Pavarësia e Maqedonisë, nën hijen e referendumit

Maqedonia shënoi 27-vjetorin e pavarësisë nga ish-shteti komunist jugosllav. Për dallim nga ish-republikat tjera, Maqedonia ndarjen e arriti pa luftë, ndërsa themelet e shtetit të ri u vendosën në referendumin më 8 shtator të vitit 1991. Referendumi ishte bojkotuar nga shqiptarët, për shkak të injorimit të kërkesës së tyre për barabarësi.

Që atëherë, maqedonasit synim kishin krijimin e shtetit unitar dhe inkuadrimin e tij në NATO dhe BE, por kjo nuk u arrit edhe 27 vjet nga pavarësia për shkak të problemeve me fqinjët, në veçanti me Greqinë për shkak të mosnjohjes së emrit Maqedoni.

Maqedonia tani ndodhet para një referendumi të ri, për mbështetjen ose jo të marrëveshjes me fqinjin jugor për një emër ti, Maqedonia e Veriut.

Duke bërë një paralele mes dy referendumeve, ish-kryetari i Kuvendit të parë, Stojan Andov, thotë se ata kanë lidhshmëri mes tyre, apo referendumi për emrin është vazhdimësi e aspiratave për forcimit e shtetit, si pjesë e familjes euroatlantike.

“Referendumi i vitit 1991 është momenti më i madh historik për ne, pasi arritëm pavarësinë, por atëherë nuk e kishim menduar se do të bëjnë një shtet të izoluar, por shtet që do të ishte pjesë e familjes së shteteve evropiane. Tani ky referendum ka një lidhje organike me referendumin për pavarësi, pasi paraqet vazhdimësi të aspiratave tona të para 27 vjetëve, pra vazhdimësi të kurorëzimit të synimit tonë që të jemi pjesë e NATO-s dhe e Bashkimit Evropian”, thotë Stojan Andov.

Ai vlerëson pozitivisht edhe qëndrimin e shqiptarëve dhe të bashkësive tjera etnike që tani mbështesin referendumin, që sipas tij forcon unitetin e shtetit. Por, Andov nuk e komenton bojkotin që shqiptarët i kishin bërë referendumit për pavarësinë e shtetit për shkak të, siç kishin deklaruar, mospërmbushjes së kërkesës kryesore të tyre për barabarësi në shtetin që po krijohet pas ndarjes nga ish -Jugosllavia.

Ish-kryetari i Kuvendit kritikon kreun e shtetit, Gjorge Ivanov por edhe opozitën për qëndrime, sipas tij, aspak të logjikshme, por që beson se nuk do të kenë sukses në zmbrapsjen e vendit nga integrimet euroatlantike.

“Qëndrimet e presidentit janë të gabuara, mendoj se ai njeri nuk arriti të gjendet në rrethanat e reja për të ardhmen e vendit. Mendoj se një situatë të njëjtë është edhe opozita, e cila nuk e mbështet marrëveshjen. Por, konsideroj se kundërshtimet e tyre nuk janë aq të fuqishme sa të pengojnë suksesin e referendumit. Qëndrimet e tilla pengojnë zhvillimin e vendin, perspektivën dhe mirëqenien e qytetarëve. Në rast se procesi dështon, do të bëhet shumë keq për vendin, por assesi nuk dua të mendoj se do të vijmë në një situatë të tillë”, vlerëson Andov.

Ndryshe, Vehdi Xhemali, historian dhe ish-deputet në përbërjen e parë parlamentare, mendon ndryshe nga ish-kryetari i Kuvendit të Maqedonisë. Ai thotë se është i madh dallimi mes referendumit të parë për pavarësi dhe këtij të tanishmit për çështjen emrit. Në të parin, sipas Xhemalit, shqiptarët e bojkotuan për shkak të injorimit të kërkesave të tyre, andaj edhe ai nuk përkujtohet asnjëherë nga personalitetet shqiptare.

“Dallimi është shumë i madh pasi atëherë punohej pastër për interesin tonë shqiptar, për një shtet të barabartë mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Por, atëkohë maqedonasit nuk ishin të gatshëm të pranojnë një barazi të plotë, prandaj ne për këtë arsye e bojkotuam referendumin. Ndërkohë, sot, kemi të bëjmë me një referendum tjetër, që ka edhe karakter ndërkombëtar, prandaj shqiptarët janë të interesuar që të ketë sukses, pasi duan që të kenë një siguri edhe më të madhe si politike, ekonomike, sociale dhe me anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE shqiptarët mendoj se do të kenë barazi të plotë nën mbikëqyrjen e institucioneve evropiane e ndërkombëtare”, thotë Xhemali.

Duke komentuar pakënaqësitë nga qarqe të ndryshme, në veçanti të diasporës shqiptare, por edhe të opozitës, e cila ka vërejtje mbi marrëveshjen me Greqinë, për shkak se, sipas saj, shumë çështje do të mbeten pa u definuar, si ajo e gjuhës shqipe, Xhemaili pranon se këto të drejta nuk janë arritur që nga pavarësia e Maqedonisë. Mirëpo, ai beson se ato do të gjejnë zgjidhje me inkuadrimin e vendit të institucionet evropiane.

“Ne nuk i kemi arritur, por besoj se me këtë referendumin e ri, apo përmes tij dhe me ndërmjetësimin ndërkombëtar apo lëvizjen e tyre në mesin tonë, do të kemi një situatë më reale ku do të mbisundojë barabarësia mes dy popujve apo e drejta në çdo aspekt shtetëror”, thekson Xhemaili duke shpresuar në suksesin e referendumit, pasi, sipas tij, nëse ndodh e kundërta, Maqedonia nuk do të ketë të ardhme.

Ai thotë se me dështimi ne referendumit, vendi përfundimisht do të rreshtohet nga lindja që nuk do të sjellë asgjë të mirë për qytetarët, pavarësisht se cilit komunitet i takojnë./Rel/

Loading...