Serbia do të bëjë çdo gjë të mundshme për të ruajtur Kosovën dhe praninë e saj në këtë krahinë, siç e ka quajtur ai Republikën e Kosovës, dhe në këtë kontekst pret shumë nga ndihma e Rusisë dhe Kisha Ortodokse Ruse, i ka thënë gazetës ruse “Sputnjik” patriarku serb Irinej dhe ka shtuar se “Serbia pa Kosovën (është) si njeriu pa zemër”, transmeton Koha.net.

Patriarku Irinej citohet të ketë thënë se në këtë moment Serbia po përpiqet me ngulm për të ruajtur Kosovën në përbërje të vendit (Serbisë) meqë ky territor “po i rrëmbehet Serbisë”.

“Po bëjmë çdo gjë të mundshme që t’i kundërvihemi presionit të atyre vendeve të cilat po sillen aq padrejtësisht ndaj nesh, duke pasur parasysh njohjen e Kosovës. Kjo është padrejtësia më e madhe që kanë bërë “të fuqishmit e kësaj bote” dhe që do të keyë pasoja jashtëzakonisht serioze për gjithë botën”, është shprehur patriarku Irinej.

Ai ka thënë se Serbinë e Rusinë i bashkon feja e përbashkët, historia dhe kultura dhe se marrëdhëniet midis dy vendeve me shekuj kanë qenë vëllazërore, përcjell Koha.net.

“Shqiptarët e Kosovës përpiqen ta fshijnë çfarëdo gjurme të pranisë sonë në atë territor”, është shprehur patriarku Irinej në këtë gazetë ruse, që botohet edhe në Beograd.

Loading...