Parajsa në versionin “live”

DrenushaZajmi

DRENUSHA ZAJMI-HOXHA

Vendi që është në Evropë por, shih sa mistike: Nuk është Evropë! Vendi që posedon bukuri të jashtëzakonshme natyrore, por nuk disponon me to, nuk i duhen, i jep dorëshlirë. Aty ku njerëzit e sëmurë rëndë nuk ekzistojnë, sepse ose kanë vdekur ose janë jashtë vendit për shërim. Këtu jemi të gjithë Happy people, shpejt aman një klip a selfie me hashtag #jahjagistat.

Në këtë parajsë jetojnë njerëzit që kanë tru, por nuk u hynë në punë, sepse të tjerët mendojnë për ta. Ky është vendi ku nuk ekziston fajdeja mes njerëzve, sepse e kanë legalizuar bankat. Për gjykatat nuk ekzistojnë vrasësit, por vrasje ka çdo ditë, për lëndine. Vendi ku njerëzit janë të mbyllur por ndihen të lirë.

Vendi ku ka tolerancë ndërfetare, por njerëzit urrehen edhe brenda një feje. Ku pensionistët marrin rrogë të dyfishtë: një ndihmë sociale dhe një ndihmë – profesionale, që bashkërisht bëjnë një shumë mizerable .Vendi ku, sipas qeverisë, lulëzojnë prodhimi, rritja ekonomike dhe mirëqenia, por populli kënaqet nga papunësia, varfëria dhe skamja. Ka nevojë për pushim, more. Ka kush punon për ta!

Consensus dhe Nonsens

E a ka më mirë kur në vend të popullit, punojnë qeveritarët. Janë të zellshëm dhe produktivë. Nga një gjë i nxjerrin dy: nga një problem – dy, nga një krim – dy, nga një milion euro – dy, nga një dashnore – dy… Po them, ky definitivisht është versioni im i parajsës. Me pasë dëshirë njeri me vdekë në Kosovë. Ore, ne të vdekur për së gjalli jemi të gjithë, po qe po them, mbase vjen edhe dikush tjetër nga jashtë e na ndihmon të vdesim mirë. Meqë, veç jemi mësuar të ndihmohemi gjithmonë. E meritojmë. Jemi popull hyjnor me fat. Të gjitha gjërat i bëjmë me “n(c)onsensus”.

Me qenë kosovarët më të mençur nga (ç)s’janë, këto ditë do të pushonin mirë e mirë nga krejt ndodhitë e vitit kosovar, që prodhon skandale më shumë se sallame me mish të coft’. Na i do shpirti bre! Pse, qysh, kush, çka, këto janë katër pyetjet bazike që i kemi si ushqim shpirtëror. Meqë ushqim të hairit edhe ashtu nuk ka.

Edhe Parlamenti duhet të pushojë nga gjithë ato shfaqje tragjikomike që na i dha sivjet “live”. Ndërkohë, të tjerët mund të sjellin vendime për të, ashtu siç ndodh gjithmonë, kiameti nuk u bë. Ama, për që u treguan trima të vërtetë me vendimin për Gjykatën Speciale, u treguan! Tamam parlament – burrë! Por shih sa lezetshëm: Në versionin e parajsës “live” Qeveria është Grua! Dhe gruaja gjithmonë e pyet burrin sa për ta “lagur gojën” dhe në fund bën si të dojë vetë. Po pra! Si kujtuat ju? A nuk thonë se gruaja e fut dreqin në shishe? E pra, këtu ua uli edhe në fron. Plaç madho – botë false si silikoni i bombave të estradës.

E kur jemi te estrada, kam shumë problem me sytë që më rrotullohen kot si busulla veri-jug. Forma rrumbullake andej, rrumbullake këndej. Një kiamet të pasmesh që dridhen në plan të parë dhe disa të tjera krejt shkumë, hipur dikah mbi vetura luksoze. Bile, ra estrada dhe po mbyllen butikët e shitoret e tjera plot rroba! E kujt po i duhen më, allahile! Hajt se verë, nuk ka zarar. Feministet do të thoshin: “Femra nuk duhet të jetë e nuk duhet të duket vetëm si objekt seksual!” Allahile, bitcha xheloze! E pse jo kishe?

Shumë mirë po duken dhe përdoren si objekt seksual. Vetë femrat kanë vendosur të jenë objekt seksual. Pse të mos përdoren asetet kur i ke? Dreqi e marrtë kujt po i duhet truri më këtu edhe po e pate? Çfarë dyersh hap ai tru? A mund të punësohesh veç me tru? A mund të jesh e famshme me tru?

A mund të kesh shumë para me tru? Me qenë të zojat, ishim dashur të insistojmë edhe për hapjen e një fakulteti të arteve të vallëzimit dhe zhveshjes. Bëj striptiz sa të duash dhe po të kritikoi kush, ia fut diplomën në hundë: Hallooo! Jam me shkollë, idiot! Ec shko merru me profesorllëkun tënd bajat tridhjetëvjeçar! Shkencëtar i dreqit!

Katra-katragjyshja ilire

E në fund pushim edhe për gjithë këtë milet të lashtë hyjnor, që vërshon plazheve të Shëngjinit dhe Velipojës si shiu në kollomoq. Nuk ka dert që torturohet e grindet për një shtrat plazhi, se qëndron në mes të turmës dykëmbëshe dhe përcëllohet si zhapini. As nuk ka tualet, as kabina, as dush. Plus çmimet përvëluese pa asnjë standard përcjellës. Po ani de se s’ka dert.

Ka lezet edhe kallaballëku! Plus kur qëllon e “fqinji” nga çadra afër e lëshon farë tallavaje me zë të lartë, për besë ka hije edhe ndonjë xhiro valle nëpër rërë. E mbrëmjet, ah! E kanë atë romantikën e vet të paparë! Korzoja e Shëngjinit skaj shitësve ambulantë me zhurma të padurueshme të lodrave kineze, përcjellë me ulërimën grithëse të këngëtares, e cila e bindur për kualitetet e zërit të vet, i jep forcë akoma si bizon, sa herë ia valëvit kush përpara flamurin kuqezi.
Ngjethem kur e mendoj gjithë këtë mrekulli.

A thua vallë jam kaq me fat që jam lindur në këtë parajsë moderne? Me çfarë e kam merituar këtë? Sigurt më ka zënë ndonjë bekim i farë katra-katra gjyshes sime ilire, e cila ka bërë ndonjë të mirë dhe pastaj “e ka gjuajtur në lumë” siç thotë populli. Po tutna që ajo “e mira” ka qenë farë katra-katra gjyshi im, i cili ka qenë tepër i sëmurë prej dembelisë trashëguese. E ndoshta edhe kjo viron katra-katragjyshe ka qenë këngëtare në atë vakt dhe ka fituar boll vetë e nuk i është dashur burri.

Mund të ndodhë që, meqë atëherë nuk ka pasur kallashë e pushkë, e ka pasur nofkën “Shtiza”! Çka nuk bën vaki në botën iliro-shqiptare. Kështu unë vazhdoj të jem e bekuar me të mirat që po i gjuaj në lumin përtej Merdares dhe njëkohësisht po kënaqem në dembelinë familjare. Punë e madhe. Është me të leme bre, nuk kam faj unë.

Kështu pra, o njerëz! Nuk keni nevojë të vdisni për të shkuar në parajsë. Atë e keni para sysh, jeni duke e jetuar e përjetuar. Falënderoni paraardhësit tuaj për mrekullinë që ua lanë dhe që ju po ia përcillni gjeneratave që po vijnë. Me të njëjtin mësim e pësim. Të njëjtat gabime, e njëjta histori. Me të njëjtat vese e zakone. Me të njëjtat mend. Veç po qe se edhe do t’i kishim të shkretat, nuk do hahej më për së ëmbli ky vend!

Loading...