Pas 38 viteve aktivitet në sferën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, kryetari i deritanishëm i IGFM-së, kumanovari Idriz Sinani ka vendosur të tërhiqet nga veprimtaria e tij, për shkaqe shëndetësore.

12 vitet e fundit Sinani ishte kryetar i IGFM-së, ku tani e tutje është shpallur kryetar nderi, kurse në vend të tij u zgjodh Adil Mustafa. Ndryshe Sinani njihet edhe si një nga bashkëveprimtarët e parë të simbolit shqiptar të rezistencës, Adem Demaçi. Me rastin e përfundimit të mandatit 12 vjeçar në kreun e IGMF-Maqedoni, Idriz Sinani ka përgatitur edhe raportin për punën e tij në krye të kësaj organizate.

Raporti i punës 12-vjeçare të IGFM-Maqedoni

Të nderuar anëtarë dhe mbështetës të IGFM-së!
Të nderuar, mysafirë, të nderuar aktivistë politikë, jopolitikë, ekspertë, mediume dhe të gjithë ju të pranishëm nga të gjitha trevat shqiptare, zonja dhe zotërinj…
Kam nderin që sot para jush të paraqes një raport të punës 12-vjeçare të organizatës sonë, e cila gjatë kësaj periudhe ka bërë përpjekje të mëdha për mbrojtjen e të drejtave e lirive të njeriut, si dhe zhvillimin e shoqërisë qytetare.
Fillimisht dua t’ju informoj se Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Republikën e Maqedonisë, u formua me vendim të Gjyqit Themelor të Kumanovës, më 21.07.2006. Selia e saj është në qytetin e Kumanovës, selia e saj eshte pran OKB-së.
Kryesia e saj është multietnike dhe multikonfesionale, ku marrin pjesë shqiptarë, maqedonas, turq, romë, etj.
Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut në Republikën e Maqedonisë, që nga themelimi ka vazhduar aktivitetet e shumta në mbarë territorin e Maqedonisë dhe jashtë saj, deri në ditët e sotme. Në kuadër të këtyre aktiviteteve janë përfshirë një numër i madh i aktivistëve.
Natyrisht që brenda disa rreshtave nuk mundemi ta paraqesim kontributin e gjithë IGFM-së dhe anëtarëve të saj anembanë viseve të Ballkanit. Por në pika të shkurta do të përmendim disa nga aktivitetet kryesore:
Dega e IGFM-ës në Ballkan, apo Evropën juglindore, e veçmas në Maqedoni, ka pasur, ka dhe do të ketë në fokus të punës së saj mbrojtjen e të drejtave qytetare, në një rajon problematik ku psikologjia e ndasive dhe përjashtimeve etnike prodhon trysni, dhunë, jotolerancë, pasiguri, sanksione antiligjore dhe veprime arbitrare të institucioneve të shtetit.

Rruga e gjatë me shumë batica dhe zbatica e popujve të Ballkanit për paqe, stabilitet dhe bashkëjetesë ka caktuar destinacion për familjen e madhe të shteteve evropiane, ku roli i IGFM-së dinjitoze, është dhe do të jetë rol i rëndësishëm me prioritet mbi të gjitha prioritetet.
Në shtetet ballkanike, edhe pse janë sjellë dhe aprovuar shumë ligje që çojnë ujë në mullirin e të drejtës, praktikisht ende veprohet me koka të nxehta të disa funksionarëve apo pushtetmbajtësve të cilët përdorin apo zbatojnë dhunë, diskriminim, korrupsion, tregti me njerëz, mungon gjykimi korrekt, mbrojtja e pronësisë, mungojnë zgjedhjet e lira dhe shumë e shumë padrejtësi të tjera sociale, ekonomike, arsimore, politike e tjera, që përplasen me realitetin multinacional, shoqërinë qytetare demokratike në Ballkan dhe veçmas në Maqedoni.
Me këtë rast do të përmendim disa raste të montuara politike të viteve të fundit, ku janë bërë shkelje drastike dhe flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut, e ku IGFM ka pasur një aktivitet shumë të ngjeshur në drejtim të zbardhjes së këtyre padrejtësisë. Si raste më të theksuara ku jemi angazhuar në organet e drejtësisë vendore dhe ndërkombëtare, janë: Rasti i Sopotit, rasti i Brodecit, rasti i Gostivarit, i Vaksincës, i Shkupit, i Manastirit, i Harun Aliut, bastisjet e paligjshme në familjet e pjesëtarëve të ish-UÇK-së, helmimin e nxënësve shqiptar ne shkollat e mesme. Dhe më të fundit, dhe më të tmerrshmet, ishin rastet Monstra dhe Lagja e Trimave në Kumanovë, ku u bënë shkelje flagrante të të drejtave dhe lirive të njeriut.
Dega e IGFM-së në Maqedoni, me seli në Kumanovë, rastet e theksuara i ka bërë të njohura para organeve apo institucioneve ndërkombëtare të drejtësisë, siç janë: OSBE-ja, Unioni Evropian, Komiteti i Helsinkit, Gjykata e Strasburgut dhe institucione tjera nga të cilët është kërkuar rishqyrtimi i rasteve.
Gjer më tani kemi realizuar dhjetëra projekte dhe kemi ngritur iniciativa dhe procedura tjera juridike që janë në vazhdim e sipër për zgjedhje. Përveç këshillave profesionale, dega jonë ka pasur edhe përkrahje të gjithanshme nga kryesia e IGFM-së ndërkombëtare me seli në Gjermani. Rezultatet nga përkrahja e shumëfishtë janë rezultatet e shumta që janë arritur gjer tani në zgjidhjen e problemeve dhe mbajtja e takimeve të panumërta ndërkombëtare, për çka kontribut të posaçëm ka dhënë z.Karl Hafen, të cilit i shprehim mirënjohje dhe falënderim të posaçëm.
Ne si kryesi e IGFM-së kemi marrë pjesë në dhjetëra konferenca ndërkombëtare, ku e kemi thënë fjalën tonë për padrejtësitë e shumta.
Gjithmonë kur kemi vlerësuar se po protestohet për drejtësi, ne kemi qenë në ballë të shumë protestave, në Shkup, Tetovë e Kumanovë, me qindra e mijëra protestues të pakënaqur me funksionimin e ligjit, ku kemi mbajtur edhe greve urie.
Gjate kësaj periudhe kemi bërë binjakëzimin me Këshillin e pajtimit mbarëkombëtar dhe kemi arritur rezultate të mira ku kemi arritur të pajtojmë disa familje dhe të zgjidhim mbi 120 ngatërresa.
IGFM-ja ka vëzhguar disa palë zgjedhjesh në Republikën e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës, nga të cilët kemi dërguar edhe raporte të shumta.
IGFM e ka shtrirë aktivitetin e vetë edhe në planin humanitar, ku kemi ndihmuar shumë familje nevojtare me veshmbathje dhe ushqime nga donatorët tanë. Në bashkëpunim me Lidhjen e Arsimtarëve Shqiptarë dhe Organizatën Humanitare ‘El Hilal’, dërguan disa konvoje humanitare, sidomos në familjet e dëshmorëve, invalid te luftës dhe zonat e malësisë së Karadakut të Kumanovës. Në këto raste, banorët e rrezikuar u ndihmuan me artikuj ushqimorë, veshmbathje, para, si dhe nxënësit me pajisje të ndryshme shkollore.
Me rastin e përmbytjeve në Shqipëri gjatë vitit 2010, për banorët e zonave të rrezikuara shpërndamë 60 ton ndihma ushqimore, higjienike, ushqime për kafshë etj. Këto ndihma kapin shifrën në rreth 70.000 euro. Me këtë rast, nga Kryeministri i Shqipërisë z.Sali Berisha dhe nga prefekti i Qarkut të Shkodrës, z.Maxhid Cungu, jemi shpërblyer me Mirënjohje. Poashtu, jemi përkujdesur edhe për Shtëpinë e Pleqve në Vaun e Dejës në Shkodër të Shqipërisë, ku për shoqatën ‘Besa’ kemi dhuruar ndihma ushqimore dhe veshmbathje.
Unë u jam mirënjohës të gjithë aktivistëve të zellshëm të IGFM-së që ndihmuan në aktivitetet tona brenda këtyre 12 viteve. Falënderim të veçantë shprehim ndaj sekretarit të përgjithshëm të IGFM-së, z.Karl Hafen, Etem Xheladinit, Sevdail Demirit, Bajram Sulejmanit, Avdulla Memetit te cilët gjithnjë ka shprehur gatishmëri për të na përkrahur në aktivitetet tona.
Unë me ekipin tim kaq kemi arritur të bëjmë. Ndoshta kemi mundur të bëjmë më shumë, por rrethanat e kohës e kanë bërë të veten.
Për shkak të moshës dhe pamundësisë sime për shkaqe shëndetësore që të vazhdoj edhe më tej në krye të IGFM-së, para këtij kuvendi e paraqes dorëheqjen time nga pozita e kryetarit të IGFM-së për Maqedoni.
Shpresoj dhe uroj që kryesia e re të punojë edhe më shumë, meqë nevojat janë ende të mëdha.

Une Ju them se bota, Europa, gjithe Ballkani ka nevoje per mendje te shendosh, mirekuptim, dialog , paqe, barazi me qellim te krijimit te kushteve te mira dhe siguri per jeten e njerezve.
Une kam nje thenie per kryesine e re per forumin nderkombetare per te drejtat dhe lirite e njeriut: “Per cdo epoke per njerezit e medhenje te mencur ose qe me veprimtarine e tyre kane lene gjurme gjat jetes dhe karieres edhe kur e kane mbyllur me nder dhe suksese e me moral eshte thene ‘e mbylla me nder e faqebardhe’ ku e deshmon qertifikata ‘Ambasador nderi’.
Une iu uroj kryesise se re gjithnje e me shume suksese…
Falenderit per mirekuptimin !

Loading...