Peng i politikës

Delegacioni i FFK-së, Fadil Vokrri, kryetar, Bekim Haxhiu nënkryetar dhe Eroll Salihu sekretar i përgjithshëm, janë pritur në selinë e Federatës së Futbollit të Sllovenisë nga kryetari i saj Aleksander Çeferin dhe sekretari i përgjithshëm Alesh Zavrl me bashkëpunëtorë. Kryetari Vokrri ka falënderuar kryetarin Çeferin për mikpritje dhe e ka njoftuar për rrjedhat në futbollin e Kosovës, duke theksuar nevojën e domosdoshme të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës, që ka mbetur peng i politikës jo të drejtë për kaq shumë vite.

Në këtë drejtim kryetari Fadil Vokrri e njohu mikpritësin për angazhimet që po bën FFK-ja që të bëhet anëtare e UEFA-s dhe FIFA-s. “Në këtë drejtim nevojitet edhe ndihma dhe mbështetja e miqve, ndaj kërkoj nga ju që të shfrytëzoni gjithë ndikimin tuaj dhe të federatës sllovene në mënyrë që FFK-ja të arrijë këto objektiva. Komuniteti i futbollit shpreson në ndihmën tuaj duke shpresuar në Slloveninë si një vend mik i Kosovës sikur që ishte edhe në të kaluarën.

FFK-ja është thellësisht e interesuar për një bashkëpunim të ndërsjellë në të gjitha segmentet me federatën sllovene duke shfrytëzuar përvojat e saj”, ka thënë Vokrri gjatë këtij takimi. Nga ana tij kryetari i Federatës sllovene të Futbollit z. Aleksander Çeferin ka treguar mirëkuptim për të gjitha brengat dhe kërkesat e FFK-së dhe ka shprehur gatishmërinë që ta ndihmojë FFK-në në të gjitha fushat e interesit si dhe të i japë mbështetje për të përmbushur synimet e veta si një e drejtë legjitime. Kryetari Vokrri ka ftuar z. Çeferin që në një kohë të përshtatshme ta vizitojë Kosovën.

Loading...