Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve dhe mbajtja e referendumit janë çështjet tek të cilat do të fokusohen të gjithë faktorët politik në vend që nga fundi i këtij muaji. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev dje paralajmëroi se kah fundi i këtij muaji do të hapet debat lidhur me referendumin dhe të gjitha çështjet që lidhen me të, duke përfshirë këtu edhe formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Ai shtoi se ekipet negociuese, pritet që këto ditë do t’u harmonizojnë qëndrimet, pasi siç tha ai, nuk ka kushte për bllokim të referendumit. Në rast se grupet e punës nuk arrijnë të merren vesh, Zaev nuk e përjashtoi mundësinë për mbajtje të një takimi liderësh.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve do të duhet t’i bëjë të gjitha përgatitjet për referendum, e ndërkaq referendumi është detyrë nga Marrëveshja për zgjidhjen e çështjes së emrit dhe partneritetit strategjik me Greqinë dhe është pjesë e procedurave të brendshme që duhet të zbatohen para antarësimit të plotë të vendit në NATO.

Pavarësisht faktit që partitë politike parlamentare, veçmë kanë vendosur se kush do të jenë përfaqësuesit e tyre në Komisionin Shtetëror të zgjedhjeve, deputeti i VMRO-DPMNE-së Ilija Dimovski, i cili njëkohësisht është edhe kryetari i Komisionit për zgjedhje dhe emërime, ende nuk po e cakton seancën.

Qëndrimi i VMRO-DPMNE-së është se nëse voton për KSHZ-në, fillimisht duhet të sillen ligji për financim të partive dhe ligji për Qeveri, pasi siç vlerësojnë ata, për një gjë të tillë janë marrë vesh para se VMRO-DPMNE të kthehet në Parlament dhe të jep mbështetje për ligjet reformuese. Afati për formimin e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve ka skaduar më 29 qershor. Më herët, Zaev kishte njoftuar se po shqyrtohen disa data të mundshme për mbajtjen e referendumit, në fund të shtatorit ose fillim të tetorit.

Loading...