Pasqyrë e vogël për intelektualët e mëdhenj

Shkruan: Emad Mehmeti

Njëzet ditë me radhë, BDI-ja bëri negociata me VMR-DPMNE-në dhe thonë se arrti marrëveshje për koalicionim qeveritar, të cilën ua prishi dikush “nga lartë”, por shumë veta e harruan këtë dhe tani thonë se Lëvizja BESA punuaka në favor të partisë së Nikolla Gruevskit?!
Më shumë se një dekadë me radhë, BDI-ja i shërbeu VMRO-DPMNE-së, por siç duket, nuk janë të paktë ata që e harruam: “Sopotin”, ‘Monstrën’, rastin e Kumanovës, projektin “Shkupi 2014″… dhe tani sa nuk janë duke e shpallur Lëvizjen BESA aleate më të madhe të partisë së ‘sashove’?!
Shumë biseda të përgjuara telefonike treguan se cili është veprimi politik i “më shkije se shkijeve”, por sot nuk mungojnë ata që publikisht thonë se BESA është “pengesë” e së mirës shqiptare, që do na e sjellë Zaevi si kryeministër i ardhshëm, edhe pse kjo Lëvizje ka thënë se do votojë çdo ligj që shkon për reforma dhe do i përkrahë të gjitha projektet e dobishme për shqiptarët e për shtetin.
Kur i pyet disa nga mendimtarët tanë si u bë që kaq shpejt harruan atë që e thoshin për BDI-në si shërbëtore të deridjeshme e VMRO-DPMNE-së, disa nga ata përgjigjen: Tani është koha të harrohen të gjitha, se s’kemi rrugë tjetër! Dhe kështu edhe një herë, si shumë herë më parë, na rekomandohet harresa, si “ilaç” që do na çojë drejt të mirës kolektive, që edhe na bëri popull harrimtarë. Të gjithë e dimë se Zaevi, me bisedat e përgjuara telefonike që ka, mund t’i shantazhojë drejtuesit e BDI-së po aq sa edhe partneri i tyre i deridjeshëm qeveritarë Gruevski, e njëkohësisht bëhemi se nuk e dimë se duke qenë të shantazhueshëm, drejtuesve të BDI-së u pengon pastërtia e BESAtarëve në qeverinë e re.
Të gjithë dëgjuam kur Zaevi tha se vlera më e madhe e kryetarit të porsazgjedhur të parlamentit është se ai ka qenë ministri më bashkëpunues e më besnik i Gruevskit, e në ndërkohë nuk janë të paktë ata që e pyesin Lëvizjen BESA pse nuk votoi për këtë kryeparlamentar.
Mbase jam edhe në moshë edhe për nga përvoja politike i ri, pra jam një “pasqyrë e vogël” dhe e papërfillshme që ta vlerësoj mendimin publikë të të tjerëve, por më duhet ta pranoj se gjithnjë e më shumë bindem se problemi i shqiptarëve të Maqedonisë, nuk është pse kanë politikanë të papërgjegjshëm, por pse janë të shumtë ‘jopartiakët’ që popullit ia rekomandojnë harresën. Dhe që në vend se të përgjigjen, pyesin: Çka të bëjmë tani kur pa votat e BDI-së nuk mund të miratohet qeveria? Dhe ndoshta nga mospërvoja politike edhe e kam gabim, por besoj se të brengosurit për fatin e popullit nuk duhet ta shtrojnë këtë pyetje, por duhet të propozojnë që drejtuesve të BDI-së e të VMRO-DPMNE-së antishqiptare, si dhe të gjithë pjesëmarrësve në regjimin DPMNE-BDI, me ligj t’u ndalohet të merren me politikë!

Loading...