Perëndimi kundër Rusisë, një Luftë e re e Ftohtë?

Analizë e BBC
Tentim-vrasja e ish-agjentit rus, Sergei Skripal, është përshkallëzuar në një incident ndërkombëtar, pasi që me dhjetëra shtete perëndimore vendosen të dëbojnë diplomatët rusë. Bëhet fjalë për dëbimin më të madh të diplomatëve që nga periudha e Luftës së Ftohtë, prandaj shumë ekspertë kanë tërhequr paralele mes situatës aktuale me situatën ekzistuese në atë periudhë kohore.

Në vitin 1986, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik, dëbuan gjatë disa javëve në vazhdim diplomatët e njëri-tjetrit. Presidenti amerikan, Ronald Reagan, dëboi 80 diplomatë rusë, pesë prej të cilëve u akuzuan për spiunazh, shkruan shërbimi britanik, BBC. Ekzistojnë gjithashtu edhe paralele mes helmimit të ish-agjentit rusë dhe sjelljeve të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Profesori për marrëdhënie ndërkombëtare në Shkollën e Ekonomisë në Londër, Michael Cox, tha se Bashkimi Sovjetik ka tentuar të vret njerëzit në shtetet tjera, të cilët nuk i kanë pëlqyer dhe shtoi se Rusia në këtë aspekt po vepron njëjtë. Megjithatë, ekzistojnë dallime thelbësore mes Bashkimit Sovjetik dhe Rusisë së sotme, u shpreh Cox.

Sipas tij, Rusia nuk është Bashkimi Sovjetik dhe se ky vend tani është shumë më i integruar në sistemin global të ekonomisë, gjë që bën që Moska të jetë e lëndueshme kundrejt trysnisë ekonomike. Sipas Cox-it, përkundër faktit se Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, mbetet i paparashikueshëm, mundësia e një lufte bërthamore mes Rusisë dhe Perëndimit, e që ishte një prej aspekteve më të rrezikshme gjatë Luftës së Ftohtë, nuk duket se është rritur dhe se pjesa më e madhe e marrëveshjeve për kontrollin e armatimit po respektohen edhe më tutje./21Media

Loading...