Xhevdet Hajredini
Ali Ahmeti ua uron qytetarëve të Maqedonisë ftesën për anëtarësim në NATO. Me këtë rast ai thekson se 17 vite e ka pasur udhërrëfyes integrimin në NATO, por nuk përmend asnjë shembull konkret se çka ka ndërmarrë me partin e vet ne këtë drejtim.
Në qoftë se me të vërtetë integrimin në NATO e ka pasur udhërrëfyes, atëherë si ndodhi që, në bashkëpunim me Gruevskin , ta robërojë shtetin. Që e robëruan shtetin nuk ishte konstatim vetëm i opozitës , por i të gjithë ‘’miqve tanë ndërkombëtar’’, të cilët vazhdimisht i keni thirr gjoja në ndihmë dhe asnjëherë nuk keni vepruar sipas këshillave dhe kërkesave të tyre.
A ka dikush që beson se integrimin në NATO e keni pasur udhërrëfyes, kur dihet se në vitin 2014, për t’ia plotësuar dëshirën Gruevskit që Ivanovi të zgjidhet kryetar i shtetit për të dytën herë, kërkuat zgjedhje të parakohshme parlamentare. Për t’i mashtruar shqiptarët, në mënyrë perfide e lansuat parullën “ose në NATO brenda 6 muajve , ose tërhiqemi nga koalicioni‘’ . Për fat të mirë, numri i shqiptarëve të cilët nuk ju besojnë parullave të tilla, vazhdimisht vjen duke u rritur.
Ai që e ka pas udhërrëfyes integrimin në NATO, nuk është dashur shtetin ta sjell në gjendje siç e përshkruan gjermani Rajnhard Pribe në raportin e tij të përgatitur në vitin 2015.
I keni qëndruar besnik dhe e keni mbështetur Gruevskin gjatë gjithë kohës që i bënte përpjekjet e fundit për ta ruajt pushtetin, bashkë me ju.
Nuk mbahet mend se ndonjëherë të keni bërë ndonjë vërejtje më të vogël për të penguar veprimet anti-perëndimore të Gruevskit , kurse në kohën kur Zoran Zaevi luftonte regjimin, ju e ‘’këshillonit’’ të mos merr “vendime të përshpejtuara”.
Plotësimin e kushteve për integrimin e shtetit në NATO dhe BE, e bëri të mundur guximi i pashembullt i Zoran Zaevit të hyjë dhe me sukses (deri në këtë nivel) t’i përfundojë negociatat për zgjidhjen e kontesteve të kamotshme me shtetet fqinje.
Nga urimi i Ali Ahmetit për ftesën për anëtarësim në NATO, rezulton se:
1 . Integrimi EURO ANTLANTIK paska qen udhërrëfyes i aktivitetit politik dhe shoqëror që nga fillet e veprimtarisë së tyre, e deri më sot
2. Përkushtimi i tyre drejt realizimit te këtij synimi paska qenë konzistent
3. Nuk e paskan humbur përqendrimin për asnjë çast
4. Fundi paska rezultuar me sukses të përbashkët
A do të thotë kjo se Ali Ahmeti edhe gjatë periudhës 2008-2016, në koalicion me VMRO-në, Gruevskin dhe Ivanovin të cilët vazhdimisht e kanë pasur mbështetjen Rusisë së Putinit, paska punuar për integrimet EURO ATLANTIKE, pa kurrfarë pengese , mosmarrëveshje ose, larg qoftë, konflikti, duke ndejtur në periferinë e një lagje periferike të Tetovës. A ka shqiptar që i beson kësaj?
Ka qenë e pamundur integrimi EURO ATLANTIK të ketë qenë udhërrëfyes i aktivitetit politik dhe shoqëror dhe përkushtimi drejt realizimit te këtij synimi të ketë qenë “konzistent”, kur dihet se synimi i partnerëve të Ali Ahmetit – Gruevskit dhe Ivanovit, realisht ka qenë që Maqedonia të bëhet ashtu si shkruante një gazetare maqedonase e dekoruar nga Putini – ”Fitorja e parë e Rusisë kundër Amerikës” .
Absurde është të mendohet se realizimin e synimit të kësaj udhëheqësie të Maqedonisë, ka dashur dhe ka mundur ta pengojë BDI-ja me kuadrot e saj në pushtet, si zëvendës kryeministër si dhe zëvendës të Jankullovskës, Mijallkovit , Çavkovit , etj!
Vetëm kur u bë publike, duke ju falënderuar “bombave” të Zoran Zaevit , në çfarë krize politike, morale dhe të sigurisë e ka futur shtetin udhëheqësia e kriminalizuar dhe e korruptuar, faktori i jashtëm ( BE, NATO, SHBA , Gjermania) u bindën se pa ndërhyrjen e tyre të vendosur dhe të fuqishme diplomatike, dalja nga kjo krizë ishte e pamundur . U deshën 2 vite derisa u mposht rezistenca e Gruevskit që kishte mbështetjen e BDI-së.
Fatkeqësisht, disa segmente të mbeturinave të kësaj rezistence ekzistojnë edhe sot.
Me sa mbahet mend, nga shumë kërkesa deklarative të BDI-së, Gruevski ka plotësuar vetëm një – atë për miratimin e Ligjit për amnisti të rasteve të gjykatës së Hagës. Me atë rast, siç u dëgjua nga një “bombë” e Zaevit, Gruevski u bënte thirrje deputetëve te VMRO-së të cilët refuzonin të hynë në sallën e Kuvendit për ta votuar këtë ligj, me arsyetim se mandej “ke bideme raat cel mandat” (do të jemi rehat gjatë tërë mandatit). Dhe siç e dimë, me të vërtetë ndejën rahat. Athua pse vetëm ky ligj paska qenë aq i rëndësishëm, e jo edhe zgjidhja e statusit të pjesëmarrësve ne luftë dhe anëtarëve të familjeve te tyre, e dinë vetëm ata (udhëheqësit e BDI-së).
Duhet përmendur, poashtu , se sipas shumë indikacioneve, mund të supozohet se po të përfundonte me sukses grushteti i 27 Prillit, disa kuadro te BDI-së do të ishin pjesë e një qeverie të përkohshme post-puçiste.
Kjo ëndërr e dikujt, për fatin e mirë të gjithë neve, nuk u realizua.

Loading...