ta rrëzuar ndokënd, p.sh.: «Ma noj nërskamcën e m’çiti n’kokërr t’shpinës», është formuar nga parashtesa «nër» («ndër») dhe emri «kamë» («kambë»), në Fjalorin e Gazullit gjendet në formën «ndërkambcë».
NGARKAÇ/e,~ja f. sh.~e, ~et. Në fshatrat e Malësisë së Kumanovës ngarkaçe quhet druri i bigëzuar që shfrytëzohet për ta mbajtur litarin me të cilin e lidhim barrën e druve kur i ngarkojmë në gomar a kalë. «Mos pastë kush me t’nimu, merre ni ngarkaçe e ngarkoje magarin me dru», thuhet në rastet kur shkojmë vetëm për dru në pyll.
KOTNASIKOTI, ndajf. Fjala «kot» në të folmen e kësaj ane, sidomos në fshatrat e rrafshit, dëgjohet shumë rrallë. Atë e hasim dendur si ndajfolje në trajtën «kotnasikoti», që në këtë formë gjendet edhe te FGJSH të Mehmet Elezit.
KUJ, kal., ~ta, ~të. Kjo folje në të folmen e kësaj ane ka përdorim shumë të kufizuar. Fjala «kuj», që haset në këtë anë, nuk përdoret me kuptim «quhem», «thirrem», por me kuptim «zë», «e zë», p.sh.: «A e kun ket t’thirrme a duhet me ardhë e me t’thirrë te shpija?», thonë kur e grishin ndokënd në rrugë për në dasmë ose për ndonjë gëzim tjetër. Krahas «A e kun …», dëgjohet edhe «A e ze ket t’thirrme?»
TUN, kal., ~a, ~ë. Me këtë fjalë në këtë anë emërtohet veprimi i tundjes së kosit në tundës (ti ose tpí, siç i thonë folësit e kësaj treve). Te simotrat e fjalës «tí-ni» ose «tpi-ni», «i-ja» për shkak se qëndron para «n-së», ka theks hundor. «Merre tínin ta tunim kosin», dëgjohet të thuhet në këtë anë.
SHAFOJ, kal., ~va, ~u edhe shafit, ~shafita, ~shafitë. Kjo fjalë në këtë anë përdoret në kuptimin fundos, zbraz, lëshoj ajrin gomës, p.sh.: «Mos hin n’uj se pu shafon». «Kana shafu guma». etj.
GJIREN,~i m. Në të folmen e Kumanovës këtë fjalë e hasim si emër are në fushë. «Gjireni është arë e mirë, po e ma shumë ujin.» «Ara n’Gjiren asht e ranë për punë» etj. «Gjiren» quhet edhe sëmundja e duhanit ose e bostanit a e ndonjë bime tjetër që shkaktohet nga uji i tepërt. Kjo fjalë mund të përafrohet me fjalën «gjiri» (i ujit), pra vend ku fle uji. «Mos e vadit shumë duhanin se bahet me gjiren».
VËZHGALL/ë,~a f. Me këtë fjalë në të folmen e Kumanovës emërtohet vendi ku rrëshqasin fëmijët me saj tatëpjetë mbi borë. Pra emërton, lëmesën (shkazmën a rrëshqitën). Kjo fjalë duket të jetë krijuar nga fjala «vëzhgat» që ka kuptimin e zërit që prodhohet gjatë tërheqjes zvarrë a të fërkimit. Edhe në këtë rast gjatë rrëshqitjes si rrjedhojë e fërkimit të sajës me borën, prodhohet një tingëllimë, që dëgjohet si «vëzh-vëzh». P.sh. «Dalim te vëzhgalla me rrëshitë». «E kemi nreç vëzhgallën». «Kana ba vëzhgalla akëll (akull).» etj. «Mos i vëzhgat kamtë për toke se po m’dhamin veshtë» etj. Në një fshat tjetër, në Orizare, për vëzhgallën thuhet «zuviçkë» ose «zhuviçkë», që po ashtu është përfituar nga imitimi i zërit «zhuv-zhuv».
ZHUGM/it kal.,a~, ~ë. Këtë fjalë në FGJSH Mehmet Elezi e ka marrë në Kumanovë dhe e shpjegon me kuptimin që përdoret këtu «trajtoj keq». P.sh.: «Mos e zhugmit nusen». «Mos i zhugmit culltë» (mos i keqtrajto) etj.
XHELL/ë,~a f. vet. në njëjës. Në këtë të folme fjala «xhellë» nuk përdoret me kuptim të përgjithshëm për gjellë. Në vend të saj ka hyrë fjala turke «jemek». Edhe pse është zëvendësuar nga barbarizmi, fjala «xhellë» nuk ka dalë plotësisht nga përdorimi. Me fjalën «xhellë» në këtë anë emërtohet një qull i trashë e i kripur, që përgaditej si haje për qenin, p.sh.: «A ja ke ba xhellën çenit». Po ashtu për gjellën që nuk bëhet e mirë, thuhet: «Kana ba jemeki xhellë (gjellë qeni)».
Avni Dehari.-Gjuhëtar, krijues letrar, historian, humanist, atdhetar i madh shqiptar nga Kumanova.

Loading...