Pas temperaturave plus 40, sot freskim me reshje përmbytëse dhe bubullima

Pas temperaturave tropikale të kësaj jave dhe të djeshmet prej 40 gradëve, sinoptikanët për sot dhe ditët e fundjavës paralajmërojnë freskim me shi dhe bubullima.

Moti në Maqedoni paradite do të jetë me diell dhe i ngrohtë, ndërsa pasdite nën ndikimin e masës së lagësht, jostabile dhe më të freskët do të ketë ndryshim të madh. Në shumë vende do të ketë vranësira jostabile me shi të rrëmbyeshëm dhe bubullima, lokalisht në formë të motit të keq me erë të përforcuar dhe kushte për rënie të breshërit.

Më shumë reshje do të ketë në orët e mbrëmjes dhe natën drejt të shtunës, sidomos në pjesët veriore, ku lokalisht pritet të reshin mbi 25 litra në metër katror.

Temperatura e mëngjesit do të arrijë prej 14 deri  22, ndërsa e ditës do të lëviz prej 30 deri në 36 gradë Celsius. UV indeksi do të arrijë 7.

Në Shkup paradite mot me diell, ndërsa pasdite vranësira jostabile, në shumë vende me shi të rrëmbyeshëm, bubullima dhe erë e përforcuar.

Gjatë fundjavës do të jetë mot me vranësira të ndryshueshme, dukshëm më i freskët dhe me erë me reshje lokale të shiut. Temperatura e ditës do të ulet për më shumë se 10 gradë në krahasim me temperaturën e ditës së sotme në interval prej 20 deri në 29 gradë Celsius.

Nga e hëna pritet stabilizim i motit me rritje graduale të temperaturës. Deri të martën do të fryjë erë mesatare deri e përforcuar veriore.

Loading...