Pak interesim për shkollat e mesme profesionale në Kumanovë

Kjo klasë e artizanateve të tekstilit vështirë se do të mbushet edhe sivjet me nxënës. Gjysmë të
zbrazura janë edhe klasat tjera, ndonëse janë të hapura nëntë paralele për pranimin e nxënësve në
vit të parë të shkollës së mesme ekonomike në Kumanovë. Një javë para fillimit të vitit të ri shkollorë,
në shkollën profesionale “Pero Nakov” janë regjistruar rreth 70 nxënës të rinj, kurse gjithsej janë mbi
300 nxënës. Drejtori Basri Isaki, thotë se në shtatë paralele do të jenë vetëm nga 10 nxënës, kurse
dy do të mbyllen.

“Ne jemi duke bërë çmos që këta kolegë, këtë staf pedagogjik që kemi ta mbajmë në punë. Ende nuk
na ka ndodh ky problem, mirëpo në të ardhmen, me ligjet e reja që do të jenë në fuqi, mund që të
rrezikohen. Për shembull në mësimin praktik, i cili duhet të mbahet me një numër të konsiderueshëm
të nxënësve, ose të jetë një klasë që në të kaluarën kur kishim mbi 25 nxënës i kemi ndarë në dy
grupe, kurse tani që kemi 10 nxënës si mund ta realizojmë mësimin praktik në dy grupe,” tha Basri
Isak, Drejtor i shkollës së ekonomisë “Pero Nakov”.
Përveç migrimit të familjeve shqiptare, si faktorë tjetër renditet edhe lokacioni i shkollës ekonomike
që gjendet në periferi të qytetit. Sociologu Besnik Memeti thotë se gjimnazi dhe shkolla teknike janë
të mbushur me kohë, sidomos drejtimi i mjekësisë në të cilin çdo vit regjistrohen rreth 100 nxënës në
tri paralele, profesion i cili, sipas tij, iu siguron punën pas diplomimit në shtetet perëndimore.

“Shumica kanë migruar në vendet e huaja dhe të rinjtë po e shohin ardhmërinë e tyre në Perëndim
dhe jo këtu. Ndërsa si problem tjetër kyç është se gjimnazi dhe teknika nuk kanë aq problem me
numrin e nxënësve sa ka ekonomia, sepse ajo shkollë është jashtë qytetit në një periferi. Edhe kjo
ndikon sepse një nxënësi i duhen rreth 2,5 km të ecën në këmbë pa marrë parasysh kushtet
atmosferike si janë, me shi, borë ose diell,” tha Besnik Memeti, Sociolog.

Ndonëse nuk janë shifrat alarmante, edhe në gjimnazin “Sami Frashëri” çdo vit ka rënie të numrit të
nxënësve. Drejtori Isen Rrahmani thotë se dallimi në shtatë vjetët e fundit është se ka 270 nxënës
më pak. Për tetë paralelet e vitit të parë janë regjistruar vetëm 211 nxënës dhe 61 vende kanë mbet
të lira.

“Kushtet optimale për të punuar ekzistojnë, por themi se numri i nxënësve është në zvogëlim e sipër.
Gjithnjë ne në gjimnaz në afatin e parë të regjistrimit kemi plotësuar numrin e nxënësve, kurse dy tri
vitet e fundit, vetëm në afatin e dytë mund të bëjmë plotësimin e vendeve me nxënës edhe atë me
kusht për zvogëlimin e numrit të nxënësve nëpër paralele, tha Isen Rrahmani, Drejtori i Gjimnazit
“Sami Frashëri”.

Nga drejtoritë e shkollave të mesme me mësim në gjuhën shqipe në Kumanovë, iu bëjnë thirrje
Ministrisë së arsimit që të ndërhyjnë në konkurset e pranimit të nxënësve dhe në shpërndarjen e tyre
të barabartë ndërmjet gjimnazit, teknikës dhe ekonomisë. Sipas tyre, ministria nuk duhet të lejoj
hapjen e paraleleve të reja në drejtimin e mjekësisë, pasi që tejmbushja e tyre, po le të zbrazura
drejtimet tjera. /Tv21

Loading...