Para 50 viteve Tetova ngriti Flamurin Kuq e Zi dhe e dridhi Jugosllavinë!

Xheladin Murati

Demonstratat e ’68 në Tetovë, shkase për reflektim

(Në 50 vjetorin e ndodhive)
Vitet kalojnë, njerëzit ndryshojnë por përjetimet mbeten përgjithmonë. Demonstratat e vitit 1968 në Tetovë, 50 vjetori i të cilave shënohet këtë vit (2018), zgjoi përkujtimet e hidhura që i shoqëruan shqiptarët në atë kohë dhe që shijuan egërsinë e pushtetit të atëhershëm komunist. Demonstratat erdhën si rezultat i mendimeve të brishta e të prishta. Ato ishin notim mbi valë të turbullta dhe krijuan hapësirë për manipulime me qytetarin shqiptar të Tetovës.
Në fakt, demonstratat e kanë pasur zanafillën në zemërimin ndaj padrejtësive ndaj shqiptarëve, për barazi kombëtare dhe si pakënaqësi ndaj ndalesës për përdorimin e flamurit kombëtar. Demonstruesit zgjuan pakënaqësitë e heshtura ndaj pushtetit dhe politikës maqedonase. Megjithatë, distanca pesëdekadëshe erdhi duke i tejkaluar kufizimet dhe duke bërë përmirësime me qetësi e dije, falë intelektualëve të ditur e vizionar për ardhmërinë e shqiptarëve.
Demonstratat ndodhën me datë 23 dhjetor 1968 ditë e hënë dhe fillimisht kishin karakter paqësor. Demonstruesit e drejtuan zemërimin e tyre nda udhëheqjes politike e shtetërore maqedonase. Ato u bën agresive pas grisjes së flamurit kombëtar nga fotografi Sreçko Janevski. Demonstruesit reflektonin energjinë rinore edhe pse pushteti reagoi në mënyrë të ashpër e të egër ndaj tyre.
Pas një dite protestash të ashpra kundër padrejtësive dhe për flamur kombëtar që ndodhi pasditen e të hënës udhëheqja politike e shtetërore maqedonase mobilizoi tërë arsenalin e saj dhe reagoi në mënyrë të dhunshme ndaj protestuesve dhe mbështetësve të demonstrantëve. Ndërsa mediat shtetërore të pakta në atë kohë hidhnin vrerë e akuza, kurse intelektualët shqiptar nuk heshtën, por të frikësuar nga masat represive sikur reflektonin oportunizëm. Reagimet e politikës maqedonase ishin të egra mbase ato ishin të parat revolta, ndërsa pushteti nuk ishte mësuar me të tilla gjëra.
Mediat treguan marshimin e politikës kundër demonstruesve dhe e përshkruanin marshimin si mbështetje e demonstruesve për qytetarët shqiptarë të Tetovës. Udhëheqësit shqiptar të nxitur e të përkrahur nga politikanët maqedonas ishin aktivist të mëdhenj për dënimin e demonstruesve. Fushata e egër ndaj shkollës ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe ka zgjuar pakënaqësi të heshtur dhe vazhdimisht shkollat ishin nën presion politikë.
Demonstruesit përfunduan deri sa ra errësira. Organet e pushtetit për vendosjen e rendit e qetësisë u vërsulën me metoda të dhunshme, duke burgosur, duke ngritur padi kundër qindra nxënësve të shkollave të mesme, arsimtarëve, intelektualëve, mjek, zejtar dhe qytetar të thjeshtë. Shpërndarja e protestuesve thuajse në të gjitha rrugët e qytetit nga qendra drejt Carshisë së Epërme, tregon për një dyshim të gjerë të organizimit, se çfarë po kërkojnë demonstruesit. Gjatë natës policia patrullonte nëpër rrugët e qytetit dhe ato ishin të përforcuar me trupa shtesë. Edhe pse demonstrata u shua, së shpejti situata u përshkallëzua dhe ndikimi i politikës dhe policisë bëhej gjithnjë e më i dhunshëm me faktin se i merrnin njerëzit nga shtëpitë e tyre, filluan bastisjet nëpër familje.
Burgu më i madh ishte frika që krijonte politika dhe pushteti kundër qytetarëve, demonstruesve dhe mbështetësve të tyre, masat represive që merrte për të frikësuar.
Çfarë duan demonstruesit? Nuk e kemi idenë – thonin udhëheqësit politik e pushtetarët.
Udhëheqja politike komunale dhe ajo qendrore tentuan që ta përshkruajnë demonstratën si akt të rrënimit të pushtetit mbase aty merrnin pjesë qytetar të të gjitha moshave me theks të veçantë nxënësit e shkollave të mesme me dominim të gjimnazit. Ndërkaq shqiptarët si akt për të rritur barazinë nga padrejtësitë ndaj shqiptarëve.
Protesta ishte drejtuar kundër politikave të gabuara ndaj shqiptarëve . Politika represive dhe dhuna ndaj qytetarëve shqiptarë që udhëheqja politike e shtetërore zbatoi pas demonstruesve, në radhë të pare ndaj nxënësve të shkollave të mesme, arsimtarëve, profesorëve dhe punëtorëve të tjerë vazhdon me rritëm të shpejtuar. Është e kuptueshme që politika e atëhershme restriktive tregoi gjithë mllefin ndaj shqiptarëve. Zullumi i komunistëve nuk u ndalë. Ngritjet dhe rëniet e shqiptarëve ishin gjithnjë e më evidente.
Menjëherë u krijua plani i LKM – së për marrjen e masave ndëshkuese, rritjen e nivelit të sigurisë dhe zbulimin e dënimin e demonstruesve dhe përkrahësit e tyre. U formuan grupe pune që shkonin nëpër shkolla dhe institucione për dënimin e demonstruesve dhe mbështetësit e demonstratave si dhe diferencimin e tyre. Të gjithë ata që shprehnin kritika ndaj sistemit dhe pajtoheshin me demonstruesit u diferencuan, u dënuan. Më vështirë e kishte gjimnazi dhe shkolla fillore e Porojit, e cila emrin e saj nga “Liria” në “Gj. K. Skënderbeu” e morri nga shtatori i 1968 me ç’rast u organizua një ceremoni kulturore me pjesëmarrjen e SHKA “Liman Kaba” nga Dibra, por që u trajtua si vatër e nxitjes dhe nacionalizmit shqiptarë.
Edhe pse mbështetja ndaj demonstruesve u zbeh, ajo që ata arritën ishte impresionuese. Prej demonstratave u krijua një atmosferë pikëllimi por edhe lëvizje. Njerëzit që dolën rrugës kanë demonstruar kundër gjithçkaje të keqe ndaj shqiptarëve, por si shkasë ishte flamuri, padrejtësitë, pabarazia. Politika represive ndaj shqiptarëve të Tetovës që udhëheqja politike maqedonase zbatonte në rafshin e demonstratave në radhë të parë kundër arsimtarëve, intelektualëve, shkollave dhe nxënësve veçanërisht shkollave të mesme të Tetovës ishte e egër.
Sipas njohurive pas demonstratave shumë nxënës, intelektual, profesor, mësues gjetën përjashtimin nga shkolla, nga puna. U arrestuan dhe maltretuan dhjetëra demonstrues, qytetar e familje pa arsye.
Atëherë ne e dinim se çfarë kërkonin demonstruesit. Ne i mbështetëm ato. Ne donim që shqiptarët të kenë vlerë. Politika maqedonase vlerësonte se sjellja e nxënësve, arsimtarëve meriton dënim për arsye se përpiqen të krijojnë situate krize dhe destabilizimi në realizimin e të drejtave të tyre.
Pushteti nuk mendoi se këto të rinj të përjashtuar nga shkollat dhe të burgosur nuk kanë më durim. Pushteti duheshte të merrte seriozisht problemet e tyre. Pakënaqësia e nxënësve të përjashtuar e të burgosur ishte një sfidë e madhe që nuk duhej nënvlerësuar.
Megjithatë krenaria e shqiptarëve të shtypur e të nëpërkëmbur, te burgosur e të larguar nga shkolla dhe puna nga pushteti dhe politika e kohës nuk u zbeh, ata guximshëm hapëruan drejt të ardhmes.
Thjesht më mbetet konstatimi se gjurmët udhëtojnë nëpër vite dhe sërish kthehen në kohë, kthehen krejtësisht të hidhura lidhur me ngjarjet e para pesë dekadave. Demonstratat e ’68 vranë frikën dhe ngjallën shpresën se jeta do të përmirësohet. Ato prekën ndërgjegjen dhe ngucën krenarinë kombëtare./lajmpress

Loading...