Robert Nesimi
Një javë para referendumit tanimë është e qartë që qeveria po e përvetëson gjithë procesin për vete, duke tentuar të paraqesë suksesin e tij si sukses të vetin, ndërsa fajin për dështimin eventual t’ia hedhë dikujt tjetër. Kjo është për keqardhje sidomos për faktin që partitë në pushtet nuk kishin as shumicën e votave në zgjedhjet e fundit, që do të thotë se në të vërtetë për referendum të suksesshëm mbështetja kyçe do të duhet të vijë nga votuesit që nuk aprovojnë punën e qeverisë dhe kanë tendenca opozitare. Por mu për këtë është me rëndësi që këta votues që janë pro NATO-s dhe EU-së, ndërkohë që janë kundër qeverisë, të dalin në votime dhe referendumi të ketë sukses. Në afat të gjatë kjo është garanca e vetme se diçka mund të ndryshojë, përndryshe jemi destinuar të qeverisemi nga qeveri të papërgjegjshme si kjo e sotmja dhe ajo e përparshmja.

Një numër qytetarësh sigurisht kanë dyshim për vetë marrëveshjen me Greqinë. Shtrohet pyetja nëse kjo marrëveshje është maksimumi që mund të arrihej, apo në të kaluarën janë lëshuar raste më të mira. Mund të pyetet edhe pse si kompenzim për ndërrimin e emrit nuk u sigurua datë fikse bisedimesh për anëtarësim në BE, pse jo edhe një proces integrimi më të shpejtë sipas shembullit të Bullgarisë dhe Rumunisë. Shqiptarët janë edhe më të shqetësuar pasi kryesisht janë injoruar gjatë bisedimeve. Pikë së pari këtu është çështja e pikës 3 të marrëveshjes që mund të interpretohet si mohim i etniteteve tjera në vend. Është edhe ndjenja e padrejtësisë pasi gjuha maqedonase përfundimisht pranohet me emrin e saj të vërtetë, ndërkohë që shqipja mbetet gjuhë e paemër në Kushtetutë dhe ligje, si “gjuha që e flasin 20%”.

Sa ju përket rezultateve të qeverisë së tanishme, është e ndershme të pranohet se ajo ka bërë do hapa për të përmirësuar situatën e trashëguar. Kjo sidomos vlen për marrëdhëniet ndërkombëtare, ku pozita e Maqedonisë në botë është më pozitivja ndonjëherë. Është zvogëluar edhe presioni ndaj mediave, edhepse jo aq sa duhet.

Në sfera tjera shumë punë kanë ngelur njësoj, ndërsa diku madje janë përkeqësuar. Gjysma e qeverisë së vjetër të “regjimit” është pjesë e qeverisë së re “reformatore”, madje me fytyrat e njëjta. Biznismenë, media dhe figura publike famëkeqe kanë ndërruar anën dhe tani janë bërë të zëshëm në mbrojtje të qeverisë së re, ashtu siç i dilnin zot deri dje të vjetrës. Furnizimet publike edhe më tej bëhen me marrëveshje të dyshimta prapa skenës, shpesh me fytyrat dhe kompanitë e njëjta. Libreza partiake edhe më tej është rruga më e sigurtë për një vend pune në sektorin publik.

Sundimi i të drejtës ishte problemi kryesor i regjimit të vjetër dhe nën moton “S’ka drejtësi, s’ka paqe” u bë forca kryesore për mobilizim të opozitës. Mu këtu ishin vënë shpresat më të mëdha për ndryshim dhe pritej progres i shpejtë. Por duket se këtu nuk është lëvizur asnjë gur nga vendi. U formuan dhe shpërbënë komisione të ndryshme, por reformat në drejtësi nuk duken asgjëkundi në horizont. Dëgjuam bomba si prokurorë e gjykatës zgjidhen me marrëveshje partiake, por drejtësia ende na servohet nga po këto prokurorë e gjykatës. Rasti “Almir” dëshmoi se sistemi gjyqësor akoma ka paragjykime të hatashme etnike dhe se nuk ju ndodh gjë nëse jeni të afërt me partinë në pushtet. Njerëz të akuzuar për manipulime zgjedhore tani janë në ballë të kampanjës, e kjo ftoh njerëzit që duan të votojnë “për” dhe hedh hije mbi gjithë procesin e referendumit. Zgjedhjet lokale u mbajtën në kushte të ngjashme me ditët më të mira të “regjimit”.

Ekonomikisht duket se gjendja po përkeqësohet. Krijohet përshtypja se qeveria s’e ka idenë se çfarë don të bëjë dhe vazhdon aty ku mbeti qeveria e mëparshme. Ajo duket sikur është përqëndruar te politikat sociale të afërta për të majtën, por më shpesh këto duken si kopje të tekave më të këqija populiste të qeverisë së kaluar. Në vend se të adresojë madhësinë enorme, humbjet dhe korrupsionin e sektorit publik, ajo mbulon harxhimet shtesë me tatime më të larta dhe borxhe të reja. Nuk ka asnjë paralajmërim se administrata e fryrë do të reformohet ose zvogëlohet. BPV stagnon, investimet kapitale kanë rënë ndërsa rroga mesatare rritet vetëm për shkak të ndryshimit të metodologjisë së kalkulimit dhe rrogës minimale të sforcuar. Edhe gjatë kampanjës së referendumit mesazhi kryesor është se gjithçka do të jetë falas, sikur BE të ishte ndonjë lloj Babadimri.

Situatë e ngjashme mbizotëron edhe në sektorët tjerë. Premtimet e bëra punëtorëve shëndetësorë janë harruar dhe një numër rekord i tyre po ikin nga vendi. Shëndetësia publike vazhdon të jetë fole e korrupsionit, me shuma enorme të dhëna kompanive të dyshimta. Shkollat publike përballen me problemet e vjetra të nënfinancimit dhe arsimtarëve pak të paguar. Tekstet shkollore janë të mbushura me gabime, me përmbajtje ofenduese për shqiptarët, ndërsa fizikisht thuajse janë të shkatërruar. Në ndërkohë Ministria vazhdon të lidhë kontrata të shtrenjta me botuesit e saj të preferuar. As në ekologji nuk ndërmirret asgjë për të zgjidhur problement kronike të ndotjes dhe menaxhimit me mbeturina. Sipërfaqet e gjelbërta vazhdojnë të priten, në mënyrë identike me të cilën partia në pushtet akuzonte deri dje qeverinë e vjetër. Për të kënaqur ca oligarkë kuptuam se qeveria ka tentuar të bëjë marrëveshje prapa skenave për të restartuar ndotësin Jugohrom pa vendosur filtra, me kanosje dhe tentim për blerje të aktivistëve që e mbyllën atë herën e parë.

E megjithatë këto nuk janë arsye për të refuzuar marrëveshjen me Greqinë. Përkundrazi referendumi duhet të ketë sukses dhe integrimet të vazhdojnë mu për shkak të tyre. Nëse marrëveshja bie poshtë gjërat vetëmse do të përkeqësohen, ndërsa kjo qeveri dhe qeveritë e ardhshme do të bëhen më të papërgjegjshme dhe tiranike, jashtë çdo kontrolli. Shpresa jonë e vetme për gjykim të kriminelëve dhe politikanëve të koruptuar, për shndërrim të qeverisë në servis të vërtetë të qytetarëve dhe për të ardhme më të sigurtë, tani është tek integrimi në NATO dhe BE. Prandaj, mu për shkak se qeveria e tanishme është njëlloj e keqe dhe korruptuar si e kaluara, duhet të kemi kujdes që referendumi i 30 shtatorit të kalojë.

Loading...