Deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja kanë votuar të përmbajtur gjatë debatit për përmbajtjen e amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, në pajtim me Marrëveshjen e Prespës. Por, kjo nuk do të thotë se ata nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetutuese në fazën e fundit të votimit, kur nevojiten 2/3 e votave. Taktizimi i tetë deputetëve maqedonas në këtë fazë, sipas analistëve bëhet për pazare politike në kurriz të drejtësisë, duke kushtëzuar votën e tyre me amnistinë për dhunën në Kuvend, shkruan Gazeta Lajm.

“Realisht problemi i ndryshimeve kushtetuese paraqet proces përcaktues ku deputetët krijojnë qëndrimet e tyre në bazë të pozicionit të tyre individual pro apo kundër integrimit në NATO dhe BE, si dhe elementeve të tjera shoqëruese” thotë profesori Qashif Bakiu sipas të cilit, në realitetin politik në Maqedoni, për fat të keq gjithçka është bërë Pazar. “Edhe ky rast nuk mund të ngel imun. Më e keqja është kur këto pazare bëhen për të ndikuar mbi procese gjyqësore që kanë të bëjnë me raste të pastra kriminale” u shpreh Bakiu, i cili është i mendimit se kushtëzimi i deputetëve opozitarë që me votimin e ndryshimeve kushtetuese të sigurojnë amnisti për kryerësit e veprave të rënda penale do të ishte i dëmshëm jo vetëm për procesin politik, por në përgjithësi për shtetin e së drejtës. “Amnistia e krimit është dëmi më i madh që mund ti bëhet një shoqërie dhe një shteti” u shpreh profesori Qashif Bakiu,

Edhe analisti politik Alajdin Demiri, vlerëson se deputetët e përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja po kushtëzojnë votën e tyre për të përfituar amnisti. “Unë mendoj se ata deputetë që janë duke negociuar, janë duke rritur çmimin për kërkesat të cilat janë të një natyre për amnistitë ose garanci për lirimin e tyre” tha Demiri.

Por, analisti Albert Musliu, në një prononcim të shkurt, i tha Gazetës Lajm se pavarësisht tentativave për pazare politike, asgjë nuk mund ta rrezikojë procesin për ndryshimin e emrit kushtetues të Maqedonisë, si kusht për zhbllokimin e procesit integrues të vendit.

“Nuk besoj se mund te rrezikohen, bile mendoj se ndryshimet kushtetuese në fund do te mbështeten nga më shumë se 80 deputetë” tha Albert Musliu.

I të njëjtit mendim është edhe gazetari i njohur Arben Zeqiri. “Dy të tretat nuk janë në rrezik dhe kjo shumicë mendoj që është betonuar me pazare të rënda dhe të thella politike. Votimi në fazën e dytë kur nevojiten vetëm 61 vota vetëm u jep komoditet 8 deputetëve që të aktrojnë sikur negociojnë, kushtëzojnë për garanci të identitetit dhe për të fituar amnisti për 27 prillin që në këtë mënyrë të hedhin poshtë zërat për pazare politike dhe të përfitojnë sa të munden më shumë nga falja apo amnistia” shprehet Zeqiri. Ai, shprehet i bindur se në fund të procesit të gjithë do të votojnë pro ndryshimeve kushtetuese, përfshirë edhe tetë deputetët. “Madje kam përshtypjen se atyre do tu bashkëngjiten edhe deputet të tjerë të cilët do ta shohin këtë rast si mundësi për të përfituar diçka” tha Zeqiri.

Në fillimin e debatit rreth miratimit të teksteve të draft-amendamenteve për ndryshimet kushtetuese, kryeministri Zoran Zaev theksoi se mbetet i hapur për proces inkluziv, duke kërkuar nga të gjithë deputetët që të ndërhynë në fazën e amendimit.

Por, nga VMRO-DPMNE-ja opozitare kanë kundërshtuar sërish ndryshimin e Kushtetutës me qëllim ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke e cilësuar këtë si një tradhti kombëtare.

Ndërkohë, dhjetëra qytetarë maqedonas nga lëvizja “Maqedonia bllokon” kanë protestuar para Kuvendit kundër ndryshimeve kushtetuese dhe kundër Marrëveshjes së Prespës.

Sela: Mos na quani 20%

Lideri i Aleancës Shqiptare, Ziadin Sela në fjalimin e tij lidhur me ndryshimet kushtetuese ka kërkuar përkrahjen e deputetëve maqedonas që edhe gjuha shqipe të njihet në Kushtetutë si gjuhë zyrtare dhe jo si gjuhë që e flasin 20%.

Sela i ka thënë deputetëve maqedonas se siç janë ndjerë të ofenduar maqedonasit kur i quanin me terme tjera duke aluduar në FYROM ashtu edhe ne ndjehemi të ofenduar kur gjuhën tonë e quajnë gjuhë e 20%.

Loading...