Që kur BDI nga 20 mbeti me 10 deputetë, kanë ndodhur shumë përmirësime në favor të shqiptarëve në Maqedoni. Një prej tyre është edhe lirimi i VMRO-DPMNE-së nga politikat e saj të vjetra, diçka që ishte e paimagjinueshme në kohën kur kjo parti ishte në koalicion me BDI-në e Ali Ahmetit. Këtë publikisht e bëri të ditur edhe vetë deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vlaltko Gjorçev, i cili dje akuzoi qeverinë aktuale se nuk po bën sa duhet për shqiptarët.
Analistët shqiptarë vlerësojnë se dëgjueshmëria e verbër e BDI-së ndaj Gruevskit dhe Mijallkovit kultivoi dhe forcoi politikën antishqiptare brenda VMRO-DPMNE-së.
“Ndoshta kjo do të duket e tepërt, por me përgjegjësi të plotë, nga kjo distancë kohore mund të konstatoj se BDI ishte boshti i politikës antishqiptare të VMRO-DPMNE-së. Po të mos ishte dëgjueshmëria e BDI-së në qeveri, mendoj se as Gruevski e as Mijallkovi nuk do të mund të zbatonin politikat e tyre ndaj shqiptarëve. Po të mos kish qenë poltronizmi i BDI-së, mendoj se Gruevski dhe Mijallkovi që në vitin 2011 do të kishin humbur kontrollin në parti dhe do të kishin rënë nga pushteti”, thotë analisti Sami Mehmeti, duke shtar se falë besnikërisë së BDI-së, Gruevski dhe Mijallkovi pa asnjë pengesë mund ta mbanin nën kontroll të plotë strukturë e VMRO-DPMNE-së.
Sipas tij, po të ishte BDI më këmbëngulëse në kërkesat e shqiptarëve edhe Gruevski e Mijallkovi nuk do të mundin të vendosin diktaturë 10 vjeçare brenda VMRO-DPMNE-së.
“Nëse e keni lexuar me vëmendje letrën e Mijallkovit deri te Mickovski, ai qartë thekson aty se rejtingu i VMRO-DPMNE-së është rritur falë aksioneve policore të realizuara në kohën e qeverisë VMRO-BDI. Ku u realizuan ato aksione? Në viset shqiptare! A do të mund të realizoheshin pa pëlqimin e BDI-së? Assesi jo!”, deklaron Mehmeti.
Ai frikohet se “virusi i antishqiptarizmit” tani mund ta kaplojë LSDM-në edhe atë pikërisht për shkak të koalicionimit me BDI-në.
“Nëse LSDM mbetet gjatë kohë në koalicion me BDI-në, kam frikë se virusi antishqiptar do ta kaplojë edhe partinë e Zaevit, njësoj sikurse që dikur e kishte kapluar edhe VMRO-në. Është në të mirë edhe të shqiptarëve edhe të LSDM-së, që sa më shpejtë BDI, të përjashtohet nga qeveria”, thekson Mehmeti. Ai shton se BDI ka njerëz të mirë dhe kuadro të përgatitura, por ata nuk mund të vijnë në shprehje deri sa kjo parti nuk kalon në opozitë ku do të reformohej ngjashëm sikurse u reformuan më herët LSDM-ja dhe VMRO-ja.

Loading...