Panucci e padit në gjykatë ish-presidentin Bujar Nishani

Trajneri i Kombëtares së futbollit Christian Panucci, ka paditur në gjykatë ish-Presidentin e Republikës Bujar Nishani.
Padia është dorëzuar në dhomën civile të Gjykatës së Tiranës, ku Panucci kërkon të dëmshpërblehet nga ish-Presidenti Nishani me një vlerë prej 100 mijë eurosh.

Ky dëmshpërblim kërkohet, pasi ish-presidenti Bujar Nishani pas ndeshjes miqësore të futbollit mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku Shqipëria u mund 3-0, është shprehur për trajnerin e kombëtares, Panucci është një “sharlatan që shkatërron edhe atë që ishte ngritur”.

Për këtë reagim të ish-Presidentit të Republikës, trajneri i kombëtares Panucci kërkon 100 mijë euro në formë dëmshpërblimi për dëmin moral që i është shkaktuar në publik.

Shorti ka përzgjedhur gjyqtaren Anila Karanxha për shqyrtimin e kësaj padie, ndërsa ende nuk është caktuar data për seancën e parë.

Ky është precedenti i parë që trajneri i kombëtares së futbollit kërkon një dëmshpërblim të tillë për reagimet nga njerëz të politikës apo ish-drejtues të lartë të shtetit, pas humbjes së ekipit kombëtar. /Tch/

Loading...