Për shqiptarët e të gjitha feve, Nënë Tereza veçse është e shenjtë

Simbolet islame të hënës dhe yllit qëndrojnë mbi minaret e vogla të Qendrës Shqiptaro-Amerikane Kulturore Islame në rrugën Raymond në Waterbury, SHBA. Në podrumin e kësaj qendre, një portret i madh i Nënë Terezës qëndron i varur në mur.

Por, për pjesën më të madhe të popullatës shqiptare në shumicë myslimane në Waterbury, kjo nuk është e papërshtatshme. Shqiptarët janë në përgjithësi jashtëzakonisht tolerantë kur kemi të bëjmë me religjionin. Një nga figurat më të nderuara universale, fisniku katolik shqiptar Skënderbeu, ka kaluar 25 vjet duke luftuar ushtritë e mëdha osmane në vitet e 1400-ta, shkruan portali ‘Rep-am.com.

Dhe kështu kur Papa Françesku në dhjetor i hapi rrugën Nënë Terezës, shqiptare etnike, të shpallej shenjtore, pakkush ishin më entuziastë se shqiptarët lokalë.

“Janë rreth 10 për qind shqiptarë katolikë nëpër botë”, ka thënë Visar Tasimi, president i Qendrës Shqiptaro-Amerikane Kulturore Islame, transmeton Koha.net. “Jam i bindur se përqindja e tyre këtu është më e ulët bazuar në rajonet prej nga vijnë njerëzit. Por, kjo nuk bën kurrfarë dallimi. Së pari jeni shqiptar, pastaj jeni vetë religjioni. Ajo është heroina jonë kombëtare”.

Gruaja a vogël ishte e famshme për kujdesin që kishte ndaj të varfërve në rrugët e Kalkutës, Indi. Emri i saj i lindje ishte Anjezë Gonxhe Bojaxhiu i cili iu vu nga prindërit e saj shqiptarë në lindje më 1910 në Shkup, Maqedoni. Prindërit e saj ishin katolikë të devotshëm.
Urdhri i Terezës krijoi një bujtinë, qendra për të verbrit, të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta; dhe një koloni lebroz, shkruan ‘Biography.com. Ajo mori Çmimin Nobel për Paqe më 1979 dhe vdiq më 1997.

Dhjetorin e këtij viti që po lëmë pas, Papa Françesku i njohu mrekullinë e dytë Nënë Terezës, duke i hapur rrugën kështu që ajo të njihet si shenjtore katolike. Ende nuk është caktuar data, mirëpo disa media kanë parashikuar se kjo do të ndodhë në muajin shtator, në përvjetorin e vdekjes së saj.

Papa Françesku njohu mrekullinë e dytë në të cilën raportohet se një brazilian ishte shëruar nga një infeksion viral i trupit, dhe nga koma pasuese, pasi familjarë dhe miq të tij i ishin lutur Nënë Terezës, shkruan “Associated Press”, transmeton Koha.net.

“Natyrisht, për ne është ngjarje e madhe”, ka thënë Bardhyl “Bob” Agastrapronar i marketit “European Food Products” në rrugën Wolcott. “Jemi shumë krenar për të sepse ajo tregoi anën më të mirë të traditës shqiptare”.

Sikurse shumica e shqiptarëve, edhe Agastra është mysliman. Ai gjithashtu është shumë entuziast se është shqiptar dhe për të arriturat e shqiptarëve tjerë, pavarësisht religjionit.

“I vetmi vend që fetë nuk luftojnë mes vete është Shqipëria”, thotë Agastra.

Qyteti Waterbury kishte nisur të popullohej nga migrantët shqiptarë në mesin e viteve të 90-ta me rënien e komunizmit në Shqipëri, dhe më pas edhe nga vala e refugjatëve nga Kosova gjatë luftës së vitit 1999.

Qyteti tani ka dy xhami shqiptare.

Sipas numërimit të fundit të popullsisë në SHBA, del se në dhe përreth Waterbury jetojnë rreth 2 mijë shqiptarë etnikë, por kjo shifër, për Tasimin dhe të tjerët, nuk qëndron. Festivali i tyre kulturor tërheq me mijëra pjesëmarrës. Një studim i vitit 1994 nga një prej xhamive në Waterbury kishte mbledhur 4,200 shqiptarë vetëm të Kosovës, thotë Tasimi. Ai vlerëson se popullata shqiptare në dhe përreth Waterburyt është rreth 10,000.

“Do të thosha se çdo shqiptar e di kush është Nënë Tereza”, thotë Robert Likorama, që ligjëron gjuhën italiane në Shkollën e Mesme Kennedy në Waterbury. Ai është rritur në jugperëndim të Shqipërisë, ka studiuar në Romë dhe ka migruar në SHBA 17 vjet më parë në kërkim të mundësive më të mëdha.

“Jo vetëm se ajo është simbol i Shqipërisë, por është simbol i tërë botës”, shton Likorama.

Tasimi dhe shqiptarët tjerë të Waterburyt thotë se Nënë Tereza është personifikim i “Besës”.

“Jemi shumë krenar që mund të themi se Nënë Tereza është një shqiptare e famshme”, thotë Tasimi. “Nuk mund ta mohoni atë. Ajo është shenjtore, kaq. Është vetëm çështje kohe”.

Loading...