Singapori nuk ka më pasaportën më të fuqishme në botë, pasi me renditjen e fundit listën e kryeson Gjermania. Indeksi vjetor i pasaportave “Henley” ka publikuar renditjen e pasaportave sipas numrit të vendeve që qytetarët mund të udhëtojnë pa viza. Ky është viti i pestë që vendi europian kryeson renditjen e ‘Henley’.
Sipas Business Insider, renditja bazohet në të dhënat e Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror, i cili mban bazën më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse në botë të informacionit të udhëtimit. Qytetarët gjermanë tani mund të vizitojnë 177 vende pa viza.

Në tetor, një listë e veçantë në rang ndërkombëtar ‘Global Power Passport’, e cilësoi pasaportën e Singaporit si më të fuqishmen në botë.

Por Gjermania që prej asaj kohe ka rikuperuar vendin e parë në atë renditje, duke forcuar pozitën e saj dhe duke lënë Singaporin në vend të dytë.

Ndërsa vendi i tretë ndahet nga Danimarka, Finlanda, Franca, Italia, Japonia, Norvegjia, Suedia dhe Mbretëria e Bashkuar, qytetarët e të cilëve janë të lirë të udhëtojnë në 175 vende.

Amerikanët nuk kanë nevojë për vizë në 173 vende. Sa i takon vendeve të Ballkanit, kryeson Greqia, ku qytetarët grekë mund të lëvizin lirshëm në 171 vende.

Qytetarët bullgarë mund të udhëtojnë pa viza kundrejt 156 vendeve, ndërsa Serbia renditet në vendin e 41-të në listë, ku qytetarët e saj mund të lëvizin lirshëm në 119 vende.

Maqedonia është renditur në vendin e 46, ku maqedonasit udhëtojnë në 112 vende lirshëm, ndjekur nga malazezët të cilët janë të 48-ët dhe lëvizin pa viza në 110 vende.

Bosnje Hercegovina mban vendin e 51, qytetarët e së cilës lëvizin pa viza në 2015 vende.

Ndërsa, Shqipëria renditet në vendin e 52 dhe shqiptarët mund të lëvizin lirshëm në 100 vende.

Pakistani, Siria, Iraku dhe Afganistani mbeten në fund të renditjes për të dytin vit radhazi, ku qytetarët e këtyre vendeve kanë të drejtë të lëvizin pa viza në më pak se 30 shtete.

Loading...