Shkup, 7 nëntor- A lejohet përdorimi i dhunës gjatë edukimit të fëmijëve? Kjo është pyetja që po shtrohet së fundmi, pas raporteve të publikuara se është në rritje numri i fëmijëve të keqtrajtuar nga prindërit. Gazeta Lajm ka konsultuar pedagogë dhe psikologë. Hatixhe Sefa dhe Ajtene Hajdari-Qamili, janë të mendimit se dhuna ndodhë për shkak se prindërit vazhdojnë ta atë shohin si mënyrë të vetme për të dominuar ndaj fëmijëve.

“Kjo dukuri duhet menjëherë të hiqet nga përdorimi dhe të zëvendësohet me dhurata dhe shpërblime të ndryshme”, duke qenë të bindura se këto forma do të japin rezultate shumë pozitive”, deklaroi psikologja Sefa.

“Përdorimi i dhunës është shqetësues sepse ka pasoja të ndryshme duke u nisur nga ato psikike dhe psikologjike të cilët janë edhe më të vështira” thotë psikologja Hatixhe Sefa.

Më tej ajo shton se në fëmijërinë e hershme mund të ketë pasoja të ndryshme në zhvillimin e fëmijëve.

“Duke i pasur parasysh edhe këto pasoja atëherë e shohim edhe shqetësimin më të madh nga kjo dukuri”, deklaroi Sefa.

Ajo këshillon prindërit, që të angazhohen për të gjetur forma më të buta gjatë edukimit të fëmijëve dhe t’i promovojnë sa më tepër të njejtat.

“Shohim raste kur ende është prezentë dhuna e cila shtrohet nga arsimtarë të caktuar. Mendoj se metvërtetë është e dëmshme dhe kjo dukuri dal nga dalë duhet të eliminohet. Dhuna është mënyra më e gabuar për të edukuar dhe ritur një fëmijë. Duke pasur parasysh se shpërblimet kanë dhënë gjithnjë rezultate shumë më të madh në edukim apo në trajtim të ndonjë çrregullimi ose të ndonjë forme tjetër”, shtoi Sefa.

Edhe profesorja, Ajtene Hajdari- Qamili shprehet shumë e brengosur për dhunën e shtuar ndaj fëmijëve.

“Dinamika e jetës dhe civilizimit ecën me hapa të shpejta, gjeneratat e reja janë më hiperaktivë dhe më pak tolerantë. Dhuna, jo vetëm që pengon zhvillimin normal te fëmijët, por edhe i traumatizon ata, i bën më agresivë, më introvertë, më hakmarrës, i demotivon për jetë familjare dhe martesore dhe shpesh bëhet shkas edhe për dëmtime të ndryshme në sistemin nervor, e cila rezulton me sëmundje të ndryshme psikofizike”, pohoi profesoresha Qamili.

Sipas profesores Ajtene Qamili, prindërit duke qenë të ngarkuar me punë, por edhe me humbjen e kohës nëpër rrjetet sociale, nuk u mbetet kohë të merren me fëmijët e tyre, për t’ua sqaruar hollësisht çështjet jetësore apo kërkesat dhe ndalesat e fëmijëve të tyre

“Prandaj dhunën e shohin si mënyrën më të lehtë për arritur rezultatin që ata duan për t’i disiplinuar fëmijët e tyre, por duke mos e menduar fare se sa shumë dëm u bëjnë atyre, po edhe shoqërisë në përgjithësi”, shtoi Qamili.

Ajo thotë se kjo dukuri mund të përmirësohet vetëm në mënyrë institucionale, duke bashkëpunuar shkollat, shoqatat joqeveritare, prindërit, mësuesit, psikologët, pedagogët, madje edhe teologët me trajnime të vazhdueshme dhe duke funksionuar qendrat shoqërore për fëmijë në mënyrë korrekte e jo vetëm formalisht sa për sy e faqe.

Ditë më parë në media u publikuan disa statistika sipas të cilave 8-të nga 10-të fëmijë në Maqedoni janë pre e dhunës nga prindërit ose kujdestarët.

Loading...