Për një vit mbyllen 2500 kompani në Maqedoni

Përfundimisht me vitin 2017 kemi rritje për 3.2 për qind të firmave që kanë bankrotuar apo mbi 2500 firma kanë pushuar së funksionari gjatë vitit të kaluar. Kështu rezulton Raporti për stabilitetin financiar në Maqedoni i Bankës Popullore të Maqedonisë për vitin 2017, sipas të cilit, krahasuar me vitin 2016, vjet shkalla e bankrotimit të firmave u rrit për 2.1 për qind, shkruan gazeta KOHA.

“Në vitin 2017, shkalla e firmave që kanë bankrotuar gjatë këtij viti është rritur për 3.2 për qind, ndërkaq në vitin 2016 kjo shkalle ishte 2.1 për qind. Subjektet ekonomike ekzistuese gjatë vitit 2017 shumë pak kanë pasur aktivitete punuese në tregun e Maqedonisë, gjë që ka çuar deri në rritjen e numrit të subjekteve afariste që të hapin proces falimentimi, gjegjësisht 3.2 për qind nga numri i përgjithshëm i subjekteve afariste të regjistruar në Regjistrin qendror kanë bankrotuar”, thuhet në Raportin e BPM-së.

Në ndërkohë, të dhënat e Regjistrit Qendror të Maqedonisë thonë se deri në fund të vitit 2017, numri i përgjithshëm i personave juridik jo financiar ka qenë 111.307, ndërsa në vitin 2016, ky numër ishte 113.978 apo 2. 671 firma më pak se viti paraprak. Ndërkaq, nga aspekti formalo-juridik, do të thotë firmat ekzistuese, raporte vjetore financiare deri të Regjistri Qendror për vitin 2017 kanë dorëzuar vetëm 60 mijë firma. Arsyet se kemi kaq numër të firmave që mbyllen brenda një viti, sipas ekspertëve ekonomik, në radhë të parë është kriza e gjatë politike disa vjeçare që zotëroi në Maqedoni dhe e njëjta kontribuoi që shumë firma private të futen në borxhet të mëdha dhe në pamundësi për të kthyer borxhet e vjetra, morën vendimin më të dhimbshëm duke u vendosur drynin firmave të tyre. Profesori i ekonomisë pranë Kolegjit Amerikan në Shkup, Marjan Petreski, shprehet se edhe përkundër rritjes së numrit të firmave që kanë bankrotuar vitin e kaluar, kjo nuk paraqet sinjal serioz se në Maqedoni po përkeqësohen kushtet për të bërë biznes të suksesshëm.

“Megjithatë, nuk mund të anashkalojmë faktin se viti 2017 ishte një vit shumë i rëndë për të bërë biznes sidomos në gjysmë vjetorin e parë të këtij viti. Me formimin e Qeverisë së re në qershor të vitit 2017, segmenti i të bërit biznes filloi të përmirësohet falë rritjes së optimizmit të firmave e jo si pasojë e zbatimit të masave reale nga Qeveria aktuale”, thotë Petreski. Sipas Petreskit, i gjithë viti 2017 u mbyll nën ndikimin e krizës politike dhe pamundësisë që Qeveria aktuale të merr hapa konkrete të politikave ekonomike.
“E gjithë kjo u vërtetua me rritjen ekonomike prej 0 për qind në kuartalin e parë të vitit 2017. Kështu që në këtë kontekst, nuk është për tu habitur që numri i firmave të bankrotuara ka shënuar rritje. Mirëpo, ajo që është tepër brengosëse për momentin janë paralajmërimet e Qeverisë aktuale për marrjen e masave restriktive të cilat gjenerojnë efekte negative për sektorin biznesit, sidomos në sferat e tatimeve fiskale. Në qoftë se tatimi progresiv fillon të zbatohet nga janari i vitit 2019, atëherë kjo do të thotë humbje e madhe për firmat vendore, pse jo dhe shumë firma të marrin vendime që kapitalin e tyre ta dislokojnë në ndonjë shtet tjetër fqinjë”, thotë Petreski.

Analisti ekonomik Fatmir Bytyqi thotë për KOHA se shkalla e rritjes së firmave të bankrotuara prej 3.2 për qind gjatë vitit të kaluar nuk është dhe aq e vogël kur kemi parasysh se Maqedonia është shtet i vogël dhe se nuk ka dilema se kondicioni i firmave në Maqedoni nuk është dhe aq i mirë, porse mirë do të ishte të zbulohen arsyet se pse rritet numri i firmave që bankrotojnë brenda një viti.

“Duhet të dihet mirë se shkalla e rritjes ë firmave që bankrotojnë janë për shkak të vendosjes së taksave të reja fiskale nga ana e shtetit. Nëse kjo është arsyeja e vetme, atëherë kjo nuk është dhe aq tragjike. Mirëpo nëse bankroti është shpallur për shkak të gjendjes së rëndë financiare, atëherë kemi një situatë shumë të keqe. Dy vitet e fundit kanë qenë shumë të vështira për të bërë biznes për shkak të gjitha gjërave që ndodhën gjatë 10 viteve të fundit. Patëm një ekonomi të stagnuar, e cila në mënyre direkte ndikoi në mos funksionim të rregullt të firmave.Të shpresojmë se gjatë gjysmë vjetorit të dytë të këtij viti, të kemi rezultate të mira sa i përket aktivitete punuese të firmave dhe se kjo të parandalonte që shumë firma që janë në gjendje të rëndë financiare, të mos marrin vendime për bankrot”, thotë Bytyqi.

Loading...